Intervistë me Dr. Leonidha Peppo, Kardiolog në Poliklinikën Nr. Në Tiranë.
Intërvistoi: Albert Vataj
Situata pandemike, COVID-19, ka futur në një regjim të rreptë si të gjithë shërbimet e kujdesit mjekësor, edhe atë ambulator. Masat mbrojtëse dhe seria e kushteve parandaluese, e ka bërë punën e mjekëve një sfidë të vërtetë, pavarësisht kalimit të pikut. Të luftosh me vdekjen në çdo rrethanë, ky është misioni i mjekut, kjo është detyra dhe shërbimi i tij ndaj pacientëve dhe komunitetit. COVID-19, si një koronavirus me shumë të panjohura. Ai ka marrë nën kërcënim serioz për jetën kryesisht pacientët me sëmundje kardiovaskulare. Përqindja më e lartë e atyre që kanë humbur betejën në përballje me koronavirusin janë ato me probleme me shëndetin e zemrës, pavarësisht përkatësisë së moshës, duke e bërë këtë kategori të sëmurësh më të rrezikuar. Për të mësuar diçka më shumë rreth situatës, rrezikut dhe masave që duhet marrë, kemi intervistuar, Dr. Leonidha Peppo, Kardiolog në Poliklinikën Nr. 4 në Tiranë.
Dr. Peppo a mund të na krijoni një panoramë të përgjithshme rreth punës suaj në klinikë, në këtë situatë pandemike. Cilat kanë qenë sfidat me të vështira, me të cilat jeni përballur dhe si i’a keni dalë të vendosni shërbimin parësor në pararojë?
Situata pandemike na ka vënë përballë shumë të panjohurave, të cilat na është dashur t’i kapërcejmë në përmbushje të shërbimit dhe kujdesit ndaj qytetarëve. Për të gjithë komunitetin e mjekëve, specialistëve, infermierëve dhe sanitarëve, ka qenë obliguese, jo vetëm masat e rrepta detyruese, por edhe shërbimi me korrektësi i të sëmurëve.
Kjo ka bërë që normaliteti i një dite të zakonshme vizitash të pësojë një ndryshim në të gjitha aspektet. Pacientëve tanë, të cilët i përkasin grupmoshës më të rrezikura nga korovarusi, u kemi dhënë ndihmën dhe këshillat e duhura nëpërmjet vizitave në kushtet e mbrojtjes maksimale, por kryesisht në distancë. Jemi përpjekur t’i bindim mbi masat e shtuara të kujdesit, që shëndeti i tyre të jetë i mbrojtur nga një kërcënim i mundshëm, duke u bërë me dije mbi rëndësinë që ka kjo për shëndetin e tyre. Fatmirësisht nuk kemi patur raste serioze, por kjo nuk do të thotë se kërcënimi nuk ka qenë i pranishëm.
Puna e gjatë dhe insistuese e mjekëve specialistë dhe organeve për domosdoshmërinë e respektimi të masave që duhet të marrë secili, në veçantë të moshuarit si më të rrezikuarit, ka bërë që ne të kemi një aleat të fortë në përballimin e situatës. Nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me mediat, një rol të veçantë në njohjen reale të situatës dhe kujdesi që duhet të ketë secili kanë dhënë: Prof. Tritan Kalo, Silva Bino, Pellumb Pipero, Najada Como, Albana Fico, etj. Si koleg desha t’i falënderoj të gjithë për punën që po bëjnë.
Cili është komenti juaj për COVID-19 dhe situatën në të cilën ndodhemi, specifikat e veçanta të këtij koronavirusi dhe pse është kaq i rrezikshëm?
Siç është e njohur tashmë, ky koronavirus është sa i rrezikshëm aq edhe i pabesë, gjë që e vështirëson seriozisht punën e mjekut, duke e kërcënuar jetën e pacientëve. Një nga të këqijat e mëdha të këtij koronavirusi është koha e gjatë deri kurë ai jep shenjat e para tek të prekurit. Ai tregon se ka marrë nën kërcënim shëndetin e një individi, atëherë, kur për shumë të sëmurë është tepër vonë dhe çdo masë parandaluese dhe përkujdesi intensiv është shpesh paefektshëm. Besohet se një hiperreaksion i sistemit imunitar, i quajtur “stuhia e citokinës”, që janë molekulat që drejtojnë reagimin e shëndetshëm imunitar, por në këtë rast ata e bëjnë atë përtej asaj që është e nevojshme, sepse fillojnë të sulmojnë qelizat e shëndetshme, besohet se udhëheqin këtë rrugë rreziku. Enët e gjakut pastaj fillojnë të rrjedhin, presioni i gjakut bie, formohet mpiksja dhe kolapsi i organeve. Kjo e bën këtë koronavirus të rrezikshëm dhe punën e mjekëve dhe specialistëve gjithnjë e më të vështirë për të fituar mbi të.
Për cilën kategori të të sëmurëve të zemrës rreziku është potencialisht më serioz?
