Nga Albert Vataj
Ndryshe ngase e kam trajtuar më herët këtë identitet krijues të muzikës shqiptare, kësaj here rrekem ta shpërfaqë Alban Skënderajn, si opus, në një ngulm më të themeltë, duke thjeshtuar kohëshmërinë dhe aktualitetin, për t’iu përafruar një analize, përmes një trajtimi me qasje shteruese.
Muzika shqiptare, shquhet për karakteristikat e saja unike, të cilat shpesh mbështeten mbi traditën, duke marrë spunto edhe nga etnofolku ynë i larmishëm, por përgjithësisht atë e godet më ndjeshëm ndikimi i huaj. Shpesh ky ndikim është aq fondamental, sa edhe tërësia transformues të asaj tradite, mbi tabanin e të cilit hedh shtat ngrehina muzikore, si përfaqësim identitar.
Referuar këtij konteksti vëzhgues dhe një analize të detajuar të komponentëve në vijim, dal në përfundimin se Alban Skënderaj, si tekstshkrues, muzikant dhe këngëtar, nuk është thjeshtë një kantautor, por një fenomen në muzikën shqiptare. Dhe kjo nuk është një përfundimtare dëshiruese, por një rezultate hulumtuese dhe thellësisht shqyrtues.
Kënga shqiptare dhe Alban Skënderaj
Kur flasim për artin e muzikës, nuk duhet të kënaqemi me leximin sipërfaqësor të produktit të gatshëm, këngës, si një njësi e vetme e shijimit estetik dhe komunikimit. Muzika, përtej melodisë dhe zërit, është një proces kompleks krijimi, që kërkon të analizohet në tërësinë e elementëve që e përbëjnë: ideja, teksti, kompozicioni, interpretimi, orkestrimi dhe emocioni që gjeneron. Këta komponentë, të ndërthurur në mënyrë organike, janë ata që përcaktojnë jetëgjatësinë, ndikimin dhe vlerën e një vepre muzikore.
Në këtë shtrirje të re të vështrimit kritik, larg qasjes së zakonshme që ndalet tek shijet personale apo modat kalimtare, përpiqem të riprojektoj identitetin e krijimtarisë muzikore shqiptare, përmes një shembulli që vetë e artikulon më mirë se çdo përkufizim, Alban Skënderaj.
Në një kohë kur tregu muzikor shqiptar është bërë i tejngopur me prurje të pafiltruara, që variojnë nga formësime të brishta dhe të rrëgjuara, deri tek përpjekje të denja për vëmendje, konsumi i muzikës është kthyer shpesh në një veprim të shpejtë, të paduruar dhe pa reflektim. Kjo ndodh edhe për shkak të formatit me kohështrirje të shkurtër që imponon platforma dixhitale, ku klikimet dhe algoritmet zëvendësojnë gjykimin estetik.
Por përtej këtij kaosi të bollëkut, ekzistojnë figura që nuk i janë dorëzuar rastësisë, as instinktit komercial. Figura që përfaqësojnë jo vetëm cilësinë artistike, por edhe një qëndrueshmëri në kohë, një qëllimësi dhe një etikë krijuese që e tejkalon një hit sezonal. Alban Skënderaj është një prej pak atyre që përfaqësojnë këngën.
Skënderaj nuk është thjesht një emër suksesi, por një rast studimi. Ai është një autor që shkruan, kompozon, interpreton dhe koncepton, duke mbajtur një kontroll të plotë mbi të gjithë hallkat e procesit krijues. Është kjo përmasë e integruar që e veçon nga shumë të tjerë në skenën muzikore shqiptare dhe që i jep atij epitetin “fenomen”, jo në kuptimin hiperbolik të fjalës, por në kuptimin e një dukurie që meriton vëmendje të veçantë analitike.
Në krijimtarinë e tij gjejmë një simbiozë të rrallë midis trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndjeshmërisë moderne globale. Ai di të ruajë aromën e etnofolkut, pa e banalizuar atë, ndërsa përthith me inteligjencë rrymat e huaja pa rënë në imitim. Pikërisht në këtë përballje të dy botëve, tradicionale dhe moderne, qëndron forca e tij ndërtuese. Ai nuk ndërton një kompromis, por një ekuilibër estetik dhe ky është një kriter përcaktues.
