Ka pamje që nuk kërkojnë fjalë për të rrëfyer dhimbjen që mbartin. Fotografia e një mali të tërë me gëzhoja artilerie, e shkrepur gjatë Betejës së Somme-s, është një dëshmi e tillë. Nuk është vetëm një grumbullim i ftohtë metali: është skulptura e tmerrit, silueta e heshtur e një tragjedie ku jeta u numërua me predha dhe vdekja me mijëra. Ajo që ngrihet përballë syve tanë është një memorial pa gurë, një epitaf pa fjalë për një milionë trupa që u përzien me baltën e Francës veriore, në një nga betejat më të përgjakshme të historisë njerëzore.
Pamja e grumbullit gjigand të gëzhojave në fotografinë e bashkëngjitur nuk është thjesht mbetje e luftës. Ajo është portreti i heshtur i një tragjedie industriale, ku vdekja prodhohej me ritme fabrikash dhe jeta shuhej me intensitetin e predhave. Kjo është fytyra e Betejës së Somme-s.
Ndër betejat më të mëdha dhe më të gjakosura të Luftës së Parë Botërore. Beteja e Somme-s u zhvillua nga 1 korriku deri më 18 nëntor 1916, në veriperëndim të Francës. Përballja ndodhi mes forcave të Britanisë së Madhe dhe Francës kundër ushtrisë gjermane.
Përpara nisjes së ofensivës, mbi 1.5 milion predha artilerie u hodhën kundër pozicioneve gjermane, me shpresën se do të shkatërroheshin mbrojtjet. Por, ajo që ndodhi ishte më shumë se sa shkatërrim: ishte fillimi i një masakre të pashoqe.
Mbi një milion ushtarë u vranë ose u plagosën gjatë betejës. Dita e parë, 1 korrik 1916, shënoi 57,000 viktima britanike, nga të cilët 19,000 humbën jetën brenda 24 orëve.
Ushtarët përballuan luftën e llogoreve, tokën e askujt, gazin helmues, dhe terrin e vazhdueshëm të artilerisë. Ishte një konflikt që, në vend të fitores, prodhoi zhgënjim dhe zbrazëti në shpirtin e një brezi të tërë.
Pamja e maleve të gëzhojave në fushën e betejës është rrëfimi pa fjalë i asaj që s’mund të përshkruhet dot.
“Çdo gëzhojë është një thirrje e heshtur për atë që nuk do të kthehet më.”
Ky mal metali është landskapi i dhimbjes, arti i zi i shfarosjes, një ekspozitë pa autor por me miliona viktima. Në baltën dhe heshtjen e asaj fushe, njerëzimi la jo thjesht trupat, por edhe idealet që përpiqej të mbronte.
Beteja e Somme-s nuk është thjesht një ngjarje historike; ajo është paralajmërimi për gjithë brezat. Esenca e saj është përmbledhur nga Wilfred Owen, poeti i rënë në luftë, kur shkruan:
“My subject is War, and the pity of War. The Poetry is in the pity.”
Somme është simboli i një epoke ku njeriu u bë makineri e vetshkatërimit. Dhe për aq kohë sa do ta kujtojmë, do të kemi shpresë se nuk do ta përserisim.
Ajo fushë e baltosur, ajo heshtje e kapluar nga gëzhojat e zbrazura, është historia jonë. Të kujtojmë nuk do të thotë thjesht të nderojmë të rënët, por të marrim përgjegjësi për mos-përseritjen e asaj tragjedie.
Përgatitur nga Albert Vataj