Albert Vataj
Ekziston një paradoks i çuditshëm në zemër të ekzistencës njerëzore, të gjithë jetojmë në të njëjtën kohë, por asnjëri prej nesh nuk e përjeton atë njëlloj. Ora tik-takton me të njëjtin ritëm për fëmijën që luan dhe për të moshuarin që vdes, për të burgosurin që sfidon gravitetin e munguar të dominimit dhe për të lirin që rreket të shtyti tej caqet e hapësirës, për zemrën e gëzuar që ngazëllehet dhe për atë të thyer që mbledh copëzat e shpërbërjes. Dhe megjithatë, koha duket si univers i ndryshëm për secilin prej nesh, sepse jemi ne koha si përkatësi e hapësirës dhe matshmërisë.
Pikërisht këtë të vërtetë të thellë e shprehu me një elegancë mahnitëse poeti dhe teologu amerikan, Henry Van Dyke, jo me argumenta filozofike, jo me teorema, por me pesë portrete të thjeshta njerëzore që bashkërisht formojnë një mozaik të plotë të shpirtit njerëzor.
Sipas tij: “Koha është tmerrësisht e ngadaltë për ata që presin…”
Kush e ka njohur pritjen e vërtetë, e njeh edhe këtë lloj torture të butë, të heshtur. Nuk është vuajtja e plagës, është vuajtja e pritjes së shërimit. Nuk është dhimbja e humbjes, është dhimbja e pasigurisë nëse do të kthehesh ta gjesh atë që ke lënë.
Minutat e pritjes nuk rrjedhin, ato zvarriten. Orët ngjajnë me ditë dhe ditët me javë. Sytë nguliten vazhdimisht nga ora, por shigjetat duken si të ngrira, sikur edhe ato vetë kanë lodhur duke lëvizur përpara. Dhoma bëhet e ngushtë. Ajri bëhet i rëndë. Mendja fillon të luajë lojëra mizore, të ushqen me skenarë, me dyshime, me imazhe që nuk ekzistojnë ende.
Van Dyke nuk thotë se pritja është e lodhshme, thotë se është e tmerrshme. Dhe ka arsye. Sepse tmerri i pritjes nuk vjen nga e keqja e sigurt, vjen nga e panjohura. Njeriu mund të durojë dhimbjen kur e di sa do të zgjasë. Por pafundësia e pritjes, ajo është barrë pa peshë të matur, uri pa të ditur kur vjen buka.
Sepse ajo, koha, “…vërshon me shpejtësi marramendëse për ata që kanë frikë…”
Frika ka një marrëdhënie çuditërisht paradoksale me kohën. Ndryshe nga pritja që e ngrin kohën, frika e përshpejton atë deri në pakontrollueshmëri. Dita kalon si shigjeta. Java zhduket. Muajt ikin si re të shtyrë nga era.
Por kjo shpejtësi nuk është lumturi, është tjetër formë agonie. Ai që ka frikë nga sëmundja, sheh kalendarin si armik. Ai që ka frikë nga pleqëria, sheh pasqyrën si dëshmi të akuzës. Ai që ka frikë nga e ardhmja, sheh çdo perëndim dielli si një ditë më pak.
Koha “vërshon”, Van Dyke e zgjedh këtë fjalë me kujdes. Jo ecën, jo kalon, vërshon, si uji i lumit pas shirave, i pakontrollueshëm, i pandalshëm, që merr me vete gjithçka pa pyetur. Dhe pikërisht kjo pamundësi kontrolli është esenca e frikës. Njeriu i frikësuar nuk mundet ta ndalojë kohën, mund vetëm ta shikojë si i merr gjithçka.
Po, kjo “…është natë e gjatë kapluar dhimbjesh shpirti për ata që janë të pikëlluar…”
Ky portret është ndoshta më njerëzori, ai që ndjen çdokush prej nesh në ndonjë çast të jetës. Pikëllimi ka kohën e vet, një kohë jashtë çdo matjeje racionale, jashtë çdo orare.
Van Dyke zgjedh metaforën e natës, jo rastësisht. Nata nuk është vetëm errësirë fizike. Nata e pikëllimit është ajo gjendje kur bota vazhdon të sillet normalisht rreth teje, por ti nuk je pjesë e saj. Njerëzit flasin, qeshin, ecin, dhe ti i sheh nga larg, nga ana tjetër e një xhami transparent, i ndarë nga jeta e zakonshme nga një dhimbje që të bën të duket gjithçka tjetër e pavërteta.