Kur fjala është një kod emocional indentitar
Tekstet e Alban Skënderajt nuk janë përshkrime të lehta ndjenjash të zakonshme, por rrëfime që lindin nga përjetimi dhe vetëreflektimi. Ai ka krijuar një kod emocional indentitar, ku fjalët kanë peshë, muzika ka shpirt dhe kënga është gjithnjë një ftesë për bashkëjetesë shpirtërore. Qoftë kur flet për dashurinë, largësinë, brishtësinë njerëzore apo për identitetin, ai e bën këtë me një ndjeshmëri që nuk shteron në modë, por gëlon në kohë.
Në një klimë ku ndikimet e huaja janë gjithnjë e më agresive dhe shpesh deformuese për fizionominë autentike të muzikës shqiptare, Alban Skënderaj ka arritur të ndërtojë një strukturë origjinale, e cila nuk rrezikon të asimilohet. Ai e ka shndërruar individualitetin e tij artistik në një urë mes brezave, zhanreve dhe formave shprehëse, me përkushtim dhe koherencë.
Duke vështruar me objektivitet dhe me kritere të qarta të estetikës muzikore, rezulton se Alban Skënderaj nuk është thjesht një kantautor i suksesshëm, por një figurë themelore në hartën bashkëkohore të muzikës shqiptare. Ai nuk i përket vetëm një brezi, një kohe apo një stili. Ai përfaqëson një mënyrë të të qenit artist, në një kohë që ka humbur orientimin estetik dhe përkushtimin ndaj formës dhe përmbajtjes. Pikërisht për këtë arsye, Alban Skënderaj është më shumë se një emër i dashur për publikun. Ai është një referencë e qëndrueshme për çdo analizë serioze të muzikës shqiptare në dy dekadat e fundit.
Alban Skënderaj, estetika e këngës si ndërgjegje
Kënga, si një ndër format më të përhapura të artit, ka qenë gjithmonë një strehë për ndjeshmërinë dhe përvojën njerëzore, duke alternuar përmasat e saj mes argëtimit dhe shpirtëzimit. Për artistë si Leonard Cohen, kënga është “lutje dhe poezi e zëshme”, për Lucio Dalla ajo është një “monolog i intimitetit njerëzor”, ndërsa për Bob Dylan, ajo është histori, rebelim dhe përsiatje.
Në këtë linjë, Alban Skënderaj, si kantautor, nuk qëndron jashtë këtyre koordinatave. Ai përfaqëson një qasje të ndërgjegjshme ndaj këngës, ku fjala, melodia dhe qëllimi krijojnë një tërësi artistike të përkushtuar, e cila ia del të mbijetojë jashtë koniunkturës së tregut dhe klisheve komerciale.
Një nga elementët më dallues të veprës së Alban Skënderajt është kujdesi ndaj fjalës. Kjo e vendos atë në një traditë të kantautorëve që e shohin tekstin si substrat letrar, jo si mbushje ritmike.
Ashtu siç Leonard Cohen punonte për vite mbi një varg të vetëm, Skënderaj krijon këngë që mund të lexohen si poema të brendshme, të maturuara, të përshkuara nga mendim dhe ndjenjë. Në “Dikur” ose “Duamë”, vargjet nuk janë të zëshme, por të zëna nga përjetimi, të heshtura në formën dhe të forta në kuptim.
Cohen thoshte: “Një këngë e mirë është një përpjekje për të zbuluar të vërtetën e vetes.” Skënderaj e bën këtë pa patetizëm, por me një zëshmëri e thellë shpirtërore që tingëllon.
Ndërtim i emocioneve, jo thjesht strukturë muzikore
Këngët e Albanit nuk janë të ndërtuara për ritmin, por për rrëfimin melodik. Të ndjeshme, të përmbajtura, shpesh të ngadalta. Një ritmikë që e ndjen brenda teje si një energji që mbush gjithë praninë me një gjendje të frymtë. Këto këngë ndërtojnë një ambient për ndjesinë, jo një spektakël për veshin, krijojnë një marrëdhënie, rikonceptojnë një raport, të tundojnë në përfshirje dhe të ngërthejnë në përjetim.
Në këtë aspekt, ai qëndron afër një qasjeje që e hasim te Nick Drake ose James Taylor, ku kitara është shtrat i rrëfimit, dhe melodia e vë ndjesinë në lëvizje, jo në ankth.
