Ideali i lartë i Faik Konicës për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin tonë kombëtar bie në sy që në shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”, të cilën ai e themeloi dhe e drejtoi. Në shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901) në pyetjen e një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet duke u bazuar në veprën e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”, botuar frëngjisht në Paris më 1621. Në faqen 44 të këtij libri lexojmë: “Flamurët e Skenderbeut, që ishin të gjithë të kuq, kishin një shqiponjë dykrerëshe të zezë. Ngjyra kombëtare jona është e kuqia edhe e zeza; këto ngjyra të vëna bashkë janë shënji kombëtar i Shqipëtarëvet”.“Shqipëria a ka një flamur authéntik?”, punimi i dytë i këtij atdhetari për flamurin është përgjigje xhonturqve, të cilët, siç thotë Faik Konica, “përhapnë dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur authéntik”. Përgjigjja fillon me një ton të ashpër polemik, por e argumentuar në bazë të burimeve shkencore të pakontestueshme. Xhonturqve dhe atyre që nuk dinë dhe atyre që nuk duan të dinë për historinë e flamurit tonë kombëtar, i cili është në të vërtetë, histori dramatike e kombit shqiptar, – ai në mënyrë sarkastike ua kujton të kaluarën historike të shqiptarëve, kur ndër të tjera, thotë: “Në keni dyshim, pyetni kockat e stërgjyshërve tuaj dhe do t’mësoni laftin dhe madhërin’ e atij flamuri. Jo kockat e krahërorit, po kockat e kurrizit, – se Turqët, stërgjyshërit t’uaj, të mundur prej atij flamuri në jo më pak se njëzet e dy lufta, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë”.
Discussion about this post