Në historinë e artit dhe arkitekturës së lashtë, pak figura kanë mbartur me aq hijeshi dhe dinjitet një peshë kaq të rëndë – në kuptimin literal dhe simbolik – sa kariatidet. Ato nuk janë thjesht kolona me trajta njerëzore, por skulptura të gjalla që ngërthejnë brenda tyre përkushtimin, sakrificën dhe bukurinë e përjetshme të gruas në qytetërimin helen. Në një prej cepat më të qetë e më të rafinuar të Akropolit të Athinës, larg hijes monumentale të Partenonit, ngrihet Erekteioni – një tempull i veçantë në formë, funksion dhe ndjeshmëri – që ruan një nga thesaret më enigmatike të artit klasik: Verandën e Kariatidave. Këto figura femërore prej mermeri nuk mbështesin vetëm çatinë e një ndërtese të shenjtë, por edhe peshën e një simbolike të thellë që përfshin mitin, qytetin, virgjërinë, sakrificën dhe kujtesën kolektive.
Në veri të Partenonit, paksa në hije nga fama dhe madhështia e këtij tempulli dominues të Akropolit të Athinës, ndodhet Erekteioni, një ndërtesë e jashtëzakonshme për nga ndërtimi dhe simbolika, e cila krenohet me një nga hapësirat më unike të arkitekturës greke: Verandën e Kariatidave.
Gjashtë kolona monumentale në formën e grave mbështesin verandën jugore të tempullit që u ndërtua me urdhër të Perikliut, në vendin ku, sipas mitit, u zhvillua gara hyjnore mes Poseidonit dhe Athinës për patronazhin e qytetit. Këto figura femërore, të skalitura me mjeshtëri dhe imtësi të admirueshme, nuk ishin vendosur në hyrjen e tempullit, por në një skaj të fshehur nga sytë e publikut. Kjo e bën këtë ansambël jo vetëm një ndër krijimet më të bukura të artit grek, por edhe ndër më enigmatiket.
Gruaja si kolonë
Një kariatidë është një skulpturë e një figure femërore që vepron si kolonë ose mbështetje arkitekturore, zakonisht duke mbajtur mbi kokë pjesën e sipërme të ndërtesës (entablaturën). Ky motiv arkitektonik është përdorur që nga antikiteti në kultura të ndryshme të Mesdheut Lindor. Termi “kariatidë” rrjedh nga “vajzat e Karias”, një qytet në Peloponez, ku gratë e reja vallëzonin në nderim të perëndeshës Artemis Kariatida.
Sipas një miti tjetër, pas vdekjes së parakohshme të Karisë, vajzës së mbretit lakedemonian Dion, ajo u shndërrua në një pemë arre të fortë (carya në greqisht do të thotë “arrë”) nga i dashuri i saj, Dionisi. Prandaj, figura e gruas-kolonë u bë simbol i qëndrueshmërisë dhe elegancës, një zgjidhje arkitekturore e përdorur gjerësisht për bukurinë dhe simbolikën e saj.
Erekteioni – tempulli i tokës dhe mençurisë
Tempulli i Erekteionit, i ndërtuar në stilin jonik, i ishte kushtuar Erekteut, një mbret mitik i Athinës së lashtë. Ai u ndërtua ndërmjet viteve 421 dhe 406 p.e.s., gjatë një periudhe të ndërprerë nga armëpushimet e Luftës së Peloponezit. Ndërtimi ishte sfidues për shkak të terrenit të pjerrët të Akropolit. Portiku verior, për shembull, ishte ngritur mbi kolona të gjata për të kompensuar nivelin më të ulët të tokës, ndërsa Portiku i Kariatidave u ndërtua në anën jugore, duke u integruar në rrethimin e tempullit të vjetër të Athina Polias.
Kjo ndërtesë përbëhej nga disa njësi arkitektonike, të vendosura aty ku dikur ndodhej tempulli arkaik i Athinës, i shkatërruar nga persët në vitin 480 p.e.s. Sipas mitologjisë, pikërisht aty ndodhi përballja ndërmjet Poseidonit, që goditi shkëmbin me tridentin e tij duke krijuar një burim me ujë të kripur, dhe Athinës, e cila mbolli një ulli – dhuratë që simbolizonte paqen dhe begatinë. Fitorja e saj mbi Poseidonin i dha emrin qytetit.