Siç ndodh në këngët e Lucio Battisti, tingulli te Skënderaj është ngarkesë e brendshme, jo pamje e jashtme.
Këndimi, zë i kontrolluar, jo i stërngarkuar
Zëri i Alban Skënderajt është një zë që nuk shpërthen, por përfton. Ai nuk është vokalist në kuptimin virtuoz të fjalës, por është interpreti i ndjenjës, një përshkrueshmëri e drejtpërdrejtë dhe e thellë e zërit. Në këtë kuptim, ai i ngjan më shumë Charles Aznavour-it, për të cilin “zëri është për të thënë atë që nuk thuhet dot, jo për të impresionuar.”
Në një realitet ku zërat shpesh ngrihen për të sunduar, ai e ul zërin për të prekur. Dhe kjo është shenjë klasi, jo mungese force, është një trajtim unik i marrëdhënies, përmes të cilit ai kërkon të përshkojë ndijimet dhe të shtratifikojë urtësinë e përshkueshmërisë së lojës harmonike. Zotërimi i asaj gjendje që e thërret qenien në rrokjen e përmasave të lirisë që vjen nga përjetimi, duke e futur ndjenjën në një dimension etern përfshirjeje.
Një tjetër tipar i rëndësishëm është aftësia kompozicionale. Alban Skënderaj rrallë kompozon mbi impulse, këngët e tij janë të qarta në linjën melodike, strukturën narrative dhe zhvillimin dramatik. Ai i mendon si rrëfime që kanë hyrje, tension dhe zgjidhje. Kjo e lidh atë me traditën e cantautori-t italian, ku kënga është një “dramaturgji” e ndjenjës.
Në këtë aspekt, është më pranë Francesco De Gregori dhe Ivano Fossati, ku krijimtaria është ndarje e vetes, jo ekspozim i vetes.
Pozicioni në muzikën shqiptare, një zë jashtë zhurmës
Në peizazhin shqiptar, ku shpesh ka një mbingarkesë emocionalo-komerciale, ku shumë këngë i përkasin një mode të shpejtë, Skënderaj përfaqëson një qasje etike dhe estetike. Ai nuk prodhon, ai krijon. Dhe kjo është ajo që e dallon nga pjesa më e madhe e tregut.
Ai është nga të paktët që nuk është deformuar nga “sistemi i klikimeve”, dhe për këtë, është një model i rrallë rezistence kulturore, një sfidë e kurajshme, jo vetëm për të ruajtur autenticitetin por edhe për të dëshmuar modelin si një strukturë arti që i kundërvihet mendësive dhe paragjykimeve, sipas të cilave është tregu dhe konsumimi ai që imponon.
Krijimtaria e Alban Skënderajt nuk mund të kuptohet vetëm si suksesi i një kantautori, ajo duhet lexuar si dëshmia e një qasjeje serioze ndaj artit të këngës. Ai është një autor i përkushtuar përmes një dedikimi të urtë dhe ekuilibri që e shndërron këngën në një solemnitet të shprehjes.
Ashtu siç Bob Dylan tha dikur: “Një këngë nuk ka për detyrë të të bëjë të ndihesh më mirë, por të të bëjë të ndihesh më ndryshe.”
Skënderaj bën pikërisht këtë. Ai nuk të jep përgjigje, por të fton të bësh pyetje. Dhe kjo është forma më e lartë e artit.
Baladat e introspeksionit dhe dashurisë intime
Kjo është shtylla e artit të tij. Baladat nuk janë të ndërtuara për efekt emocional të menjëhershëm, por për përshkrim të thellë të gjendjeve shpirtërore, ndjesive të papërcaktuara, dashurive të buta, ndarjeve të heshtura.
Shembuj: “Dikur”, “Mirë se vjen në zemrën time”, “Duamë”, “Zemër përmbi zemër” (me Miriam Canin), “Mrekulli e tetë” (me Majk)
Karakteristikat dalluese të të cilave spikasin për melodi e ngadaltë, me ndërtim gradativ emocional, tekst i përpunuar, me figuracion të pasur poetik, performancë vokale e kontrolluar, përmbajtje dhe përqendrim shpirtëror.
