Nga Albert Vataj
Çdo gjeni, thotë Niçe, mban një maskë. Frojdi zgjodhi një nga maskat më të padepërtueshme, atë që të bën të mos biesh në sy. Jeta dhe përpjekja e tij vetmohuese që zgjaton në përditshmërinë e orëve të gjata struk një volum të pamatë dhe përtyp një aftësi demoniake pune. Ai është në gjithçka i përkorë, edhe në guximin për të ngritur zërin, dhe në kushtrimin që lëshon përbindshëm në kllapinë ku dergjet vetëdija e kohës.
Ai ishte i vetmi që mundi të depërtonte më thellë se askush tjetër në vetëdijen dhe nënvetëdijen e njeriut. Nuk qe aspak e lehtë udha që do të merrte ky Odise i shpërfaqjes së fatit dhe fatalitetit, ku padija e kishte kyçur njeriun, këtë krijesë sa prepotente aq dhe inferiore. Kaluar mbi një energji të pashtershme angazhimi vetëmohues, ai do të rrëmonte zhguallin e trashë ku njeriu strukej, e të nxirrte që andej, ta ç’burgoste prej misterit dhe bestytnishë, frikës për të hyrë brenda vetes dhe ndjellakeqes për ta nxjerrë prej skutave të errëta, e për ta shpaluar faqe dritet.
Si asnjëherë më parë, si të vetmen shtangie që bota do ta kundronte gojëhapur dhe anatemuese, ai guxoi dhe triumfoi. E denoncoi njeriu e nënvetëdijes dhe vetëdijes, para vetvetes. E shfletoi atë si një libër të dënuar të mbetej i mbyllur. E tregoi me gisht. E përzuri me shqelma nga skutat ku kishte shekuj që strukej. I dha dritë që i duhej për të parë dhe të vërtetën e tronditëse për të ardhur në vete.
Mendimet ushqehen po aq me përgënjeshtrime sa me vërtetime, një vepër ekziston jo më pak nga urrejtja sesa nga dashuria që zgjon. I vetmi triumf vendimtar i një ideje, i vetmi gjithashtu që jemi të gatshëm edhe ta adhurojmë, është shkrirja e saj në jetë. Sepse asgjë, në kohën tonë të një drejtësie të pasigurt, nuk e rindez dhe aq besimin në epërsinë e mendjes sesa shembulli i gjallë i njeriut të vetëm që ka gjithnjë guxim të thotë të vërtetën për ta përhapur në tërë gjithësinë. Ai ishte Zigmund Frojd.
***
Zigmund Frojd lindi në 6 maj 1856, në qytetin e vogël, Fraiberg, në Moravia. I ati ishte tregtar me një mendje të mprehtë dhe një sens të fortë humori. E ëma ishte një grua e gjallë, gruaja e dytë e të shoqit dhe 20 vjet më e re se ai. Ajo ishte 21 vjeç kur lindi djalin e saj të parë dhe të zemrës, Zigmundin. Zigmundi kishte dy vëllezër më të mëdhenj nga ana e të atit, dhe gjashtë vëllezër e motra të tjerë më të vegjël. Kur ishte katër apo pesë vjeç, s’ishte shumë i sigurtë se sa, familja u transferua në Vienë, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij.
Një fëmijë i shkëlqyer, gjithnjë i pari i klasës, ai shkoi në shkollën mjekësore, një nga opsionet më të mundshme për një djalë të mençur hebre në Vienën e atyre kohëve. Atje, ai u përfshi në kërkime nën udhëheqjen e profesorit të fiziologjisë Ernst Brücke. Brücke besonte në atë që atëherë ishte një nocion i njohur, në mos radikal, të cilin sot e quajmë reduksionizëm: “Asnjë forcë tjetër nuk është aktive në organizëm, përveç forcave fizike e kimike.” Frojdi do të kalonte vite duke u përpjekur që ta “reduktonte” personalitetin në neurologji, kauzë që më vonë do ta braktiste.
Frojdi ishte shumë i mirë në kërkimet e tij, duke u përqëndruar në neurofiziologji, madje shpiku një teknikë të veçantë të ngjyrosjes së qelizës. Por aty kishte vetëm një numër të kufizuar vendesh pune dhe të tjerë mbanin radhën para tij. Brücke i dha dorë të merrte një bursë studimi, si fillim me psikiatrin e madh Charcot në Paris, dhe më vonë me rivalin Bernheim në Nancy. Të dy këta zotërinj po studionin përdorimin e hipnozës në trajtimin e histerikëve.
Pas një kohe të shkurtër si rezident në neurologji dhe drejtor i një strehëze për fëmijë në Berlin, ai u kthye në Vienë, u martua me të fejuarën e tij prej disa vjetësh Marta Bernays, dhe krijoi një praktikë në neuropsikiatri, me ndihmën e Joseph Breuer.
Librat dhe leksionet e Frojdit i sollën atij edhe famë, edhe shkëputje nga radhët e bashkësisë mjekësore. Ai tërhoqi rreth vetes një numër simpatizuesish shumë të mprehtë të cilët u bënë edhe bërthama e lëvizjes psikoanalitike. Për fat të keq, Frojdi kishte prirje të largonte njerëzit që nuk binin dakord me të. Disa u ndanë me të miqësisht, disa të tjerë jo, dhe vazhduan rrugën e tyre për të themeluar shkolla të tjera.
