Në çdo epokë lindin artistë që nuk i përkasin vetëm kohës së tyre, por gjithë njerëzimit. Ata nuk mjaftohen të luajnë nota; ata flasin gjuhën e shpirtit përmes tingujve të magjishëm të harmonisë. Një prej tyre është Jascha Heifetz, violinisti që shndërroi çdo tingull në një poezi të përjetshme. Historia e tij nuk është thjesht rrëfimi i një fëmije çudibërës; është udhëtimi i një gjeniu që sfidoi kufijtë e moshës, disiplinës dhe artit, duke u bërë një simbol i përsosmërisë muzikore.
Ky është tregimi i djaloshit që u rrit në krahët e violinës dhe i dha botës një melodi që nuk shuhet kurrë.
Më 2 shkurt 1901, në Vilnius, atëherë pjesë e Perandorisë Ruse, sot kryeqyteti i Lituanisë, u lind një djalë që do të shkruante historinë e violinës: Jascha Heifetz. Ai erdhi në jetë në gjirin e një familjeje hebreje, ku muzika ishte gjuhë e përditshme. Babai i tij, violinisti Ruvin Heifetz, nuk pa thjesht një fëmijë të zakonshëm, por një dhunti që kërkonte të zbulohej. Qysh në moshën dyvjeçare, Ruvini nisi t’i mësonte të birit të mbante harkun në dorë, dhe tingulli i parë që lindi prej asaj violinë të vogël, ishte paralajmërim i një magjie që do të frymëzonte botën.
Në moshën katërvjeçare, ndërsa shumica e fëmijëve mësonin ende të lidhin këpucët, Jascha performonte para publikut, duke mahnitur të rritur e fëmijë njësoj. Në moshën shtatëvjeçare, ai u pranua në Konservatorin Mbretëror të Shën Petersburgut, një tempull i artit ku mjeshtri legjendar Leopold Auer e mori nën kujdesin e tij. Aty u farkëtua talenti në art.
Shkëlqimi i tij nuk priti gjatë. Vetëm dhjetë vjeç, Jascha Heifetz doli në skenë me Filarmoninë e Berlinit. Nuk ishte më thjesht një fëmijë i talentuar: ishte një gjeni që përkthente emocionet e botës përmes katër telave të violinës. Publiku dhe kritikët mbetën pa fjalë përpara teknikës së tij të përsosur, përpara asaj muzikaliteti të lindur që tejkalonte çdo moshë.
Por pas kësaj drite të jashtëzakonshme, qëndronte një fëmijëri e pazakontë. Ditët e tij nuk njihnin lojëra, por orë të gjata ushtrimesh të përditshme; nuk njihnin zakonet e zakonshme të moshatarëve, por kërkonin një disiplinë të hekurt dhe një përkushtim të plotë ndaj artit. Jascha Heifetz nuk u rrit thjesht si një virtuoz; ai u rrit si një poet i tingullit, një mjeshtër që përmes violinës i dha njerëzimit një gjuhë të përtejme, ku fjala nuk arrin dot.
Ky është Jascha Heifetz – fëmija që mbylli sytë ndaj botës së zakonshme për të hapur dyert e një bote të përjetshme muzike. Një emër që ende sot, më shumë se një shekull më pas, tingëllon si një hymn i talentit dhe i përjetësisë së artit.
Përgatiti: Albert Vataj