Albert Vataj
Gabriel François Doyen është një nga ata mjeshtër të pikturës franceze që mbetët për një kohë të gjatë i nënvlerësuar, megjithëse në veprën e tij përthithen tensionet estetike dhe etike të shekullit XVIII.
I lindur në Paris, ai hyri që herët në mjediset e Akademisë Mbretërore të Arteve dhe u formua nën kujdesin e Charles-André van Loo, një prej figurave më me ndikim të Rokokos franceze. Ky ndikim i hershëm i dha Doyen-it ndjeshmërinë për ngjyrat e buta, për kompozimet e mbushura me gjallëri dhe njëfarë elegance të pasura me detaj. Por formimi i tij nuk u mbyll këtu.
Si shumë artistë të brezit të tij, Doyen fitoi bursën prestigjioze të Akademisë dhe udhëtoi në Romë. Qëndrimi i tij në Itali ishte vendimtar. Aty u përball me trashëgiminë e Rilindjes dhe me barokun e madhërishëm të Rubens-it, Pietro da Cortona-s e Luca Giordano-s, por edhe me dramën morale të Poussin-it dhe të shkollës klasike franceze.
Ky bashkim ndikimesh do ta çonte drejt një gjuhe të re, ku emocioni dhe ideali moral bashkëjetonin.
Kur u kthye në Francë, rryma e Rokokos po humbiste fuqi. Franca ishte në prag të një kohe të trazuar, ku ideologjitë e Iluminizmit, Rousseau-ja, Montesquieu-ja dhe Voltaire-i e kishin përshkuar klimën kulturore. Në këtë atmosferë, Doyen-i filloi të ndërtojë kompozime me ton serioz, shpesh fetare ose historike, ku qëllimi nuk ishte vetëm të zbukuronte muret e salloneve, por të zgjonte ndërgjegjen e shikuesit.

Ai u largua nga frivoliteti i dekorativit dhe iu përkushtua patosit të temave madhore.
“Vdekja e Virxhinias”, një testament moral.
Kjo vepër e vitit 1756, e ekspozuar në Salonin e Parisit, mbetet kryevepra që e vendosi Doyen-in në panteonin e artit francez para-revolucionar. Duke marrë si subjekt një episod nga historia romake e Livit, ai paraqet momentin kur Virginius, një baba i dëshpëruar, vret të bijën për ta shpëtuar nga një magjistrat i korruptuar që donte ta përdhoste. Në këtë skenë tragjike, Doyen ndërthur dramën e trupave të lëvizur me patosin e një sakrifice të tmerrshme por të drejtë. Ngjyrat janë të pasura, drita e përqendruar thekson momentin e aktit moral, dhe figura e babait shfaqet si simbol i virtytit që sfidon pushtetin e shthurur.
Ky kompozim u pa jo thjesht si një ngjarje romake, por si një alegori e kohës, një thirrje për moral, për qëndresë ndaj tiranisë, një parathënie e vlerave që do të shpërthenin me Revolucionin Francez.
Edhe pse nuk ishte një revolucionar, Doyen kishte një ndjeshmëri të thellë për vlerat qytetare dhe për detyrimin moral të individit. Ai i shihte temat historike jo si dekorim, por si mësim për publikun. Kjo e afronte atë me Iluministët, me idetë e Rousseau-së për virtytin natyror dhe për tragjedinë që sjellin institucionet e korruptuara.

Revolucioni Francez e gjeti Doyen-in në një pozitë të brishtë. Ai zgjodhi të largohej dhe të pranojë thirrjen e Katerinës së Madhe të Rusisë, ku u bë piktor i oborrit perandorak. Në oborrin rus, Doyen nuk solli frivolitetin e modës franceze, por një etikë të artit që kishte në qendër virtytin, sakrificën dhe luftën morale. Ai punoi për dekorime monumentale dhe për vepra që përçonin seriozitetin e historisë, duke mbetur gjithmonë i lidhur me idealin e tij për një art që edukon.
Sot, Doyen shihet si një figurë kalimtare por thelbësore, një piktor që kapërceu kufijtë e Rokokos, që parapriu neoklasicizmin moral, dhe që la gjurmë të thella në mënyrën se si arti mund të jetë një akt ndërgjegjeje. Në punimet e tij ndihen ende tingujt e Rubens-it dhe Poussin-it, por mbi të gjitha ndihen ethet e një epoke që kërkonte të ribëhej mbi themele më të drejta e më të thella.
Në këtë mënyrë, Gabriel François Doyen mbetet një artist që nuk mjaftohet me bukurinë e sipërfaqes, ai kërkon të zgjojë shpirtin, të thërrasë në moral, dhe të dëshmojë se arti mund të jetë një fener në kohë të errëta.