Frojdi emigroi në Angli para Luftës së Dytë Botërore, kur Viena filloi të bëhej një vend i rrezikshëm për hebrenjtë, sidomos për ata të famshëm si Frojdi.
Në vitin 1923 Frojdi u diagnostikua me kancer në gojë dhe për këtë shkak ai bëri me dhjetera operacione që në fillimet e para të sëmundjes në Austri. Pak pasi ai mbërriti në Angli, dhimbjet e tij u rritën aq shumë saqë ndikuan që te kërkonte nga mjeku i tij aplikimin e nje doze morfine vdekjeprurëse më 23 shtator të vitit 1939.
***
Zigmund Frojd e sheh personalitetin njerëzor si një fushë beteje ku përplasen id-i, egoja dhe superegoja, të cilat matin forcat për superioritet.
Id-i është një rezervuar instinktesh seksuale dhe agresive, i përqendruar në pjesën e pavetëdijshme të mendjes, dhe vepron mbi bazën e parimit të kënaqësisë.
Ai hyn në konflikt të ashpër me superegon, e cila është e vetëdijshme dhe vepron mbi bazën e parimeve morale.
Ndërkohë, egoja, e cila funksionon sipas parimit të realitetit, shërben si ndërmjetës që përpiqet të vendosë ekuilibër mes kërkesave të id-it dhe kufizimeve të superegos.
Id-i është i lindur, ndërsa superegoja zhvillohet përmes sanksioneve dhe rregullave që vendosin prindërit dhe shoqëria. Në këtë përballje të brendshme, id-i thotë “tani”, superegoja thotë “kurrë”, ndërsa egoja thotë “më vonë”, duke u bazuar mbi dëshirat bazë individuale. Impulset e id-it dhe konfliktet e tij me superegon dhe egon qëndrojnë të pranishme në mendjen e pavetëdijshme, por ato shfaqen të maskuara në mendime, sjellje dhe forma të ndryshme të jetës së përditshme.
Frojd gjithashtu besonte se personaliteti njerëzor zhvillohet përmes një serie stadësh psikoseksuale. Në secilin stad, një zonë e trupit (zonë erogjene) bëhet qendra e stimulimit dhe kënaqësisë, dhe konfliktet lidhen me atë zonë specifike:
Stadi oral (nga lindja deri në 1–1.5 vjeç): kënaqësia fokusohet te goja dhe buzët, veçanërisht përmes thithjes, gëlltitjes dhe kafshimit.
Stadi anal (1.5–3 vjeç): interesat dhe konfliktet lidhen me mbajtjen dhe nxjerrjen e feçeve. Negativizmi, dëshira për kontroll dhe raporti me rregullin janë tipare të kësaj faze.
Stadi fallik (3–6 vjeç): zona gjenitale bëhet qendra e interesit. Në këtë stad shfaqen komplekset e zhvillimit. Kompleksi i Edipit, i përshkruar nga Frojd si universal, nënkupton tërheqjen seksuale të djalit ndaj nënës dhe rivalitetin me babain. Tek vajzat shfaqet një fenomen i ngjashëm, i quajtur Kompleksi i Elektres, ku vajza ndjen mospëlqim ndaj nënës dhe tërheqje ndaj babait.
Stadi latent: ndjenjat seksuale zbuten dhe energjia kanalizohet në aktivitete sociale, shkollore dhe shoqërore. Në këtë periudhë supozohet se Kompleksi i Edipit është zgjidhur ose represuar.
Stadi gjenital (puberteti e më tej): interesi seksual përqendrohet tek seksi i kundërt dhe shënohet kulmi i heteroseksualitetit përmes bashkimit seksual.
Frojd ishte një ndër teoricienët e parë që pohonte se “fëmija është babai i burrit”, duke nënvizuar ndikimin vendimtar të përvojave të hershme në personalitetin e mëvonshëm. Konfliktet dhe privimet e fëmijërisë së hershme, sipas tij, lënë gjurmë të thella. Nëse konfliktet e secilit stad nuk zgjidhen në kohën e duhur, ato çojnë në fiksime (mbetje në një stad të caktuar) ose regresione (rikthim në një stad më të hershëm, me sjellje e qëndrime të ngjashme me ato të fazës së kaluar).
Për shembull, një person i fiksuar në stadin oral mund të shfaqë varësi të madhe ndaj të tjerëve, lakmi apo pasivitet. Ndërsa një person i fiksuar në stadin anal mund të jetë obsesiv-kompulsiv, kokëfortë dhe kritik.
***
Idetë e Frojdit ndikuan jashtëzakonisht në shkollën e mendimit në këtë fushë. Megjithëse u zëvendësua përfundimisht nga metoda të tjera më të avancuara, psikoanaliza e Frojdit la gjurmë të përherëshme, si në psikologjinë edhe psikoterapinë e sotme.
 
			
 
                                 
                                