Për të cekur sakaq këngët motivuese dhe refleksive ku, Alban Skënderaj është një ndër të paktët artistë që ka një linjë të qëndrueshme motivuese, e cila ndërthur vlerat personale, vetëbesimin dhe përballjen me jetën. Këto këngë janë himne të qeta të kurajos, jo thirrje bombastike.
E konfigurojnë këtë stlistikë krijuese; “Drejt suksesit” (me Noizy), “Ende ka shpresë”, “Nëse thua po”, “Mirëmëngjes”, “Je ti”, të cilat marrin përkatësi identitare përmes një teksti me ngarkesë etike dhe optimiste, udhëprirë përmes një zhvillimi narrativ që ndërton një udhëtim personal. Këtë specifikë të përfaqësimit të Albanit e dallon instrumentim i balancuar mes energjisë dhe introspeksionit.
Për të marrë në konsideratë ripërcaktimi të vlerave të tyre, këngët verore dhe pop-ritmike. Kjo kategori përfaqëson Albanin në versionin e tij më të lehtë dhe më të qasshëm, por gjithsesi me një kujdes estetik të qëndrueshëm. Janë këngë të ndërtuara për të përçuar ndjesinë e çlirimit emocional, të kujtimeve, të momentit.
E shpërfaqin këtë ngjyrim të hareshëm këngët; “24 orë” (me Young Zerka), “Parajsa ime” dhe “Parajsa ime 2” (me Elgit Doda), “Deja Vu”, “Imagjino” “Një ëndërr” (me Capital T). Këto ngulmime komunikuese karakterizohen nga ritme lounge/reggae/pop me ndikime mesdhetare. Refren i kujtueshëm, i lehtë për t’u kënduar, lirizëm i zbutur, me një nostalgji të ëmbël.
Vijmë te bashkëpunime me natyrë urbano-eksperimentale
Në këto këngë, Alban Skënderaj shfaqet si një partner artistik elastik, që e vë artin e vet në funksion të një dialogu muzikor, shpesh me emra nga hip-hop-i, R&B apo DJ të njohur. Këto janë këngë që flasin për adaptueshmërinë e tij pa komprometuar identitetin. Bashkëpërfshirjet që kanë arritur të përmbushin këtë ngulm përfaqësimi dhe ballafaqimi të vlertë krijuese, janë: “Ping Pong” (me MC Kresha), “Kam nevojë” (me Elinel), “Drejt në zemër” (me 2Ton), “Lamtumirë” (me Avaxus), “Një natë” (me Capital T), “1000 Premtime” (me DJ Dalool). Këto prurje artistike dallojnë nga një bashkëdyzim mes tekstit emocional dhe beats modern, kompozim i rafinuar në sfond elektronik ose rap-ritmik, ku vokali i Albanit, funksionon si nyje e ekuilibrit dhe shpirtit të këngës, si një lëndë homogjenizuese e një trupëzimi që vjen për të përcaktuar caqet e synuar të artit si mision.
Janë gjithashtu ndër gurët më të shndritshmë, ata që vezullojnë më shumë në xherdanin e këtij ceremoniali, këngët familjare dhe himne të ndjeshmërisë prindërore.
Këto janë këngë të rralla në tregun shqiptar, ku prindërimi dhe dashuria për jetën familjare shfaqen me dinjitet, thjeshtësi dhe sinqeritet, si një zë dhe predikim etiko-estetik, duke sheshuar pengimet, për ta bërë këtë qasje një gjendje që ofrohet për të ngjyruar me hare dhe dritë vetë shenjtërinë e institucionit të familjes.
Plotësojnë këtë konfigurim të tablosë; “Dhurata” (me Miriam Canin), “Mirëmëngjes”, “More than a song”, “Zemër përmbi zemër”, “Kur të them të dua”, këngë të cilat shquhen për tematikë përjetuese, pa artific, zë emocional dhe afektiv, që i flet çdo dëgjuesi, shpesh e shoqëruar me vizualitet të ndjeshëm në klip, si një përmbyllje e tërësores së kësaj qasshmërie.
Alban Skënderaj, këngëtari i poezisë së mesazhit dhe mendimit
Kënga pa tekst do të ishte një akt gjakftohtë pjesëmarrje në krim. Aftësia e këngëtarëve për t’i hequr këngës në veçanti dhe muzikës në përgjithësi, madhështinë e fjalës, magjinë e oratorisë shprehëse, është po kaq mizore sa ç’është kriminale, duke e vlerësuar aktin krijues me numër klikimesh dhe bubushmëri të konfuzionit admirues.
