Figura e Dante Aligierit (1265–1321), poetit të madh italian dhe autorit të pavdekshëm të “Komedisë Hyjnore”, është një nga kulmet e kulturës evropiane dhe të mendimit njerëzor. Përveç madhështisë së poezisë së tij, jeta e Dantes është e mbushur me anekdota që zbulojnë kthjelltësinë e mendjes, humorin e hollë dhe karakterin e tij të pathyeshëm përballë sfidave të kohës. Këto copëza të ruajtura nga kronikat e vjetra nuk janë thjesht tregime argëtuese, por dritare të vogla që na lënë të shohim njeriun pas poetit, shpirtin pas vargut.
POETI DHE GAZTORI
Një gaztor i oborrit princëror, duke mos ia duruar madhështinë shpirtërore të poetit, iu drejtua Dantes me ironi:
– Si ka mundësi që ti, një njeri kaq i ditur e i lavdishëm, je i varfër, ndërsa unë, kaq i paditur dhe i marrë, jam i pasur?
Dante, me kthjelltësi dhe mençuri, iu përgjigj:
– Unë do të bëhem i pasur atë ditë kur të gjej një njeri të ngjashëm me karakterin tim, ashtu siç u bëre ti i pasur, duke gjetur një njeri me karakterin tënd.
DANTE NË KISHË
Kronistët tregojnë se një ditë, gjatë meshës, Dante nuk u përkul në gjunjë dhe nuk e hoqi kapuçin nga koka. Keqdashësit, duke kërkuar ta cenojnë, e akuzuan tek peshkopi për mosrespekt.
I thirrur për t’u dhënë llogari, poeti u përgjigj me qetësi:
– Në atë çast isha aq i përhumbur në mendimin e Zotit, saqë nuk e kuptova as ç’bënte trupi im. Ata që erdhën për të më akuzuar, në vend që të kishin mendjen te Zoti, merreshin me mua.
DANTE DHE KOVAÇI
Një ditë, duke kaluar nëpër rrugët e Firences, Dante dëgjoi një kovaç që, mes zhurmës së çekiçëve, recitonte vargje nga “Komedía Hyjnore”, por i shtrembëronte e i gjymtonte. Poeti, i thyer nga zemërimi, hyri në punishten e tij, mori çekiçin, daltën e veglat dhe i flaku në rrugë.
I hutuar, kovaçi i tha:
– Ç’bëni kështu, zotëri? Më shkatërroni punën!
Dante, pa u ndalur, ia ktheu:
– Ashtu siç ti shkatërrove veprën time, po ashtu unë po shkatërroj tënden.
USHQIMI I PREFERUAR I DANTES
Dante ishte i njohur për kujtesën e tij të jashtëzakonshme. Një ditë, një kalimtar e pyeti:
– Mjeshtër, cili është ushqimi më i mirë sipas jush?
– Një vezë, – iu përgjigj Dante prerazi.
Pas një viti, i njëjti kalimtar e takoi sërish dhe pa humbur kohë e vijoi pyetjen:
– Dhe si?
Dante buzëqeshi dhe tha:
– E zier, me kripë.
Këto anekdota, në pamje të parë të thjeshta, bartin një thellësi që shkon përtej ngjarjes. Ato na flasin për dinjitetin e mendimit përballë mjerimit të fatit, për përulësinë e shpirtit të përthithur nga Zoti, për krenarinë e poetit që mbron fjalën e vet, si dhe për kujtesën e jashtëzakonshme të një gjeniu. Dante nuk ishte vetëm arkitekti i një vepre monumentale; ai ishte edhe një njeri që dinte të përqeshte marrëzinë, të sfidonte mendjengushtësinë dhe të gdhendte në përditshmëri gjurmë po aq të thella sa vargjet e tij.
Në to shohim poetin që nuk i përkiste vetëm Firences së shekullit XIV, por i përket gjithmonë njerëzimit.