Dhe ajo natë “kaplon”, mbështjell, shtyn, mbulon gjithçka. Nuk ka agim të dukshëm. Nuk ka orë të sigurt kur do të mbarojë. Pikëllimi i madh nuk njeh orar, mund të bie mbi ty në mesditë dhe ta shndërrojë atë në mesnatë. Mund të zgjohet me ty çdo mëngjes dhe të jetë e para gjë që gjen kur hap sytë.
Por edhe në këtë portret të errët, Van Dyke fsheh një të vërtetë shpresëdhënëse, sipas tij nata, sado e gjatë, nuk zgjat përjetë. Çdo natë ka agimin e vet.
Sepse “…sa hap e mbyll sytë është për ata që lumturohen…”
Dhe pastaj, lumturia. E cila, si ironi e jetës, e vjedh kohën në mënyrën më të ëmbël. Çasti i gëzimit nuk pyet, kalon. Dita e bukur mbaron para se ta kesh shijuar plotësisht. Mbrëmja e mirë zhduket pa lajmërim.
“Sa hap e mbyll sytë”, kjo shprehje mbart në vetvete një trishtim të lehtë, madje edhe brenda lumturisë. Sepse njeriu i lumtur, ndërsa qesh dhe ngrohet, ka diku në anë të ndërgjegjes një frikë, e di se kjo nuk do të zgjasë. E di se koha ia vjedh çastin pikërisht atëherë kur ai është në kulmin e tij.
Ky është mësuesi i madh i lumturisë, mos rri duke menduar dhe projektuar, se do ta shijosh nesër, shijoje tani, me të gjitha shqisat, me të gjithë vëmendjen, sepse “hap e mbyll sytë” ajo largohet dhe mbeten vetëm kujtimet.
Dhe, pse jo”… për të dashuruarit… koha është vetë përjetësia.”
Dhe këtu Van Dyke arrin kulmin e tij. Këtu fjalët ndalojnë pak, sepse ky pohim nuk ka nevojë për shumë shtjellim, ai ndihet para se të kuptohet mendërisht.
Dashuria e vërtetë e transformon kohën. Jo e ngrin, jo e përshpejton, e transformon atë. Çasti me personin e dashur nuk matet me orë, as nuk kalon shpejt, as nuk zvarritet. Ai thjesht ekziston, i plotë në vetvete, si një univers i vogël i pavarur nga rrjedha e zakonshme e sekondave dhe minutave.
Të dashuruarit jetojnë në një dimension tjetër kohor. Një mbrëmje e vetme me personin e duhur, mund të mbajë brenda vetes më shumë kuptim, se vite të tëra të kaluara pa ndjesi. Kujtimet e dashurisë nuk plaken, ato ruajnë gjallërinë e momentit, si insekti i ruajtur në qelibar, i pandryshuar nga kalimi i mijëvjeçarëve.
Por Van Dyke shkon edhe më tej, ai nuk thotë se koha e dashurisë duket si përjetësi. Thotë se është përjetësi. Dashuria e vërtetë e kapërcen kohën biologjike, mbijeton trupin, mbijeton largësinë, mbijeton vetë vdekjen. Sa njerëz kanë vdekur por dashuria e tyre jeton ende, në fëmijët, në veprat, në kujtimet e atyre që i kanë njohur?
Çka na mëson Van Dyke, në fund të fundit?
Se koha nuk është problem fizike, është gjendje shpirtërore. Se ne nuk jetojmë në kohën e orës, por në kohën e zemrës. Se i njëjti çast mund të jetë ferr dhe parajsë njëkohësisht, varësisht se kush je, çfarë ndjen, dhe ku i ke mendjen.
Dhe ndoshta, mbi të gjitha, na mëson diçka të çmuar, se nëse dëshiron ta ndryshosh marrëdhënien me kohën, ndryshoje marrëdhënien me veten. Mos prit me ankth, prit me besim. Mos ki frikë nga e ardhmja, ji i pranishëm në të tashmen. Mos u mbaj pas dhimbjes, lëre natën të kalojë. Shijo lumturinë, tani, jo nesër. Dhe mbi të gjitha, dashuro.
Sepse vetëm në dashuri koha bëhet miku yt i vërtetë, dhe çdo çast bëhet i pavdekshëm.
“Koha është tmerrësisht e ngadaltë për ata që presin, vërshon me shpejtësi marramendëse për ata që kanë frikë, është natë e gjatë kapluar dhimbjesh shpirti për ata që janë të pikëlluar, sa hap e mbyll sytë është për ata që lumturohen, por për të dashuruarit… koha është vetë përjetësia.”










