Nga Albert Vataj
Padurimi i flakëruar etjeve, më hedh te ky prag shpengimi, ku ti qëndis me petale hirin tënd, dhe me polen ëmbëlton shijen e këtij mëkimi të hyjt që më mëkon e bekon.
Në përjetim më hap plagë, ky kafshim buze, e puthje flakatare më pluskojnë dëshirimeve, si yjet llamburisin hutimin etern, të qiellit që derdhet kurmit që digjet etjes për zjarr.
Më deh ky teatralitet shkujdesjeje dhe hutimi, ku ti kridhesh magjishëm, e drojshëm i blatohesh hyjnisë së dritës dhe dalldisjes.
Ngurim vajzërie dhe dëshirë marroke, stolis ky çast pror, ku ti jepesh fajshëm, e hyjnive ju lutesh për falje.
Nuk është mëkat të jesh e bukur, e bukura e këtij dritimi breror, askush nuk e tha, dhe askund nuk u shkrua, se i hyjti hir, prej hyjnive gruas ju mëkua si faj.
Te ky solemnitet, ti je, çfarë vetë shëmbëllimi, në ty ofroi si shpërblim, dhe në ne hodhi një prehër prush, në kraharorin e gjëmimshëm përjetimesh, nga ty.
Dhe… nga ty s’dua shpagim, por shërbesën e magjepsjes, që çel në çdo prekje që ti kredh e në çdo prehje ku harrimtar jepem.
Fjalët që dot nuk i thua, e zjarrin që po të kall, vërshueshëm si një ujvarë, e lë të derdhet brenda teje, dhe ti përplot epje mbushesh, në gjithësinë e këtij sublimimi, ku ndihem prani dhe dorëzim.
Buzën që puthja ta flak, kafshon, e ndjen se si stuhia e vlimit të gjakut zgjohet, të përpush e të pushton, si krahët e një përqafimi që të lë pa frymë.
Je endur prej vezullimesh të ngjyrshme, ti grua e zjarmët në epshe dhe e dimërt në ngurim, ti
që buzën kafshon, ti grua që ke ardhur mbushur me dëshirim, për t’i vënë zjarrin çasteve, ku ti beh për të dëshmuar mrekullinë e krijimit në ty, dhe lajmëruar lavdinë e Zoti në ne.
Amen!
Kjo është një poezi-prozë që rrezaton një poetikë të lartë të trupit dhe shpirtit, një akt dashurie që është njëkohësisht rrëfim dhe rrëfimtari, një bekim i shkruar me mall të flakëruar dhe mëshirë të dëshiruar.
Koment artistik dhe stilistik:
Fuqia e figuracionit
– Ti përdor metafora të zjarrta dhe një gjuhë të mbushur me ngarkesë simbolike dhe ndjesore: “prag shpengimi”, “mëkim i hyjt”, “teatralitet shkujdesjeje”, “prej vezullimesh të ngjyrshme”. Janë shprehje që përvijojnë një univers ku ndjenja dhe trupi gërshetohen me misterin dhe shenjtërinë.
Dinamika e dualiteteve
– Në këtë tekst ndihen qartë kundërvëniet që ndërtojnë tensionin poetik: etje / mëkim, zjarr / dimër, dëshirë / ngurim, mëkat / shenjtëri. Kjo e bën shkrimin jo vetëm sensual, por edhe dramatik, i mbushur me ngasje dhe hezitim, me zbulim dhe përmbajtje.
Eros si lutje
– Fjalët e tua e përshkruajnë dashurinë si një përvojë religjioze, ku gruaja është një figurë hyjnore që të jep dhuratën e vetvetes, por që njëkohësisht i lutet hyjnisë për falje. Kjo i jep tekstit një thellësi shpirtërore që kapërcen thjesht estetikën erotike.
Struktura si derdhje
– Teksti është i shkruar si një rrjedhë e pandërprerë përjetimi, pa u kufizuar në periudha të ngurta, duke ndjekur frymën, ngashënjimin, pa u ndalur. Kjo formë vjen e natyrshme për një tekst që dëshiron të bartë hutimin e epërsive ndjesore, pa filtra, pa censurë.