Nga Albert Vataj
Në çdo kohë, njerëzimi ka dashur të besojë se e mira mund të lindë nga çdo vend, madje edhe nga dheu i ndotur i mëkatit. Historia që ndan një student i ri, që zbulon se arsimi i tij ishte paguar me para të fituara nga varësia dhe vdekja, është një rrëfim bashkëkohor që trondit ndërgjegjen kolektive. Ai rrëfen se fondacioni që e kishte ndihmuar të arsimohëhej, në të vërtetë, ishte financuar nga fitimet e kompanive që kishin ndërtuar perandori mbi epideminë e opioideve, para gjaku, të pastruara përmes bamirësisë për të blerë respektabilitet. Katër vite mirënjohjeje dhe krenarie u shembën përballë këtij zbulimi, duke e kthyer falënderimin në faj dhe krenarinë në turp.
Në këtë përplasje të dhimbshme mes dijes dhe burimit të saj, midis përfitimit dhe ndërgjegjes, qëndron një prej dilemave më të vjetra të njerëzimit: a mund të lindë e mira nga e keqja? Dhe më thellë akoma, a mbetet i pastër ai që përfiton nga pasojat e padrejtësisë? Autori e kupton se ai tashmë është pjesë e asaj strukture që do ta kishte përbuzur po të ishte në dijeni të saj më parë. Bursat, librat, diploma, gjithçka që e formoi dhe e ngriti, ishte ndërtuar mbi dhimbjen e mijëra të tjerëve. Por koha e kthimit pas ka ikur. Ai është tashmë i ndryshuar, tashmë i shformuar nga një mirësi e ndotur.
Kjo dramë e ndërgjegjes nuk është e re. Charles Dickens, në vitin 1861, e kishte parashikuar këtë përmes romanit të pavdekshëm Great Expectations. Pip, jetimi i varfër që ndihmon një të burgosur të arratisur, Magwitch, bëhet papritur zotëri falë një trashëgimie misterioze. Ai beson se pasuria i vjen nga zonja Havisham, aristokratja e çmendur që e kishte rritur vajzën e tij të dashur, Estellën. Pip shkon në Londër, mëson mënyrat e fisnikërisë, turpërohet nga Joe, farkëtari i thjeshtë që e kishte rritur, dhe ndërton jetën mbi pritshmëri të mëdha që kurrë nuk i vë në dyshim. Por kur Magwitch rikthehet dhe i rrëfen se ai është bamirësi i tij, e gjithë ndërtueshmëria morale e Pip-it shembet: e gjithë fisnikëria e tij ishte blerë me paratë e një krimineli.
Në çastin e zbulimit, Pip sheh me tmerr se paratë që e kishin bërë zotëri kishin ardhur nga dhuna, internimi dhe krimi. Ai kupton se nuk mund të heqë dorë nga ajo që tashmë e ka përthithur; nuk mund të kthehet më në pastërtinë e mëparshme, sepse e keqja e pranuar e ka ndryshuar përgjithmonë. Në këtë kuptim, Dickens nuk shkroi vetëm për një djalë që fitoi një pasuri të mistershme, por për çdo njeri që e ndërton jetën mbi një iluzion moral.
Në mënyrë të ngjashme, studenti modern që mëson se bursa e tij është e përgjakur përballet me të njëjtin lloj zbulesimi që rrënon themelet e identitetit. Të dyja historitë, ndonëse ndara nga një shekull e gjysmë, e prekin të njëjtën plagë: ndotjen morale të suksesit, kur ai ndërtohet mbi dështimin, shfrytëzimin ose vuajtjen e të tjerëve. Dickens, me gjuhën e shekullit XIX, e quajti këtë “iluzion i fisnikërisë”. Sot, ne e quajmë “etika e kapitalit”, “moraliteti i filantropisë” apo “larje e imazhit publik”. Por në thelb, mbetet e njëjta pyetje: A mund të jetë e pafajshme një arritje që mbështetet mbi krimin, pavarësisht se në çfarë forme e fsheh ai vetveten?
Kjo dilemë ka marrë përmasa të reja në shoqërinë bashkëkohore. Familjet që ndërtuan pasuritë e tyre nga tregtimi i opioideve, si Sackler-ët në SHBA, janë bërë shembuj të gjallë të mënyrës se si pasuria e ndotur mund të pastrohet përmes arteve, arsimit dhe kulturës. Emrat e tyre shfaqeshin në muret e muzeve dhe universiteteve të mëdha, derisa e vërteta doli në dritë: mijëra jetë të humbura, miliona të varur, dhimbje të shndërruar në pasuri. Kështu, institucione që përfaqësonin dritën e dijes u zbuluan se ishin ndërtuar mbi hije të errëta. Dhe ky zbulim, për shumë njerëz, ka qenë po aq tronditës sa ai i Pip-it për Magwitch-in.
Por si të jetosh pas këtij zbulimi? Çfarë të bën të ndihesh i lirë kur çdo gjë që ke arritur vjen nga një rrënjë e kalbur? Autori i esesë e pranon se nuk mund të kthejë diplomën, as të fshijë dijen që ka marrë. Ai tashmë ka përfituar, tashmë është transformuar. Kështu lind një lloj faji i heshtur, i ngjashëm me ndjenjën e mëkatarit që nuk mund të zhbëjë mëkatin, por vetëm ta njohë. Në këtë kuptim, historia e tij nuk është thjesht një akuzë kundër një fondacioni, por një reflektim mbi natyrën e vetë përfitimit njerëzor, mbi marrëdhënien e brishtë midis moralit dhe suksesit.
Në fund, Dickens na mëson se pritshmëritë më të mëdha janë gjithmonë më të rrezikuarat nga kalbëzimi. Iluzioni i fisnikërisë, i pastërtisë, i suksesit pa njolla – është vetë mashtrimi që na shndërron në bashkëfajtorë të së keqes që e justifikojmë. Ne, si Pip, si studenti bashkëkohor, si çdo përfitues i privilegjit, nuk mund të kthejmë më mbrapsht atë që jemi bërë. Paratë janë shpenzuar, dija është marrë, jeta është ndërtuar mbi themele që nuk i kemi zgjedhur, por që i kemi trashëguar.
Dhe ndoshta, e vetmja mënyrë për të mos u gllabëruar nga ky faj është ta pranojmë të vërtetën dhe ta mbajmë gjallë ndërgjegjen. Të mos e fshehim kalbëzimin, por ta përdorim si kujtesë. Sepse vetëm ai që e di se ç’ka qenë e ndotur, mund të përpiqet të mos e përsërisë.
Siç shkruan autori në fund të rrëfimit të tij:
“Great expectations rot fastest when you finally see where they came from.”, pritshmëritë më të mëdha prishen më shpejt pikërisht atëherë kur kupton se nga kanë ardhur.
Në këtë dritë, suksesi nuk është më një kurorë, por një pyetje që kërkon përgjigje. Dhe çdo arritje, sado e lartë, mbart me vete hijen e asaj që e ka ushqyer. Dickens e dinte. Ne e dimë. Dhe përballë këtij dijeni, mbetet vetëm përgjegjësia, ajo që nuk shlyen dot të kaluarën, por ndoshta mund të shpëtojë të ardhmen.











