Nga Albert Vataj
Unë po ecja përgjatë rrugës me dy shokë, shton ai, kur dielli po perëndonte dhe qielli, papritmas, u përmbyt në një të kuqe gjaku. U ndala dhe, i rraskapitur si i vdekur, u mbështeta te një gardh në anë të rrugës. Mbi fjordin blu e të zi dhe mbi qytet dukej sikur kishte rënë gjak, ndërsa gjuhë zjarri gllabëronin horizontin. Shokët e mi vijonin të ecnin përpara, dhe unë, i mbërthyer nga një drithërimë e ftohtë frike, ndjeva se një britmë e thellë, e fuqishme, po përshkonte gjithë natyrën.

Me këto fjalë të ngarkuara me ankth dhe vuajtje, Edvard Munch, piktori norvegjez i lindur në Nøten më 12 dhjetor 1863, përshkruan shfaqjen e atyre ndjesive që do t’i jepnin jetë një prej veprave më të famshme të historisë së artit: “The Scream”. Në këtë pikturë është ngjeshur e gjithë pesha e dhimbjes dhe tronditjes që rëndonte mbi shpirtin e tij të drobitur, mbi zemrën e copëtuar që përpiqej të gjente ritmin në një botë që i bëhej përditë më e largët dhe më armiqësore.

Ndjenja e ankthit, ndjenja e braktisjes, vetmia dhe pikëllimi, “dhimbja e të jetuarit” do të kushtëzojë në një mënyrë të trisht ekzistencën e këtij artisti të madh, i cili do të lartësojë paqëndrueshmërinë e tij psikike në pikturë, për shkak të një ndjeshmërie të tepruar dhe dy përndjekjeve që i ishin vënë nga pas që nga fëmijëria dhe adoleshenca.

Ai humb nënën e tij, ndërsa ishte ende fëmijë. Goditet rëndë nga vdekja e motrës së tij të preferuar, Sophie, e cila humb jetën në moshën 15-vjeçare për shkak të tuberkulozit.

Punët e tij janë pothuajse të gjitha me një ngarkesë të theksuar trishtimi dhe dhimbjeje. Jo vetëm e shkuara, goditjet e herahershme të fatit të keq, abuzimeve me alkoolin, por edhe trajtimet ciklike në një klinikë psikike, bëhen bartës i asaj përplasje të dhunshme ekzistenciale. Nuk ka ditë të ngjyrshme hareje në jetën e tij, ashtu siç nuk ka larmi koloriti dhe dritshmëri përshkueshmërie në pikturën që ai la. Ai zgjodhi artin jo dhe aq të ankohet se sa të denoncojë një jetë trazimtare që i ka rënë për hise dhe këtë e bën me njëjtësi force, me të cilën pikëllimi, dhimbja, ankthi dhe trazimi i vërsulen shpirtit të tij të drobitur. Dhe peneli ka zgjedhur të flasë në emër të heshtjes që e ka nxënë përfundi dhe shtyp.

Ai la gjurmë në historinë e artit. I tregoi botës shpirtin e tij, përmes talentit dhe guximit për t’u ndeshur me vetveten dhe botën në një betejë epike krijuese që edhe sot i ka të gjalla klithmat, ngjethëse shpërfytyrimet, të makthshme tonin e ngjyrave dhe të dhimbshme prehjen e trisht të portreteve.
Edvard Munch vdiq nga pneumonia më 23 janar. 1944 në shtëpinë e tij në Ekely














