Albert Vataj
Lidhja e pazakontë mes aktores legjendare Marlene Dietrich dhe shkrimtarit amerikan Ernest Hemingway ishte ikonike. Miqësia, admirimi dhe një dashuri e pashprehur i bashkuan për vite me radhë, por jeta nuk u dha kurrë kohën dhe rrethanat që kjo ndjenjë të shndërrohej në një histori konvencionale dashurie.
Në kujtimet e saj, Dietrich e rrëfen këtë marrëdhënie me një sinqeritet prekës, duke dëshmuar se ndonjëherë dashuritë më të mëdha janë pikërisht ato që mbeten të papërmbushura.
“Gjatë gjithë jetës sime, dashuria fizike ka qenë pazgjidhshmërisht e lidhur me dashurinë ‘kokë e këmbë’, dhe kjo është arsyeja që nuk kam pasur kurrë eksperienca pa të nesërme. Dashuria ime me Hemingwayn nuk ishte një aventurë. Nuk qëndruam kurrë bashkë për një periudhë mjaftueshmërisht të gjatë në të njëjtin qytet dhe nuk ndodhi kurrë asgjë. Ose ai ishte me një grua të bukur, ose, kur ai ishte i lirë, unë isha e zënë, dhe kur isha unë e lirë, nuk ishte më ai…
Duke i urryer gjithmonë situatat e mjegullta dhe duke i qëndruar besnike bindjes sime për të respektuar ‘gruan tjetër’, kam takuar gjatë jetës shumë burra të mrekullueshëm, si një anije që kryqëzohet me një tjetër në natën e errët. Por mendoj se dashuria e tyre do të kishte zgjatur më shumë, sikur të kisha qenë një anije e ankoruar në portin e tyre.”
Në këto pak rreshta, Marlene Dietrich nuk flet vetëm për Hemingwayn. Ajo flet për mënyrën se si e kuptonte dashurinë, si një përkushtim të plotë, ku trupi dhe shpirti nuk mund të ndaheshin, ku pasioni nuk kishte kuptim pa ndjenjën dhe ku etika kishte po aq peshë sa dëshira. Metafora e anijeve që kryqëzohen në errësirë mbetet një nga figurat më të bukura për të përshkruar takimet e mëdha që fati i lejon vetëm për një çast, pa u dhënë mundësinë të bëhen një strehë e përhershme për njëra-tjetrën.
Përgatiti: Albert Vataj See less











