Dikensi është pa asnjë mëdyshje romancieri më i mirënjohur e pa modesti mund të ngulmojmë se ai është ndër më të rëndësishmit e botës viktoriane. Jeta e këtij gjeniu të letrave, do të përçapej mes vështirësishë dhe hekash të dhunshme. Do të zvarritej mundimshëm dhe çirrej, do të gjakosej, përbaltej, shpërbëhej dhe ringrihej si një Ante në truallin që i blatoi shpirtin e tij krijues.
Librat e tij, si pakkujt tjetër, priteshin me padurim dhe lexoheshin si tekstet e librave të shenjtë. Një popullaritet si ai mund ta gëzonte përgjatë historisë së letërsisë, vetëm Viktor Hygoi. Ky ishte, Çarls Dikens, gjenu që e ktheu në mit fëmijëria e vështirë.
Çarls Dikens (Charles Dickens) u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare. U lind më 7 shkurt 1812 në Landport, Portsmouth, Angli për tu shuar më 9 qershor 1870 në Gad’s Hill Place në Rochester. Ishte i madhu romancier i periudhës.
Dikens pati fatin ta shihte me sytë e tij shkëlqimi i yllit të famës dhe popullaritetit, i patëdytë në llojin dhe dimensionin që rroku dhunshëm në Britaninë e askohëshme. Dikensi u quajt “shkrimtari i popullit”, një meritim, i cili miklon atë ditë e sot ëndjen dhe ambicien e shumë personazheve publike. Dikens u bë shumë popullor sepse e injektoi veprën e tij si nevojë e përditësuar ushqyerjeje shpirtërore. E ngasin në çdo ëndje dhe dëshirim pasionin, e ngjyu në çdo pikë loti, djerse, gjaku dhe vese, penën e tij, duke e bërë të pranishme dhe të kudoshme nga mënyra e allasojtë që ai përzgjodhi për ta bërë publike kumtin artistik. Është pikërisht shtypi, botimet copë nga një copë të romaneve në gazetat britanike, ato që do ta ushqenin me rrëzellim aureolën e tij të hyut tokësor. Çdo botim i një pjese të caktuar përfundonte me një “mister” dhe lexuesit ishin shumë kuriozë që të dinin se si do të rridhnin ngjarjet dhe e blinin vazhdimisht gazetën. Është njësoj si me telenovelat e sotme, një dalldisje e përditësuar kureshtie dhe kremtimi pasionues. Dikesi ishte aq i famshëm dhe aq popullor, sa kur vdiq, më 9 qershor të vitit 1870 në moshë 58-vjeçare, kishte famën e Krishtit. Mijëra e mijëra londinezë dhe njerëz të ardhur nga vende të tjera të Anglisë krijuan radhë ta gjata për ta parë trupin e tij të vendosur në abacinë ‘Westminister’. Njerëzit ishin në lot dhe me dhimbje. Kjo, edhe për arsye se atij i është dhënë merita e krijimit të variantit modern të Krishtlindjeve.
Çarls Dikens, shkrimtarit që solli ndër qindra personazhe, edhe ata që mbeten edhe sot e kësaj dite ndër më të spikaturit në historinë e letërsisë si Oliver Tëist, David Coperfild, Uriah Heep e të tjerë. Dikens konsiderohet jo si një shkrimtar, por si një “ngjarje” në shoqërinë njerëzore dhe si një “flakë e vërtetë gjenialiteti”. Janë të shumtë ata që mendojnë dhe besojnë se Dikens është shkrimtari më i famshëm i prozës dhe historisë në gjuhën angleze.
