Nga Albert Vataj
Ajo është tronditëse në aktin sublim të puthjes fatale që josh dhe ndëshkon. Dëshirimi e thërret aq fuqishëm përjetimin sa përjashton forcën e çdo ligjësi të epjes. Kjo tablo nuk orvatet të rrëfejë thjesht një ngjarje, por të mishërojë një mit, frikë dhe dëshirë që i përket kujtesës kolektive të njerëzimit. E tillë është “Le Baiser de la Sirène” (Puthja e Sirenës), një nga veprat më të njohura të piktorit austriak Gustav Wertheimer, ku bukuria dhe vdekja bashkohen në një çast të vetëm, të ngrirë përgjithmonë mbi telajo.
Vepra origjinale u ekspozua në Sallonin e Parisit në vitin 1882, pikërisht në vitin kur Wertheimer u vendos në kryeqytetin francez. Sot kjo pikturë monumentale ruhet në Muzeun e Artit të Indianapolis në Shtetet e Bashkuara, si një nga krijimet më përfaqësuese të imagjinatës simboliste të fundit të shekullit XIX.
Gustav Wertheimer lindi në Vjenë, më 28 janar 1847, dhe u formua artistikisht pranë mjeshtërve Carl Mayer dhe Joseph von Führich në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës (1863–1867), përpara se të vazhdonte studimet në Akademinë e Mynihut nën drejtimin e Wilhelm von Dietz. Ky formim akademik, i ndërthurur me prirjen e tij drejt fantazisë poetike, i dha veprës së tij një karakter krejt të veçantë.

Siç thekson Fjalori Bénézit, kompozimet e Wertheimerit zhvillohen në një univers ku realiteti dhe ëndrra bashkëjetojnë. Personazhet e tij lëvizin në hapësira të mbushura me ankth, mister dhe parandjenja tragjike, sikur t’i përkisnin një bote ku kufijtë mes jetës dhe vdekjes, dëshirës dhe humbjes, janë bërë të padallueshëm. Pikërisht këtë atmosferë e mishëron në mënyrë të përsosur “Puthja e Sirenës”.
Versioni vertikal që shohim këtu nuk është piktura e parë, por një variant i mëvonshëm, i ekspozuar në Paris në vitin 1900. Në këtë kompozim artisti e ngjesh edhe më shumë dramën. Një marinar përkulet mbi parmakun e anijes, i pushtuar nga magjia e një sirene, e cila ngrihet nga thellësitë e detit për ta përqafuar. Trupi i saj, i bardhë si alabastri, shkrihet me shkumën e valëve, ndërsa flokët e artë përhapen mbi ujë si fijet e një rrjete të padukshme, që nuk lidh trupin, por vullnetin.
Gjithçka në tablo është lëvizje. Valët përplasen furishëm mbi anije, nata mbështjell horizontin, drita e zbehtë e fenerëve lufton më kot me errësirën, ndërsa puthja bëhet qendra magnetike e gjithë kompozimit fatal. Nuk është një puthje dashurie, por një puthje që shënon kalimin nga bota e të gjallëve drejt humnerës, dorëzimi ndaj joshjes. Detari nuk po shpëton sirenën, ai vetë po rrëshqet drejt fatit të tij.
Në traditën mitologjike, sirena nuk është thjesht krijesë e bukur. Ajo është mishërimi i tundimit që i flet njeriut me zërin e dëshirës, për ta çuar më pas drejt shkatërrimit. Që nga Odiseja e Homerit e deri te arti simbolist i shekullit XIX, sirena përfaqëson atë forcë të parezistueshme që e bën njeriun të harrojë arsyen. Tek Wertheimer, ajo nuk këndon, mjafton puthja. Heshtja e saj është më e fuqishme se çdo melodi.
Kjo është arsyeja pse piktura nuk duhet parë vetëm si një ilustrim mitologjik. Ajo është një alegori e përhershme e natyrës njerëzore. Detari simbolizon njeriun që, edhe kur e di se po shkon drejt humbjes, nuk arrin t’i rezistojë bukurisë, pasionit apo ëndrrës që e thërret. Në këtë kuptim, sirena nuk është vetëm një qenie e detit, ajo është metafora e çdo tundimi që premton parajsën dhe fsheh tragjiken.
Nga pikëpamja artistike, vepra është një triumf i romantizmit të vonë dhe simbolizmit. Wertheimer ndërton një kontrast të jashtëzakonshëm midis dhunës së elementeve natyrore dhe qetësisë pothuajse hyjnore të trupit të sirenës. Uji është i tërbuar, qielli kërcënues, anija lëkundet në prag të katastrofës, ndërsa figura femërore mbetet e qetë, e ndriçuar dhe pothuajse jashtëtokësore. Pikërisht ky kundërvënie e bën skenën aq hipnotizuese.
Popullariteti i veprës ishte aq i madh, sa ajo u riprodhua edhe në pllaka porcelani nga prestigjiozja Königliche Porzellan-Manufaktur (KPM) e Berlinit, nën titujt “Kiss of the Wave” dhe “Kiss of the Siren”. Edhe sot këto riprodhime vazhdojnë të kërkohen nga koleksionistët dhe antikuarët, si dëshmi e ndikimit që kjo tablo ka ushtruar në kulturën vizuale evropiane.
Në fund, “Puthja e Sirenës” mbetet shumë më tepër se një skenë fantastike joshjeje pasioni. Është një meditim mbi kufirin e brishtë midis magjepsjes dhe humbjes, midis erosit dhe thanatosit, midis ëndrrës dhe shkatërrimit. Gustav Wertheimer nuk pikturoi thjesht një sirenë që josh një marinar, ai pikturoi dobësinë e përjetshme të njeriut përballë asaj bukurie që, pikërisht sepse është e paarritshme, bëhet edhe më e rrezikshme. Në këtë puthje nuk bashkohen dy trupa, por dy botë. Ajo e jetës dhe ajo e thellësive, prejnga pothuajse askush nuk kthehet.