Ai që ka ardhur me mision për të mbajtur të homogjenizuar, lëndët përbërëse të këngës, duke trajtuar si prioritet secilen nga pjesët përbërëse, padyshim është Alban Skënderaj, ai dhe vetëm ai. Sepse askush nuk ka luajtur më fatin e vet të artistit, për të mbrojtur njëmendësinë e vlerave krijuese si ai, Alban Skënderaj. Pavarësisht se sot ai është kaluar. Nuk duhet mohuar fakti i fatit me të cilin ai ka luajtur, në emër të asaj që ka qenë dhe ka mbetur për të si kriter. Ai jo vetëm që e ngjiti poezinë në eterin e olimpit të një tradite të pasur, por ngulmoi ta vendoste punën e tij në podin e nderimit të saj si një besim. Sepse poezia, fjala, metafora, mendimi, muzikaliteti i rimës dhe vargut, përshkueshmëria emocionale dhe impakti, nuk trajtoheshin të veçuara si copëza të një pazolli, por si një lëndë homogjene.
Albani dhe Miriam, një marrëdhënie simbiotike në art
Pavarësisht se si, Miriam Cani, ashtu edhe, Alban Skënderaj, kanë në repertorin e tyre këngë solo, bashkëpunimi i tyre e tejkalon standardin e gjetjes së kalkulimeve harmonike, sheshimin e strukturës vokale dhe balancimin e kulmimit të timbrit. Përtej logjikës së zakonshmërisë që gjen përkime, rrjedhimisht të kushtëzuara nga statusi social dhe lidhjet e tyre, një vëmendje e painformuar për anën formale të asaj që i lidh këta të dy, do të arrijnë të kuptojnë, se ata janë një simbiozë krijimi dhe virtuoziteti interpretues.
Pa patur nevojën e shtysave besëtyte, vetëm sa komunikimi i tyre krijues, mund të dalim në përfundimin se ata mund të jenë komunikimi më unik i një marrëdhënie krijuese. Në të gjithë komponentët përbërës të aktit shprehës, ata vijnë një harmonizim të tillë përshkueshmërie, aq sa shpesh do ta kesh të pamundur të ndash zërat dhe të sheshosh kulmimet, ku vokali i tyre ngjitet dhe vibrimet që ai promovon si ngjyrim përjetues gjejnë shtresime për t’u bashkëpërfshirë në një emocion etern.
Këngët e tij dëgjohen e dëgjohen, dhe sërish dëgjohen
Duke lënë mënjan pozitat e admiruesit, dhe duke ju referuar aftësisë që ky këngëtar ka të depërtojë në nevojën e atyre që janë të lidhur shpirtërisht dhe psikologjikisht me këngën, nuk do të ishte e vështirë të kuptoje se ai nuk është një këngëtar që adhurohet, ai është një gjendje, emocion, përjetim, është fuqia depërtuese e artit të këngës, në mënyrën se si njerëzit vendosin këndvështrimin me të sotmen, me jetën e tyre, më të kuptuarin dhe të lexuarin e çdo fenomeni jetësor.
Sepse Alban Skënderaj u flet të gjithëve, dhe gjen mënyrën për të depërtuar në thellësinë e çdonjërit, qoftë ky dhe një jo fanatik i muzikës dhe këngës. Të rrëmbyerit e zemrave me zërin dhe fjalën e tij, me muzikën dhe klipet, ndoshta është më shumë se një mënyrë për të kuptuar se si arti i Alban Skënderajt i magjesp njerëzit, duke i thirrur në këtë gosti krijimi, si në një ceremonial të shenjtë besimi.
Këngët e tij dëgjohen e dëgjohen, dhe sërish dëgjohen, është ndoshta pikërisht kjo marrëdhënie që kënga, muzika dhe poezia e tij, arrijnë të bëjnë njerëzit për vete, sepse ai u flet të gjithëve dhe secili prej tyre ka diçka për të dëgjuar në oratorinë elekuente të Alban Skënderajt. Gjithë larmia e veprimtarisë jetësore e jona është e shkrirë dhe e trupëzuar në aktin krijues dhe interpretues të tij.