Çarls Dikens ishte një personazh shumë kompleks dhe me dritë-hije dhe nuk mund të përshkruhet apo të karakterizohet me pak rreshta. Ai ishte si në kaleidoskop. Nga secili këndvështrim që ta shihje, do të përballeshe me një formë apo shfaqje të re dhe të ndryshme. Ishte një njeri me shumë forma dhe me shumë ngjyra. Ai solli gjithë përvojën dhe fantazinë e tij në botën letrare që e krijoi me personazhe, ngjarje që janë aktualë edhe sot. Ishte pikërisht fëmijëria e tij ajo që frymëzoi veprën e famshme “David Coperfild”. Ai njohu vuajtjen që në fëmijëri, duke qenë se që në moshën 12-vjeçare e çuan që të punonte në fabrikë për rreth një vit, duke qenë se i ati u zhyt në borxhe. Në këtë periudhë ishte Dikensi ai që mbajti familjen me bukë. Ishte një histori e dhimbshme, por që e ndihmoi të shikonte nga afër dhe të ndiente trishtimin, varfërinë dhe situatën në të cilën jetonin bashkëkombësit e tij. Ishte një përvojë që ndikoi thellësisht në veprat e tij të mëvonshme, në të cilat ai është shfaqur edhe si një reformator social dhe mbështetës i zjarrtë i kauzës liberal-sociale. Ai me gjithë zemër donte që t’i shihte njerëzit, veçanërisht të varfrit, më mirë, më të pasur më me dinjitet. Në adoleshencë, Dikensi punoi në një firmë ligjore si asistent dhe më pas nisi punë si gazetar.
Çarls Dikens një bashkëshort i keq
Është ndoshta nga më të pazakontit e marrëdhënies me bashkëshorten. Një jetë e çapraztë dhe gri. Gjithçka në këtë lojë të papajtueshme marrëdhëniesh e dirigjoi ai dhe pendim mbetet vetëm për të. Trashëgohet me 10 fëmijë, që i pati Catherine, para se t’i jepte fund lidhjes 22-vjeçare, një martesë e palumtur dhe e shumëpërfolur, kryesisht për sjelljen e Dikensit. Megjithatë, shkaku i ndarjes ishte lidhja e Dikensit me një aktore të re me emrin Ellen Ternan, e cila ishte shumë më e re se ai në moshë. Catherine, ndërkohë nuk ishte vetë shumë mirë emocionalisht, sepse thuhet se pas çdo lindjeje përjetonte një depresion të thellë të shkaktuar pikërisht nga përfundimi i shtatzënisë. Kjo e bënte atë të ishte vazhdimisht e lodhur. Dikensi nuk e duronte dot në këtë gjendje, dhe kështu u lidh me aktoren e re që ishte plot jetë dhe krejt ndryshe nga e shoqja. Në këtë kohë u nda nga e shoqja, dhe madje doli edhe në media me në letër të hapur, në të cilën thoshte se Catherine ishte një nënë e paaftë dhe një bashkëshorte e tillë, pra e dështuar. Por kjo ia uli vlerat në sytë e publikut që e adhuronte për veprat e tij. Pas kësaj ai e syrgjynosi të shoqen larg dhe e lejoi që të merrte me vete vetëm njërin prej dhjetë fëmijëve të saj. Deri sa vdiq thuajse nuk pati të bënte më me të. 13 vitet e mbetura të jetës i kaloi me aktoren e tij, edhe pse në një mënyrë shumë diskrete dhe private. Nëse do të kishte bërë një jetë publike me të, ishte i sigurt që nuk do të ishte një figurë pozitive për njerëzit. Dikensi kishte marrëdhënie të çuditshme edhe me mamanë e tij. Ndoshta i mbante mëri për atë vit që ajo e çoi të punonte në fabrikë që në moshë të njomë. Thuhet se kur i ati i Çarls mori një trashëgimi të vogël, ai iku nga fabrika, por të nesërmen e ëma i kërkoi që gjithsesi, edhe pse kishin para, ta vazhdonte punën rraskapitëse aty. Në këtë rast ishte i ati që e ndaloi rikthimin e të birit në fabrikë. Duket se Dikensi nuk e fali kurrë të ëmën për këtë veprim.
Ky ishte ai që Britania e mban si një idhull, memuari i lëtërsisë botërore e mbamend si një fenomen, ky ishte Çarls Dikens