Nga Albert Vataj
Ji fëmijë në zemrën dhe duart e një gruaje, dhe… do të jesh gjithçka që ajo do, dhe do të kesh gjithçka që një grua është gati t’i japë një burri, si blatim të shenjtëruar në marrëdhënie dhe hyjnizim i larë me dritën rrezellitëse të mrekullimit.
Sepse, gruaja ka ardhur në botë, të jetë; po… duart që dalin nga thellësia e saj e qenies; për të shëruar çdo plagë dhe për të paqtuar çdo trazim; prehëri ku gjen prehje trupi dhe shpirti juaj, kurm ku ndezen zjarret e gjithë diejve të pasioneve dhe shuhen hënat e netëve vetmitare, ku koloviten çastet melankolike dhe prarojnë përhumbjet e tablove ku ploskojnë dritat e ngjyrshme të ëndërrimeve.
Kjo është gruaja, që është gati t’i jepët dashurisë si një akti sublim, si një komunikimi hyjnor që plotëson atë në misionin për të cilin ka ardhur në jetë, në përmbushjen e shenjtërimit të vetes në aktin e lartë të dhurimit dhe sakrificës.
Kjo grua, di dhe dëshiron të trajtojë një burrë si një fëmijë, nëse ky fëmijë dëshiron të rritet përmes duarve të saj, për t’u shndërruar në një burrë që del nga legjendat, një princ që mbruhet në historitë e trilleve idilike. I gjithë ku rrugëtim është një kolovitje fjalësh, këngësh, tingujsh, ngjyrash dhe betejash të ngadhënjimta, për të shkuar te një puthje, tek një pulitje buzësh që prish magjinë, te një prekje që shndërron një bish në një ëndërr që bëhet realitet, dhe një robinë që çel si një lule dehëse nga ferra e harlisur e nënshtrimit, për të mbërritur në përmbushjen e shpirtit të madh të gjithësisë.
Të gjithë burrat që pushtuan një grua, u ndjen fëmijë në zotërimn e saj dhe të botës ku hyjni e saj mrekulloi, sepse thellë te një grua është nëna që kthehet, është vetë magjia e krijimit që kurorëzohet në një sublimitet që e shenjtëron ndjenja dhe e përjetëson në magjepsje përjetimin.
Ti zgjidh se çfarë do të jesh në zotërimin e një gruaje, por mos harro se… ajo e ngjizi, e ushqeu, e rriti një fëmijë, për ta bërë burrë, nga trupi i saj, nga gjaku i saj, nga çdo nerv dhe përjetim, që atë e lartësoi në misioin e nënës, që ne, të mbetemi ende fëmijë në zemrën dhe duart e saj, që të dëshmojnë se sa zotërues është rritur burri brenda nesh dhe në cilat epje tretet në dritë kurmi i një gruaje.
Burrërinë, mund ta masësh vetëm në zjarrin që ndez bekimi dhe bukuria e një nëne, që në çdo ardhje e mbështjell kokën tënde me duart plot ledhatime, sytë prushur me lotë dhe buzet ndezur në puthje, ëndjet ngopur në dete dhe dëshirimet flakëruar në krahë qielli.
Ku është burri këtu?…
te ky fëmijë që dorëzohet dashurisë së saj dhe shkrihet në kraharorin plot kreshpërime gjinjsh, dhe… etjes për tu dehur dhe magjepsur në mekimin hyjnor të saj.











