Albert Vataj
Një ngjarje që nuk është thjesht përkujtim, por një rikthim i thellë në kujtesën shpirtërore dhe identitare të Shqipnisë. 130-vjetori i shpalljes së Nanës së Këshillit të Mirë si Pajtore e vendit tonë merr kështu përmasat e një akti që bashkon besimin, historinë dhe ndërgjegjen kulturore.

Mesha solemne në Bazilika e Zojës së Shkodrës, e udhëhequr nga Hiresia e Tij, Rolandas Makrickas, nuk është vetëm një kremtim liturgjik, por një moment përulësie dhe reflektimi përpara një figure që ka qenë ndër shekuj strehë shprese për shqiptarët.
Por ajo që i jep kësaj dite një dritë të veçantë është ekspozita, një dëshmi e gjallë se si historia shpesh mbijeton në heshtje, derisa vjen çasti i saj për t’u rrëfyer. Rrobat kombëtare të Nënë Tereza, të ruajtura me përkushtim në arkiva, janë më shumë se një objekt, ato janë një relike identiteti, një lidhje e prekshme mes rrënjës familjare dhe përmasës universale që ajo përfaqëson.

Rrëfimi i ruajtjes së kësaj veshjeje, nga duart e heshtura të arkivistëve e studiuesve, deri te rikthimi i saj në dritë falë kërkimit shkencor, çështë një histori që flet për përgjegjësi, përkushtim dhe guxim intelektual. Është dëshmi se kujtesa nuk është vetëm çfarë ruajmë, por edhe çfarë vendosim të zbulojmë.
Mirënjohje e veçantë për të gjithë ata që bënë të mundur këtë ekspozitë, duke dëshmuar se kur përkushtimi bashkohet me dashurinë për trashëgiminë, lindin vepra që i shërbejnë jo vetëm së tashmes, por edhe së ardhmes.
Një ftesë e hapur për të gjithë: mos e humbni këtë mundësi. Nuk është vetëm një vizitë, është një takim me shpirtin e një historie që ende flet.

Me rastin e 130-vjetorit të shpalljes së Nanës së Këshillit të Mirë si “Pajtore e Shqipnisë”, në Bazilikën e Zojës së Shkodrës ka me u mbajt një meshë solemne, e udhëhequn prej Kardinalit të Bazilikës Santa Maria Maggiore, Hiresia e Tij, Rolandas Makrickas.
Me këtë rast ka me u ba edhe inaugurimi i nji ekspozite të veçantë, ku për herë të parë dalin para publikut disa objekte me randësi të madhe. Ndër to, veçanërisht spikasin rrobat kombtare të Nanë Terezës, të cilat, për nji rastësi të bukur, pata mundësinë me i hasë në Arkivin e Institutit të Antropologjisë, ku janë ruejtë prej vitesh.
Për tanë ata që janë kureshtarë me e ditë ma shumë rreth historisë së tyne dhe mënyrës si janë ruejtë, ju ftoj me lexu tekstin përkatës, si vijon.
“Ndryshimi i sistemit pas vitit 1991 nxori në dritë edhe historinë e kësaj veshjeje, si një nevojë për të treguar të vërtetën, si nga ata që e ruajtën me kujdes këtë trashëgimi, ashtu edhe përmes angazhimit kërkimor të profesoreshë Afërdita Onuzit.
Punonjësja e Arkivit, Pandora Plaku, dhe Rrok Zojzi, i cili në atë kohë ishte përgjegjës i Sektorit të Etnografisë, të dy figura të spikatura të institucionit, e njohin këtë histori si një sekret dhe e ruajtën atë mes tyre. Veshja u bë pjesë e Arkivit rreth viteve 1970, kur bashkëshorti i Marie Krajes e dorëzoi atë me qëllim që të ndihmonte financiarisht të afërmit e Nënë Terezës. Në atë kohë dihet se për Nënë Terezën nuk mund të flitej publikisht. Ishte Pandora Plaku ajo që ia përcolli këtë informacion profesoreshë Onuzit, duke i dhënë njëkohësisht edhe detaje mbi elementet e veshjes në fjalë, që shërbyen si udhërrëfyes për identifikimin e tyre. Imazhi fotografik në librin “Nëna e dashurisë” të Dom Lush Gjergjit, ku Nënë Tereza shfaqet së bashku me motrën e saj Agen, dëshmon gjithashtu përdorimin e kësaj tipologjie veshjeje nga vajzat e familjes.
Kontributi i profesoreshë Onuzit qëndron në rikthimin e këtij objekti në diskursin shkencor, duke e trajtuar atë si dëshmi të ndërthurjes së identitetit familjar me atë kolektiv.”
Për realizimin e kësaj ekspozite i jam falenderues Dom Artur Jaku falë të cilit u ba e mundur çdo gja, si dhe bashkëpunëtorëve të tjerë Zef Çuni Pjerin Mirdita Kole Guraziu Ols Lelaj, Luli Ndreu dhe gjithë të rinjëve të tjerë të kishës.