Portiku i Kariatidave – gra që mbajnë qiellin
Veranda e famshme përbëhet nga gjashtë figura monumentale femërore të vendosura në mënyrë simetrike. Edhe pse sot shihen të ekspozuara hapur, fillimisht ky portik ndodhej brenda rrethimit të tempullit të vjetër, i mbështetur në murin jugor të Erekteionit. Nuk ishte portik i vërtetë, pasi nuk çonte në ndonjë hapësirë hyrëse – për këtë arsye, cilësohet si portik i rremë.
Kariatidet janë të larta rreth 2.28 metra dhe janë skalitur në mermerin e bardhë pentelik, të njëjtin material me të cilin u ndërtua gjithë Akropoli. Edhe pse nuk ishin të dukshme nga jashtë, ato përbëjnë elementin më të sofistikuar dhe mbresëlënës të tempullit. Përse atëherë ky përkushtim i jashtëzakonshëm artistik për një vend të fshehtë? Nuk ka një përgjigje përfundimtare, por disa teori sugjerojnë një lidhje me ndonjë ritual të shenjtë që zhvillohej në atë vend.
Bijat e Erekteut – virgjëresha të përjetshme
Sipas një legjende tragjike, mbreti Erekteu, për të shpëtuar qytetin nga një luftë e pashmangshme, iu drejtua orakullit të Delfit, i cili e këshilloi që të flijonte një nga bijat e tij. Kur ai kreu flijimin, motrat e vajzës së sakrifikuar – të betuara se nuk do ta mbijetonin – kryen vetëvrasje. Kështu, besohet se gjashtë kariatidet simbolizojnë këto gjashtë vajza të mbretit Erekteus, të nderuara si “parthenoi” (virgjëresha), dhe se portiku mund të ketë qenë një monument në kujtim të tyre.
Skulpturat, në kohën antike, ishin të lyer me ngjyra të ndezura. Në njërën dorë – sipas vendosjes, zakonisht të majtën – ato mbanin një shiale, një pjatë e cekët që përdorej për libacione. Megjithatë, as duart, as enët nuk janë ruajtur deri më sot.
Replika moderne dhe origjinale të çmuara
Skulpturat që sot qëndrojnë në vendndodhjen e tyre janë kopje moderne. Pesë nga origjinalet u transferuan në Muzeun e Akropolit në Athinë në vitet 1970 për t’u mbrojtur nga ndotja dhe erozioni. Aty ato janë ekspozuar në mënyrë që riprodhojnë vendosjen origjinale, si pjesë e një strukture të ngjashme me tetrastilën, një fasadë tempulli me katër kolona të zëvendësuara me figura femërore.
Figura e gjashtë, e njohur si “kariatida e mërguar”, ndodhet në Muzeun Britanik në Londër. Ajo u mor në fillim të shekullit XIX nga Lord Elgini, ambasador britanik në Perandorinë Osmane, i cili me leje nga sulltani transferoi në Angli dhjetëra fragmente skulpturore nga Akropoli, përfshirë frizat, timpanët dhe disa kolona të Partenonit. I gjithë ky koleksion u ble më pas nga shteti britanik dhe u vendos në Muzeun Britanik, ku ende sot mbetet një nga qendrat më të debatuara për kthimin e trashëgimisë kulturore në vendin e origjinës.
Shërbyese, hyjnesha apo mbretëresha të heshtura?
Edhe pse në vështrim të parë mund të duken si variacione të së njëjtës formë, kariatidet janë skulptura të pavarura dhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Në veshjen, qëndrimin dhe trajtimin e flokëve, ato paraqesin individualitet. Janë të veshura me peplos dorik prej leshi të trashë, i cili bie rëndë mbi trupin dhe në disa raste mbahet me rripa të gjerë në bel. Palat e rrobave modelohen me kujdes për të nxjerrë në pah lëvizjen dhe gjallërinë e figurës, ndërsa flokët e gërshetuar trashë, që bien mbi shpinë, nuk janë vetëm element zbukurues, por edhe strukturor – ndihmojnë në shpërndarjen e peshës së entablaturës mbi kokën e tyre.
Ato nuk janë vetëm elementë arkitektonikë. Janë imazhe të përjetësuara të përulësisë, sakrificës dhe forcës. Ato nuk mbështesin vetëm çatinë e një tempulli – por edhe kujtimin e një qytetërimi që vendosi të ngrejë gruan në panteonin e përjetësisë.
Përgatiti: Albert Vataj