Nga Albert Vataj
Mendja njerëzore është një labirint i pafund dritash dhe terrinash, një skenë e brendshme ku luhen dramate më të heshtura dhe betejat më të ashpra. Ajo ruan kujtime, fshihet pas plagëve, shpik rrugë të reja mbijetese dhe, mbi të gjitha, krijon mekanizma të brendshëm që na mbrojnë nga vetja, nga e shkuara, nga e papërballueshmja. Që nga koha e Freud-it e deri tek studiuesit bashkëkohorë, është pranuar se ndër proceset më të thella të mendjes qëndrojnë “mekanizmat mbrojtës”, portat e padukshme që mbajnë në kontroll valët e dhimbjes dhe tensionit të brendshëm.
Ndër këta mekanizma, represioni është më i fshehti dhe njëherësh më i rëndësishmi; një akt i heshtur strehimi i emocioneve që nuk mund të përballohet, një zhvendosje e brendshme ku mendja mbron veten duke harruar atë që nuk mund ta durojë. Siç do të shprehej Freud, “ku fillon represioni, nis historia e pavetëdijes”, dhe pikërisht aty, në kufirin mes kujtesës dhe harresës, njeriu zbulon se sa i thellë është universi brenda vetes.
Mendja është një organizëm i mistershëm, i ndërlikuar dhe shpesh i paparashikueshëm. Brenda saj zhvillohen procese të pafundme, ndër më kryesorët “mekanizmat mbrojtës”, të cilët ndihmojnë individin të përballojë sfidat, tensionet dhe vuajtjet e jetës së përditshme. Një nga mekanizmat më themelorë dhe më të studiuar në psikologjinë e thellësisë është represioni, proces psikologjik që i lejon njeriut të distancohet nga mendimet, emocionet apo kujtimet e pakëndshme që do të ishin tepër tronditëse nëse do të viheshin menjëherë përballë vetëdijes.
Siç shkruante Sigmund Freud: “Represioni është themeli mbi të cilin ndërtohet i gjithë ndërtesa e psikoanalizës.”
(Freud, “Repression”, 1915)
Represioni operon në një nivel të pandërgjegjshëm, duke krijuar një pengesë mbrojtëse kundër materialeve mendore që mund të shkaktonin shqetësim të madh emocional. Freud këtë proces e përkufizonte si një “akt që e pengon impulsi-n e papranueshëm të futet në vetëdije”.
Në momente të vështira, sidomos përballë traumave apo ngjarjeve të dhimbshme, mendja krijon një “mburojë emocionale” që siguron një distancë të nevojshme për të përballuar situatën. Kjo përputhet me vëzhgimin klasik të Freud se:
“Individi shmang atë që është e padurueshme për të, duke e zhvendosur atë në të pavetëdijshmen, ku nuk mund të shkaktojë ankth të drejtpërdrejtë.”
Represioni nuk i zhduk këto mendime, por i fsheh përkohësisht, duke e mbajtur ekuilibrin e brendshëm të individit.
Sipas topografisë klasike freudiane, mendja ndahet në tri regjistra:
Vetëdija (das Bewusste)
Paravetëdija (das Vorbewusste)
Pavetëdija (das Unbewusste)
Tek e pavetëdijshmja ruhen “dëshirat e refuzuara, kujtimet e dhimbshme dhe impulset e papranueshme”, që sipas Freud “janë të shtypura sepse përmbajtja e tyre është e papajisur për t’u pranuar nga vetëdija”.
Në teorinë psikodinamike, Veta (Ego) ndërmjetëson konfliktin mes Id-it (impulset) dhe Superego-s (normat morale). Freud thoshte:
“Egoja nuk është zot shtëpie në mendjen e vet.”
(Freud, “New Introductory Lectures”)
Represioni është një nga mjetet kryesore që Veta përdor për të ruajtur balancën e brendshme. Ai heq nga skena mendimet destabilizuese dhe krijon “një mimikri ekuilibri”, siç e përkufizojnë psikoanalistët e mëvonshëm.
Një formë e zakonshme e represionit është harresa selektive – mendja fshin kujtime apo detaje të lidhura me përvoja të dhimbshme. Freud e quante këtë: “Amnezi e motivuar.”
Por materiali i shtypur nuk zhduket asnjëherë. Ai rishfaqet përmes; ëndrrave, lapsuseve të gjuhës (“lapsus linguae”), veprimeve të pavetëdijshme.
Freud e përmbidhi këtë me thënien e famshme: “E shtypura gjithmonë kthehet” (das Verdrängte kehrt immer wieder).
“Kthimi i të shtypurës” është një prej fenomeneve themelore në psikoanalizë, i cili, siç shprehet Freud, “shpesh shoqëron shpërthimin e ankthit”. Kur mekanizmat mbrojtës dobësohen, materiali i pavetëdijshëm kërkon rrugë të tjera për t’u shfaqur.
Anna Freud, bijë e Sigmund-it dhe një prej mendjeve më të ndritura të psikoanalizës, i sistemoi mekanizmat mbrojtës në librin e saj klasik “The Ego and the Mechanisms of Defence” (1936). Ajo citon:
“Mekanizmat mbrojtës janë zgjidhjet kreative të vetes për t’u përballur me realitete të papranueshme.”
Ajo dallon qartë në neurozë, mbrojtjet veprojnë mbi përmbajtjet e brendshme të papranueshme, duke i shtyrë ato drejt së pavetëdijshmes.
Në psikozë, mbrojtjet veprojnë mbi realitetin e jashtëm, duke ndryshuar vetë perceptimin e botës.
Freud përshkruante iluzionin psikotik si: “Një përpjekje për t’u rikuperuar, për të rindërtuar botën sipas dëshirës së subjektit, sapo realiteti është bërë i padurueshëm.”
Në foto, Sigmund Freud me vajzën e tij Anna, krijuesit e paradigmës së psikoanalizës, të cilët zbuluan se çfarë ndodh në territoret e errëta të mendjes, aty ku drita e vetëdijes nuk depërton gjithmonë, por ku materiet e shtypura vazhdojnë të jetojnë, të lëvizin dhe të kërkojnë zë.
Në fund, të kuptuarit e represionit do të thotë të kuptosh mënyrën se si mendja i ndërton urat e fshehta drejt qëndrueshmërisë. Represioni nuk është thjesht një shmangie, por një strategji e brendshme mbijetese; një provë se njeriu, edhe kur thyhet, kërkon mënyra për të mos u shembur plotësisht. Ai na mëson se e pavetëdijshmja nuk është mbeturinë psikike, por një hapësirë e gjallë ku vazhdon të rrahë një pjesë e të vërtetës sonë më të thellë.
Freud-i e quajti represionin “rojtarin e portës së vetëdijes”. Anna Freud e pa si krijimtari të vetes. Dhe sot, në dritën e psikologjisë moderne, ne e shohim si një proces që na mbron, na sfidon dhe, në një farë mënyre, na ndërton. Sepse gjithçka që mendja shtyp, dikur troket sërish, jo për të na rrënuar, por për t’u njohur dhe për t’u shndërruar.
Kështu, udhëtimi drejt vetes mbetet gjithmonë një ecje ndërmjet njollave të errëta të së pavetëdijes dhe dritës së vetëdijes, aty ku njeriu mëson të lexojë heshtjet e veta.










