Albert Vataj
Sot, 22 korrik, kremtohet Dita e Shën Marisë Magdalenë, një figurë që në traditën biblike dhe në ikonografinë e artit perëndimor mishëron misterin e mëkatit dhe madhështinë e faljes. Kisha Katolike e sheh atë si “apostolen e apostujve”, gruan që, sipas Ungjijve, ishte e pranishme nën Kryq dhe e para që pa Krishtin e ringjallur. Ky është një kujtim i fuqishëm për transformimin shpirtëror, nga errësira e një jete të rrëmbyer në dritën e dashurisë së pafundme hyjnore.
Në këtë kontekst kremtues, piktura e Tizianit në Galerinë Palatine të Pallatit Pitti, “Maria Magdalena Pendimtare” (1531–1535), merr një rezonancë të veçantë. Përveç vlerave të saj artistike, ajo është një deklaratë filozofike dhe estetike mbi fuqinë e mëkatit të kapërcyer dhe mbi bukurinë e shpirtit të shpenguar.
Tiziani, mjeshtri venecian i ngjyrës dhe i trupit të gjallë, përdor ikonografinë tradicionale të Magdalenës, flokët e gjatë e të dendur që shërbejnë si mbulesë e zhveshjes, sy të përlotur, një kavanoz vaji që i referohet aktit të saj të pendesës tek këmbët e Krishtit. Por në këtë tablo, një detaj nuk mund të anashkalohet, gjoksi i saj është i zbuluar, përkundër flokëve që përndryshe do të mund ta mbulonin tërësisht trupin.
Ky nuk është një element i rastësishëm, as një prekje thjesht sensuale për të tërhequr syrin e shikuesit. Në këtë zgjedhje ka një thellësi simbolike që lidhet me natyrën e figurës së Magdalenës dhe me mënyrën se si arti i Rilindjes e ndërthuri trupin me shpirtin. Gjoksi i zbuluar nuk është thjesht shenjë e feminitetit; ai është një shenjë e mëmësisë së mundshme, e natyrës dhënëse të jetës, e së mirës që rrjedh nga brenda gruas. Në një kuptim më të gjerë, është një metaforë vizuale për shpirtin e zhveshur nga të gjitha maskat, një transparencë e plotë përpara Zotit, ku e kaluara nuk fshihet, por pranohet dhe shndërrohet.
Në kohën e Tizianit, pendimi dhe mëkati shoqëroheshin shpesh me një ikonografi të tejmbushur nga sensi i trupit. Arti i shekullit XVI nuk kishte frikë nga kontradiktat, një grua e zhveshur mund të mishëronte një virtyt të lartë shpirtëror. Gjoksi i zbuluar i Magdalenës bëhet kështu një vendtakim i dy botëve: sensualitetit dhe shenjtërisë. Ai na kujton se pendimi nuk e mohon trupin, por e shndërron atë në një simbol të ndjenjës më të thellë njerëzore, dashurisë që kërkon dhe gjen shpengimin.
Tiziani, mjeshtër i ngjyrave të ngrohta dhe i penelatës së gjallë, nuk e pikturon këtë trup si një shënim erotik, por si një ikonë të pasionit njerëzor të pastruar nga falja. Gjoksi i saj i zbuluar, në dritën e përzier me lot, flet për atë që është më thelbësore: për brishtësinë dhe njëkohësisht fuqinë e femrës që ka guximin të qëndrojë përpara Zotit ashtu siç është.
Në Ditën e Shën Marisë Magdalenë, kjo tablo e Tizianit na bën të reflektojmë mbi mënyrën se si arti na jep një gjuhë tjetër për të kuptuar faljen dhe shpengimin. Maria Magdalena nuk është thjesht një figurë e së shkuarës; ajo është një ftesë e përhershme për të parë brenda vetes, për të pranuar plagët dhe për t’i kthyer ato në burime drite.
Në këtë mënyrë, Tiziani na e jep Magdalenën jo vetëm si grua, por si nënë e një shpirti të ri, si simbol i një njerëzimi që, edhe i rënë, mund të ringjallet përmes bukurisë, pendesës dhe dashurisë së vërtetë.











