Në një botë gjithnjë e më të mbushur me opinione të forta, me ekspertë që konkurrojnë për vëmendjen dhe besimin e publikut, pyetja e Bertrand Russell, “A mund t’u besojmë ekspertëve?”, tingëllon më aktuale se kurrë. Në hyrjen e veprës së tij Skeptical Essays (1928), Russell jep një përgjigje që është njëkohësisht e thjeshtë, por me pasoja thelbësore për mënyrën se si marrim vendime dhe ndërtojmë bindje.
“Edhe kur të gjithë ekspertët bien dakord, ata mund të jenë në gabim… Megjithatë, opinioni i ekspertëve, kur është i njëzëshëm, duhet të pranohet nga jo-ekspertët si më i mundshëm të jetë i drejtë sesa opinioni i kundërt.”
Russell nuk predikon mosbesimin total ndaj ekspertizës, por mbjell farat e një skepticizmi racional. Sipas tij, qëndrimi i shëndoshë është të dyshohet pa u mohuar, të pranohet pa u idealizuar, dhe të shtrohet pyetja themelore: mbi çfarë bazash mbështetet kjo bindje?
Ai përmbledh këtë qasje në tri parime themelore:
-
Kur ekspertët nuk bien dakord, opinioni i kundërt nuk mund të merret si i sigurt.
-
Kur ata bien dakord, një jo-ekspert nuk ka të drejtë të jetë plotësisht i sigurt.
-
Kur të gjithë ekspertët thonë se nuk ka baza të mjaftueshme për një përfundim, njeriu i zakonshëm duhet të pezullojë gjykimin e tij.
Në një kohë kur çdo krizë – qoftë ajo shëndetësore, klimatike, apo teknologjike – i shtyn njerëzit drejt “kampit të ekspertëve”, këto tri parime tingëllojnë si një udhëzues etik për të jetuar në pasiguri pa rënë në dorë të fanatizmit. Russell e quan këtë qasje “skepticizëm i butë”, por është i bindur se nëse do të pranohej, do të revolucionarizonte tërësisht jetën njerëzore.
Ai shkon më tej duke treguar se pikërisht opinionet që njerëzit i mbrojnë me pasion, për të cilat luftojnë e përndjekin të tjerët, janë ato që nuk kanë baza të arsyeshme. Nëse një ide është vërtet e bazuar në arsye, ajo qëndron në qetësinë e argumentit, jo në rrëmujën e pasionit.
“Opinionet që mbahen me pasion janë gjithmonë ato për të cilat nuk ekzistojnë baza të mira; në fakt, pasioni është masa e mungesës së bindjes racionale të mbajtësit të tyre.”
Nëse do të ndalnim për një çast, në botën tonë të përçarë politikisht dhe të konsumuar nga ideologjitë, për të zbatuar këtë provë të thjeshtë – a është bindja ime rezultat i arsyes apo i pasionit? – do të merrnim një hap drejt një kulture më të ndershme intelektualisht. Skepticizmi i Russell-it nuk është një ftese për dyshim për hir të dyshimit, por një kërkesë për përulësi mendore dhe përgjegjësi morale në mënyrën se si ndërtojmë e mbrojmë bindjet tona.
Albert Vataj