Surrealizmi, si një nga lëvizjet më tronditëse të shekullit XX, nuk ishte vetëm një revolucion estetik, por edhe një betejë e thellë filozofike mbi njeriun, dëshirën dhe fatin.
I lindur nga psikoanaliza dhe i ushqyer nga ëndrra, erotizmi dhe instinktet e pavetëdijes, kjo rrymë krijoi një hapësirë ku arti dhe jeta përziheshin, duke sfiduar kufijtë e moralit, të logjikës dhe të traditës.
Nga viti 1928 deri më 1932, grupi i surrealistëve të mbledhur rreth André Breton zhvilloi biseda të gjalla dhe të stenografuara me kujdes mbi intimen, dashurinë dhe marrëdhëniet. Aty ku arti ndalej, fjala provokuese nisej si një shpërthim. Në këtë debat, emra si Pierre Unik, Jacques Prévert, Paul Eluard, Marcel Noll e Marcel Duhamel, hodhën në tryezë jo vetëm idetë e tyre, por edhe plagët dhe pasionet që i vinin në lëvizje.
Çështja e monogamisë u shndërrua në pikë qendrore të këtij dialogu. “A ekziston një grua që ju është e destinuar, duke përjashtuar çdo tjetër?” – pyeste Max Ernst. Për Breton dhe shumicën e bashkëbiseduesve, përgjigjja ishte e qartë: dashuria është e lidhur me fatin. Të tjerë, si Raymond Queneau, sfidonin këtë vizion, duke shpërthyer në pesimizëm e nihilizëm: “Asnjë grua nuk do të mund të më kënaqë…”. Për Breton, ky mohimi absolut ishte i barabartë me mohim të dashurisë vetë, pra, një gjest kundërrevolucionar.
Debati shpërfaq një tension të thellë mes dy kampeve: atyre që e shihnin dashurinë si një forcë të pashmangshme që i jep kuptim jetës dhe atyre që dyshonin në ekzistencën e saj si përvojë e fatit. Për disa, si Prévert dhe Alexandre, dashuria ishte një fakt i jetuar, një grua e vetme që mbante peshën e gjithë ekzistencës. Për të tjerë, si Noll apo Sadoul, ajo ishte një shpresë, një humbje, një kërkim i pafund. Për Queneau-n, ishte një iluzion i pamundur.
Në fund, fjala e Breton shndërrohet në një testament surrealist: jeta nuk garanton asgjë, por dashuria është e vetmja që nuk na është e ndaluar. Ky përfundim i jep dashurisë statusin e një përvoje universale, të aftë të tejkalojë kufijtë e individit, të rishtypë fatin dhe të përmbysë rendin e dhënë.
Këto biseda nuk janë thjesht episode të historisë së artit, por një testament i mënyrës sesi surrealistët e konceptuan vetë jetën: jo si një rend të mbyllur dhe të paracaktuar, por si një hapësirë të hapur për dëshirë, revoltë dhe transformim. Dhe mbi të gjitha, si një hapësirë ku dashuria mbetet akti më i lartë i surrealizmit.
📖 Për t’u thelluar:
• Arkivi i Surrealizmit – Kërkime mbi seksualitetin
• Gauthier Xaviere – Surrealizmi dhe seksualiteti
• Desmond Morris – Jeta e surrealistëve
Përgatiti: Albert Vataj