Albert Vataj
Në një botë që na mëson të kërkojmë dritën për të kuptuar jetën, një zbulim i fundit nga thellësitë e Oqeanit Paqësor, na detyron të rishkruajmë mitologjinë shkencore të ekzistencës. Gati katër kilometra nën sipërfaqe, në një krahinë të largët të quajtur Zona Clarion-Clipperton (CCZ), shkencëtarët kanë zbuluar një formë misterioze të oksigjenit, të cilën e kanë quajtur “oksigjeni i errët”. Një oksigjen që lind jo nga dielli, jo nga fotosinteza, por nga errësira, nga ajo thellësi ku vetë drita zbret për të vdekur.
Ky fenomen, i ngërthyer mistershëm me habi dhe ndjesi fillestare, buron nga nyje të vogla polimetalike të shpërndara në shtratin e detit, objekte gjeologjike që ngjajnë me gurë të heshtur, por që brenda vetes fshehin dinamika të papritura. Ato përmbajnë elementë të çmuar si nikeli dhe kobalti, por më e çmuar se metali duket të jetë aftësia e tyre për të gjeneruar një rrymë të lehtë elektrike, sa për të ndarë molekulat e ujit në oksigjen dhe hidrogjen, pa asnjë ndihmë nga drita e diellit.
Në këtë akt të vogël, thuajse të përulët, qëndron një revolucion, një mënyrë e re e krijimit të jetës, një shteg tjetër drejt frymës që nuk vjen nga qielli, por nga toka, nga thellësitë e errëta dhe trysni të dhunshme. Ky zbulim ngre pyetje që përflakin në një dritë të re të shpërthiqtë drite të mistershme, si shkencën, ashtu edhe filozofinë. A mund të ketë lindur jeta në errësirë, shumë përpara se drita të kuptohej si themel i saj? A është kjo frymëmarrja më e vjetër e Tokës, një gjurmë e një jete që nuk u pa kurrë nga sipërfaqja?
“Oksigjeni i errët” është më shumë se një kuriozitet laboratorik. Ai është një kujtesë e fuqishme se gjithçka që dimë mund të sfidohet, dhe se ajo që nuk shohim nuk është më pak e rëndësishme se ajo që ndriçojmë me mendjen tonë dhe fuqinë e zotërimit të së panjohurës.
Në kohën kur njerëzimi po i drejton sytë nga fundet e oqeaneve për të nxjerrë metalet kritike që ushqejnë teknologjitë e reja, minierat në det të thellë përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për këto procese të panjohura, për këto ekosisteme që ndoshta janë themeli i vetë historisë sonë biologjike.
Ndërhyrja njerëzore, edhe kur ka qëllime zhvillimi, mbart brenda vetes një rrezik të dytë, harresën. Të mos dish është gjysma e padijes; por të shkatërrosh pa e ditur çfarë, është tragjedia e vetëdijshme e njerëzimit. E pikërisht për këtë arsye, “oksigjeni i errët” nuk është thjesht një zbulim shkencor, por një apel, një frymë që ngjitet nga thellësitë për të na kujtuar se toka ende mban sekrete që s’duhet t’i prekim, por t’i dëgjojmë.
Në fund të fundit, ndoshta jeta nuk nisi në dritë. Ndoshta nisi në heshtje, në errësirë, në rryma të papërceptueshme që ndanin ujin në përbërësit e vet fillestarë, duke pritur që një ditë, dikush të mbërrinte atje, jo për të marrë, por për të mësuar.










