Nga Albert Vataj
Në horizontin e arteve pamore bashkëkohore, Agim Sulaj ngrihet si një figurë e pakrahasueshme, një penel që ka kapërcyer kufijtë e vendlindjes për të hyrë në panteonin e artistëve me famë botërore. Ai është njëkohësisht piktor dhe karikaturist, një krijues që ka ditur të ndërthurë estetikën me ironinë, bukurinë me mesazhin, shprehjen e shpirtit me kumtin e ndërgjegjes.
Sulaj është artisti shqiptar me më shumë çmime ndërkombëtare të fituara në fushën e arteve pamore. Me mbi 250 çmime të dokumentuara në konkurse, bienale dhe ekspozita ndërkombëtare, ai ka vendosur një rekord të papërsëritshëm për artin shqiptar. Çmimi i Parë në Festivalin Ndërkombëtar të Karikaturës në Porto (Portugali), Çmimi i Parë në “World Press Cartoon”, një nga garat më prestigjioze të karikaturës editoriale, si dhe dhjetëra çmime të tjera në Kinë, SHBA, Kore të Jugut, Turqi, Itali, Belgjikë, Francë, Greqi, Kosovë, Serbi, Rumani, Poloni, Angli, dëshmojnë shtrirjen e gjerë të suksesit të tij. Italia është bërë shtëpia e tij krijuese, ku jo vetëm ka fituar konkurrime të shumta, por është edhe pjesë e jurive prestigjioze dhe një figurë e respektuar në ekspozitat elitare.
Piktura e Agim Sulajt është e ngarkuar me një realizëm poetik e hiperrealist, ku drita, ngjyra dhe detaji flasin për një mjeshtëri të rrënjosur në traditën klasike, por të ripërtërirë me një sensibilitet modern. Karikatura e tij, nga ana tjetër, është shndërruar në një gjuhë universale të ironisë së ndritur: një metaforë që shpërthen plagët e kohës, një pasqyrë që nxjerr në pah absurditetin, një thirrje që kërkon reagim. Ndryshe nga karikatura e zakonshme që mjaftohet me të qeshurën, Sulaj ndërton një gjuhë simbolike e cila mbart peshën e një ligjërimi të plotë estetik.
I lindur në Vlorë, Sulaj fitoi çmimin e tij të parë që në moshën 19-vjeçare, në konkursin e revistës “Hosteni”. Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë (1978–1985), ai nisi të shfaqej në skenën ndërkombëtare. Në vitin 1990, me veprën “Valixhja e emigrantit”, fitoi çmimin special në “Aydin Doğan International Cartoon Competition” në Ankara, një metaforë e fuqishme për fatin e emigrantit, temë që do ta shoqëronte gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Në vitet ’90 u vendos në Itali, ku ekspozitat në Rimini (1992), Brindisi (1993) dhe më tej në Europë e botë, i hapën dyert e suksesit. Sot, krijimtaria e tij udhëton nga kontinenti në kontinent, duke mbetur një urë që lidh Shqipërinë me botën.
Veprat e Sulajt nuk janë kurrë të heshtura. Ato pushtojnë emocionalisht, rrëzojnë përgjumjen dhe thërrasin ndërgjegjen. Ai trajton plagët e njeriut modern: mërgimin, dhimbjen, ikjet, lotët, fyerjet, poshtërimet, por edhe nostalgjinë e fëmijërisë, mallin e vendlindjes, kujtimet që fisnikërojnë, sikurse është edhe një zë çështjeve globale të ambientalizmit, migrimit, por edhe thirrje për rizgjim të historisë kombëtare shqiptare përmes krijimit të veprave me tematika të kulmimeve të ngjarjeve dhe personazheve që përbëjnë rrugëtimin tonë në histori. Në pikturat dhe karikaturat e tij, çdo element, qoftë një valixhe e braktisur, një fëmijë që loz, një fytyrë e rrudhur, një simbol universal, bëhet gjuhë që përkthehet nga këdo, kudo.
Karikaturat e tij nuk janë thjesht vizatime satirike: ato janë një “ligjërim i heshtur” më i fuqishëm se çdo fjalim. Ai përdor ironinë për të nxitur ndërgjegjen, jo për ta mpirë atë. Sulaj i bën thirrje shpirtit njerëzor që të reagojë, të marrë përgjegjësi, të mos pajtohet me padrejtësinë. Arti i tij është një “kambanë estetike” që kumbon njëkohësisht me bukuri dhe revoltë.
Galeria e tij është ndër më të pasurat në artin grafik shqiptar dhe ndërkombëtar. Prej figurave historike te fëmijëria e risjellë me hollësi, prej plagës së refugjatit te ironia e groteskut politik, krijimtaria e tij është e gjerë dhe e gjithanshme. Vepra e Agim Sulajt është një enciklopedi vizuale e njeriut dhe kohës sonë, ku secili gjen veten: qoftë si dëshmitar, qoftë si pjesëmarrës.
Agim Sulaj nuk është thjesht një artist i dekoruar me çmime. Ai është një ambasador i shpirtit krijues shqiptar, një dëshmi se arti ynë mund të jetë konkurrues, përfaqësues dhe dinjitoz në arenën globale. Më shumë se talenti i tij personal, ai ka sjellë në sytë e botës një pasuri shpirtërore kombëtare, duke i dhënë artit shqiptar një emër të pathyeshëm dhe të lavdëruar.
Në fund, Sulaj mbetet një krijues që nuk pushon së ngrituri zërin. Me laps, penel, akuarel apo akrilik, mbi letër, kanavacë apo në vetëdijen tonë, ai vazhdon të na thërrasë: që të mos harrojmë, që të mos pajtohemi, që të mos ndalemi. Ai është dëshmi e gjallë se arti, kur është i vërtetë, bëhet jo vetëm pasqyrë e botës, por edhe forcë që e ndryshon atë.