Të bëjmë një sqarim paraprak. Të gjithë ata që nuk respektojnë masat parandaluese janë potencialisht të kërcënuar nga koronavirusi, por shtrohet pyetja, se cilët prej tyre janë më të ekspozuar nga rreziku i humbjes së jetës. Ata që duhet të kenë kujdes të shtuar, janë pacientët me sëmundje të zemrës dhe sëmundje të mushkërive ose sëmundje kronike të veshkave, gjithashtu personat me sëmundje të rëndë të valvulave të zemrës. Të kësaj kategorie janë edhe personat që kanë kryer një by pass kohët e fundit, periudhë kur nuk është rikuperuar plotësisht shëndeti i të sëmurit. Nuk duhet të neglizhojnë asnjë individ që ka qenë ose është në trajtim.
Siç është e njohur tashmë, ky koronavirus sulmon në mënyrë agresive dhe ata që janë më të rrezikuar janë personat e sëmurë, ata që marrin kujdes të vazhdueshëm. Çfarë mund të na thoni ju si kardiolog për fushën tuaj?
Deri tani, pra në kohën kur u bë prezent ky virus, njihej gjerësisht ndikimi negativ që kanë të gjithë sulmet virale që nga ato më të njohurat deri tek SarsCoV2. Viruset, kryesisht COVID-19, siç dihet janë influenca gastrointestinale mbi zemrën, duke sulmuar muskulin e zemrës dhe duke i dhënë atë që në mjekësi quhet miokardit. Gjithashtu ky virus prek cipat e zemrës, perikardin, duke dhënë dëmtim valvulave të zemrës dhe duke e ekspozuar me pasojat e saj, siç është insuficenza kardiake, që mund të jetë e shoqëruar me çrregullime të ritmit të zemrës. Kjo shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, me enjtjen e këmbëve me imobilitet të rëndësishëm të tij. Gjithë këto simptoma janë klasike të një situatë të vështirë dhe kërcënimi serioz të jetës së pacientit. Është provuar shkencërisht tashmë se ky koronavirus vepron duke shfrytëzuar pikat e dobëta të shëndetit të individit, me një agresivitet të tillë, sa shpesh, punën e mjekëve dhe luftën e medikamenteve e bën një sfidë të vërtetë. Ne në klinikën tonë nuk kemi patur raste të rënda, por disa prej atyre që fatkeqësisht nuk kanë mundur t’ia dalin kanë qenë të sëmurë.
Sipas jush cili është një kërcënim tjetër serioz që e komplikon më tej situatën kardiake të pacientit, duke i rrezikuar jetën?
Siç dihet, COVID-19, organin që sulmon më shumë janë mushkëritë. Komplikacionet e koronavirusit janë edhe në mushkëri me pneumoni ose dëmtim të cipave të mushkërive (pleurit), apo dëmtimet në tru ose cipave të trurit (menimgjit) por edhe të palcës së kurrizit, qe prish formulën e gjakut me pasojat që rrjedhin prej saj. Jo vetëm mushkëritë dhe zemra: infeksioni i shkaktuar nga koronavirusi i ri SarsCoV2 është një sëmundje sistemike që prek të gjithë organizmin, duke dëmtuar edhe enët e gjakut, veshkat, zorrët, sytë dhe trurin. Virusi, raporton revista Science, vepron ndryshe nga çdo patogjen tjetër i njohur deri më tani. Koronavirusi i ri fillon udhëtimin e tij në organizmin e njeriut duke hyrë në fyt, sy dhe hundë; sipërfaqja e qelizave që rreshtojnë pjesën e brendshme të hundës janë në të vërtetë të pasura me receptorin Ace2, porta kryesore që përdor virusi për të pushtuar qelizat njerëzore, ku shumëfishohet.
A mund të na e pasuroni njohjen tonë mbi mënyrën se si Covid 19 sulmon në mënyrë kaq agresive zemrën?
Ky është i panjohur dhe shkenca mjekësore mjerisht deri tani studion vetëm pasojat e sulmit të tij mbi zemrën, duke qenë shumë armiqësor si antigjen. Së pari sulmon muskulin e zemrës duke e dobësuar atë dhe zmadhuar, duke i atribuar insuficenze kardiake, rrethanë e përkeqësimit të shëndetit që më tepër shfaqet nëpërmjet aritmive te formave te ndryshme, çrregullime të ritmit të zemrës.
Aritmia është një ritëm jo normal i aktivitetit të zemrës. Zemra ka një sistem special elektrik përçues dhe nëpërmjet tij stimulohet elektrikisht dhe sinkronizonizon kontraksionin e muskulit kardiak gjë që çon në pompimin e gjakut nga zemra duke furnizuar të gjithë organizmin me gjak. Kur ritmi i zemrës zbret nën normë quhet bradikardi, ndërsa kur ai rritet mbi normën quhet takikardi. Gjatë aktivitetit fizik normalisht zemra i rrit rrahjet me qëllim që të plotësojë kërkesat e shtuara për oksigjen të organizmit, i cili është në kushte sforcimi. E kundërta ndodh kur pacienti është në gjumë e indet nuk kanë nevojë për shumë oksigjen, kështu që zemra rreh më pak. Prishja e këtij ekuilibri do të thotë mosfunksionim normal të zemrës dhe provokim i një seri problematikash shëndetësore jo vetëm tek zemra, mostrajtimi i të cilave shpie në gjendje kritike jetën e të sëmurit.
