Nga Albert Vataj
Marcel Proust, ky anatomist i imët i shpirtit njerëzor, na mëson se lumturia nuk është një gjendje që e zotërojmë, por një horizont që zhvendoset sa herë mendojmë se po i afrohemi. Në thelbin e meditimit të tij qëndron ideja se njeriu është i destinuar të zhgënjehet nga vetë natyra e tij: ne nuk dimë të duam atë që kemi, sepse zemra e njeriut është një mekanizëm që modifikon dëshirat më shpejt sesa jeta arrin t’i plotësojë ato.
“Lumturia nuk mund të vijë kurrë. Edhe kur rrethanat janë kapërcyer, natyra e çon luftën nga jashtë brenda dhe, pak nga pak, e ndryshon zemrën tonë aq sa të dëshirojmë diçka tjetër nga ajo që i është dhënë të zotërojë…”
Ky është fataliteti i natyrës njerëzore sipas Proustit, njeriu përjeton përjetësisht fatin e emigrantit të brendshëm, që shtëpinë e lumturisë e ka gjithnjë diku tjetër. Edhe kur rrethanat përputhen, edhe kur pengesat e jashtme bien një nga një, natyra na ndëshkon me ndryshimin tonë të brendshëm. Zemra jonë ndryshon dëshirë, synim, ideal, dhe lumturia që sapo dukej e arritur, kthehet në një objekt të boshatisur nga magjia e dikurshme.
Proust shkon më tej: edhe nëse realiteti nuk arrin ta pengojë lumturinë, natyra na vë përballë një pengese më të pamposhtur, psikologjinë tonë. Ajo futet tinëzisht në çarjet e ndërgjegjes dhe na bind se ajo që kemi nuk mjafton më. Dhe kur më në fund e arrijmë atë që deshëm, natyra e përdor vetë zotërimin si mjet rrëzimi. Lumturia, për Proustin, nuk zhduket sepse nuk arrihet, por sepse brenda nesh nuk ekziston aftësia për ta mbajtur.
Por, megjithë këtë logjikë që tingëllon gati mizore, asnjeri prej nesh nuk e ka të ndaluar të kërkojë lumturinë. Fataliteti proustian nuk duhet të na paralizojë. Përkundrazi, ai na vetëdijëson se lumturia është një proces, jo një destinacion; një gjendje që lind nga vetë përpjekja për ta merituar, jo nga rrethanat që e sjellin gjoja si dhuratë.
Prandaj, edhe pse natyra na sfidon me ligjet e saj të padukshme, të pamëshirshme dhe ngulmimtare, njeriu vazhdon të sfidojë natyrën me këmbënguljen e tij për të qenë i lumtur. Ky akt sfide është vetë dinjiteti ynë. Lumturia nuk është çmim që merret, por akt rebelimi që kryhet çdo ditë, kundër zhgënjimeve, kundër frikës, kundër padurimit, kundër natyrës që na ndryshon brenda vetes.
Dhe kështu, pavarësisht se Prousti na e çarmatos ëndrrën, ai njëkohësisht na mëson se të jesh i lumtur është një akt i ndërgjegjshëm dhe i vështirë, por i mundur. Sepse lumturia nuk është një gjendje e dhënë, është një vendim që njeriu e rinovon në heshtjen e vetes, përballë natyrës që e sfidon.











