Kjo thënie, e ngjizur mes thjeshtësisë dhe thellësisë, ngërthen një filozofi të tërë mbi jetën dhe dinamikën e ekzistencës. Në të, Ajnshtajni përmbledh atë që do të mund ta quanim ligjin e pandalshmërisë së shpirtit krijues, qëndrueshmëria dhe përparimi lindin nga lëvizja, jo nga qëndrimi në vend.
Në vitet e hershme të shkollimit të tij në Universitetin Politeknik të Zyrihut dhe më pas gjatë qëndrimit në Mynih, Ajnshtajni gjeti te biçikleta jo vetëm një mjet lëvizjeje, por një formë të thellë meditimi në lëvizje. Ai dhe kolegë të tij, shpesh merrnin rrugët e fshatrave përreth, për të përjetuar natyrën, për të soditur paqe dhe për të zhvilluar ide. Ajnshtajni ishte thellësisht i magjepsur nga natyra, jo vetëm si objekt studimi fizik, por si burim frymëzimi shpirtëror dhe estetik.
Ishte pikërisht gjatë këtyre shëtitjeve që shpesh ndodhnin “Eureka!”-t e tij. Ndërsa pedalon, truri i tij ngas krijimtarinë në një tjetër ritëm, më spontan dhe më i thellë. Në lëvizje, mendimi lëviz me të, i pakufizuar, i lirë dhe i guximshëm.
Fotografia e famshme që e shfaq Ajnshtajnin mbi biçikletë është bërë më 6 shkurt 1933 në Santa Barbara, Kaliforni, në pronën e Institutit të Teknologjisë të Kalifornisë (Caltech), ku ai ndodhej si vizitor i ftuar. Ajo u realizua nga Ben Meyer, një mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë, ndërsa Ajnshtajni ndodhej në një çast të rrallë lumturie spontane. Portreti i tij, me flokët e shpupuritur dhe buzëqeshjen e tij fëmijërore, është bërë simbol i mendimtarit që nuk i ndau kurrë fëmijërinë nga shkenca, as gëzimin nga kërkimi.
Në një letër shoqëruese të vitit 1959, zonja Evelina Hale, e cila e kishte marrë fotografinë si dhuratë personale nga Meyer, ia dhuroi Arkivës së Caltech-it me një shënim të thjeshtë, por të ngarkuar me domethënie: “A mund [fotografia] të quhet dokumentare!”. Dhe në fakt, ajo është shumë më tepër se kaq, është një dëshmi e gjallë e natyrës njerëzore të një gjeniu, një moment modestie në madhështi.
Në atë imazh, mbi dy rrota të zakonshme, ne shohim një univers që ecën, një mendje që nuk ndalet, një zemër që rreh për lirinë e thjeshtësisë.
Përgatiti: Albert Vataj