Sjellim në vëmendje se insuficenza kardiake shkakton vdekjen e 50% të pacientëve. Cili do të ishte bilanci në një shtrirje të gjatë kohore të përndjekjes nga koronavirusi, siç parashikohet?
Insuficienca kardiake, e cila shoqërohet me mosngopje me frymë, enjtje të kyçeve të këmbëve dhe mbingarkesë e punës së mushkërisë, është pamundësia e zemrës për të siguruar fluksin e nevojshëm të gjakut në përputhje me kërkesat e organizmit, kjo si rezultat i pakësimit të eficencës ose funksionit të pompimit që zemra ka. Insuficenza kardiake në gradë të ndryshme ka qenë nga shkaqe të tjera, jo për ato që mjekësia njeh tashmë. Prekja e cipave të zemrës që quhet perikardi, në faza të ndryshme është pasojë e koronavirusit që mbushin këto me likuide. Agresiviteti i veprimtarisë së virusit bën që kjo anomali të përkeqësohet seriozisht duke rrezikuar jetën e pacientit në rast se trajtimi është i pamjaftueshëm ose jo efikas, si në rastin e betejës me SarsCoV2.
Sipas një Raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pacientët me hipertension dhe sëmundje kardiovaskulare duket se kanë një shkallë të vdekshmërisë 2-3 herë më të lartë, se pjesa tjetër e atyre që përballen me koronavirusin. Raportet e fundit për miokarditin e rëndë dhe aritmitë fatale të pacientëve të prekur janë dëshmi për ndikimin e mundshëm e kritik të koronavirusit në sistemin kardiovaskular. Përveç kësaj, ka prova që koronaviruset mund të udhëtojnë në mënyrë retrograde nga mushkëritë në qendrën kardiorespiratore dhe në sistemin trunor përmes sinapseve neuronale, duke kontribuar kështu në shfaqjen e insuficiencës respiratorë ose në vështirësi në frymëmarrje. Kjo panoramë e zymtë nuk është vetëm shkalla e lartë e rrezikut por edhe përgjegjësia më e madhe e mjekëve për të zhvilluar një luftë pa kompormos me këtë vrasës të pamëshirshëm.
Cilat janë ato tipare, të cilat do të specifikonit si të panjohura me të cilat na ka ballafaquar COVID-19?
E reja dhe befasuese, me të cilën jemi përballur nga ky sulm viral janë trobozat në arterie të ndryshme të trupit të njeriut, po ashtu edhe në arteriet pulmunale (trombozat pleurale) por edhe në pjesë të tjera që mendohet se çrregullon zinxhirin e koagulimit të gjakut apo dëmton endotelin e arterieve (pjesa e brendshme) dhe nuk shfaqet në sistemin venoz. Të gjithë këto bëjnë që ky koronavirus të jetë agresiv dhe shumë i rrezikshëm për pacientët dhe sfidues për komunitetin e shkencëtarëve, jo vetëm atyre që po punojnë për krijimin e një vaksine, por edhe atyre që po përpiqen të sqarojnë enigmat e rrezikut, me të cilat ky virus.
Të gjithë këto dyshime pritet të marrin shpjegim të vërtetë në të ardhmen e afërt shpresoj. Na mbetet të presim sepse duhet të rishikohet mjekimi edhe në antikoagulante (kundër mpiksjes se gjakut). Te gjitha këto që parashtruam janë përgjithësime të nxjerra nga botime të autoriteteve botërore të shëndetit, sfidave me të cilat ata janë ballafaquar dhe zbërthimit të enigmave të shumta që koronavirus ka parashtruar për zgjidhje.
Cila do të ishte këshilla qe do të jepnit pacientëve tuaj dhe të gjithë atyre që vuajnë nga problemet me zemrën?
Vijimi i respektimit me rigorozitet i të gjitha masave parandaluese, edhe pse situata duket dimi më e qetë dhe më e keqja është minimizuar. Te vlerësohet zbatimi i distancimit social dhe kujdesi i shtuar për një trajtim ushqimor të shëndetshëm, trajtim i cili përmbush nevojat dhe ruan balancën. Aktiviteti fizik dhe frekuentimi i vendeve me ajër të pastër është një sugjerim qe duhet marrë në konsideratë nga të gjithë. Besoj se do të ishte me rëndësi analizat dhe vizitat te kardiologu, në mënyrë që të krijohet një perspektivë e qartë e situatës aktuale, në të cilën ata ndodhen pas kësaj stuhie.
Discussion about this post