Nga Albert Vataj
Ti grua që je vetë shëmbëllimi i hirit të magjepsjes dhe adhurimit, ti që zbret nga qielli në trajtën e brishtë të shkujdesjes, beh në një çast, dhe ngas përmes joshjes, butësisë dhe dehjes, më të epshmet zjarre që flenë brenda nesh, si demonët që i zgjohen errësirave për të ndarë dritën në prizme e për t’i hedhur epjes një mantel me yje.
Çdo shkas në ty është një akt sublim krijimi. Beh prej dritimit të hënave që flaken shkumëzimit të valëve në breg. Në ty, në gjithë qenien tënde, ky është zgjimi i thellë i joshjes përmes tundimit. Po, është poleni i gjithë luleve që pikon e deh, mëkon e dalldis.
Ti grua që shkel me këmbët e tua mbi ëndrrat e mia.
Ti që troket dithërueshëm me trak-truk-un e takave që më therin deri në thellësi ku shpojnë ndijimet me ushta zjarri.
Nuk ke gajle se qiellin e paqes ku kllapitur jam pritjeve, mi thyen në njëmijë copa, sepse ti e di se për ty do t’i mbledh për të bërë të pashpërbëshmen hapësirë të pasioneve.
Më zgjon në padurimet e ëndjes dhe më përpin në mijëra trille, urtësisht të çmendura.
Ja, një çast që ti shkujdesesh pafajshëm e padrojshëm, ashtu hutueshëm, më zgjon nga përhumbja e me flak në zjarrin që ti ndez.
Hukasim, ngrohemi, digjemi, flakëve ngjyej dëshirimet e andjeve. I përpëlitim kurmet dhe në hi kërkojmë të rilindim si sfinks, të ribëjmë zjarret që na djegin e na dritin.
Një çast, vetëm një prej atyre shpërthimtareve të pafajshme, një çast shkujdesje që më mahnit e të dalldis në hir.
Ai, më josh e më tundon, më përgjërohet me vibrimet e shumësisë së aromave dhe ofsheve, kërkon të jepem si një procesioni të shenjtë blatimi. Duke më treguar se sikurse gjithësia lindi ekzistencën në një çast të vetëm, ashtu dhe dëshirimi më deh e më djeg me një shkrëndi të vetme shkujdesjeje.
Grua, me këmbët e tua trazon dëshirimet e mia, më prush e përpush në një çast si në njëmijë tundime.
U djegsh e u shkrumbofsh në gjithçka të kurmit tënd prej drite e reflektimi, ti që me një shkëndis të vetme hutimi e pafajësie. Zjarrin i vure Trojave të shpirtit tim, edhe pa qenë ti Helenë e unë Parid.
Ti grua që tundon e ngas me një shkujdesje, lejom të të adhuroj e të të dua, një çast sa për gjithë kohrat që ti mëkon e robëron me dehje e epsh.











