Albert Vataj
Në këtë fotografi ikonike, Albert Ajnshtajn shihet duke luajtur në violinë, një instrument që nuk është thjesht një mjet muzikor, por një pasqyrë e shpirtit të tij. Kjo violinë u shit në mars 2018 për vlerën e jashtëzakonshme prej 516,500 dollarësh në shtëpinë e ankandit Bonhams, me bazë në Nju Jork. Instrumenti, i cili thuhet se i’u dhurua fizikantit në vitin 1933 nga Oscar Steger, anëtar i Orkestrës Simfonike të Harrisburgut, kushtoi më shumë se tre herë çmimin e vlerësuar.
Steger e krijoi violinën me dorën e tij dhe e gdhendi këtë dedikim:
“Profesori i shkencëtarit më të madh, Albert Ajnshtajn, i krijuar për botët nga Oscar H. Steger, shkurt 1933 / Harrisburg, PA.”
Më vonë, ndërsa punonte në Universitetin Princeton, Ajnshtajni ia dhuroi instrumentin djalit të Sylas Hibbs, portier në shkollë, dhe që nga ajo kohë ajo mbeti në familjen Hibbs, një kujtesë e gjallë e lidhjes së tij intime me muzikën.

Gjenitë shpesh na befasojnë jo vetëm me arritjet e tyre intelektuale, por edhe me pasionet e tyre të fshehura, me atë shpirtshmëri që shkund botën e të tjerëve dhe i bën të prehen natyrshëm në harmoninë e tingujve. Në këtë kontekst, Albert Ajnshtajn, fitues i Çmimit Nobel dhe zhvillues i teorisë së relativitetit, është shembulli më tipik. Në thellësinë e tij shpirtërore, nuk ka vetëm shifra dhe formula, por edhe një sens të brendshëm muzikor që lidhet me jetën dhe mendimin.
Thuhet se pasioni i tij për muzikën ishte trashëguar nga nëna e tij, një pianiste e talentuar. Në një nga ditarët e tij, Ajnshtajn shkroi:
“Nëse nuk do të isha bërë fizikant, me patjetër do të isha një muzikant. Sepse unë shpesh mendoj me muzikë. Unë i jetoj ëndrrat e mia me muzikë. Unë e shoh jetën time në aspektin muzikor… Prej të gjithë momenteve të hareshme, më shumë gëzim në jetë kam marrë nga muzika.”
Ajnshtajn luante violinë dhe shpesh dhuronte recitale private për miqtë dhe familjen. Që nga mosha 13-vjeçare, ai ishte një adhurues i veçantë i sonatave të Mozartit dhe studionte kompozimet në mënyrë autodidakte, pa ndihmën e mësimeve formale. Muzika nuk ishte thjesht një argëtim për të; ajo ishte një mënyrë për të menduar, për të ndjerë dhe për të reflektuar mbi botën — një dimension që i dha gjenisë së tij një thellësi të veçantë.
Në fund, Ajnshtajn nuk është vetëm fizikanti që ndryshoi kuptimin e universit; ai është edhe muzikanti që na kujton se shkenca dhe arti nuk janë kundërshtarë, por dy gjuhë të së njëjtës shpirtërim njerëzor.