Nga Albert Vataj
Në një qoshe të fshehtë të historisë njerëzore, në brigjet e lumit Songhua të Kinës verilindore, një kafkë e ruajtur me kujdes për dekada të tëra doli më në fund në pah, duke ndezur kureshtjen e botës dhe duke guxuar të flaki tej çfarë ne dinim për origjinën. Sepse ky tejpërshkim në kohë sjell të reja që i mbivendosen shtresimeve që kureshtja dhe sfidat kërkimore renditen në hierarkinë e prejardhjes së njeriut.
Kafkë e ashtuquajtur “Dragon Man”, me emrin zyrtar Homo longi, u zbulua në verilindje të Kinës dhe vlerësohet të jetë rreth 146.000-vjeçare.

Ishte vitet e Luftës së Dytë Botërore kur një punëtor, në heshtjen e tij, e ruajti këtë fosil nga trazirat e kohës. Vetëm më vonë, kur ajo kafkë e çuditshme u dorëzua në duart e shkencës, filloi një kapitull i ri në kronikat e evolucionit njerëzor.
Kjo kafkë, e quajtur me një emër që ngjall imagjinatë e mit, “Dragon Man”, dhe e njohur shkencërisht si Homo longi, shfaqet si një dëshmi që nuk i përket plotësisht as të shkuarës arkaike, as botës moderne. Madhësia e saj mbresëlënëse, me një tru që mund të krahasohej me tonin, dhe tiparet e saj të fuqishme, harqe të theksuara të vetullave, zgavra të mëdha të syve, një nofull e gjerë dhe dhëmbë të fortë, krijuan menjëherë idenë se këtu kemi të bëjmë me një krijesë të një bote tjetër, ndoshta një specie krejt të panjohur.
Por, shkenca e sotme ka fuqinë të depërtojë aty ku syri i lirë nuk arrin. Përmes teknikave më të avancuara të analizës së proteinave dhe fragmentëve të ADN‑së, një ekip ndërkombëtar paleoantropologësh arriti në një përfundim mahnitës: “Dragon Man” nuk është një specie e re, por një përfaqësues i linjës misterioze të Denisovanëve, një popullim i zhdukur, kushëri i afërt i Neandertalëve dhe njeriut modern.
Për vite të tëra, Denisovanët kishin qenë vetëm një hije në kronikat e evolucionit, të njohur nga një dhëmb, disa fragmente kockash dhe gjurmë ADN-je të gjetura në shpellën Denisova të Siberisë dhe në lartësitë e Tibetit. Sot, për herë të parë, ne kemi një fytyrë, një kafkë të plotë, që na lejon të imagjinojmë fizionominë e tyre dhe mënyrën se si kanë jetuar.
Studiuesit kanë komentuar me entuziazëm këtë zbulim. Xijun Ni, paleoantropolog në Universitetin e Hebeit, e përshkruan kështu: “Dragon Man është një nga fosilet më të rëndësishme që kemi gjetur ndonjëherë. Ai na tregon se rrënjët tona janë më të ndërlikuara dhe më të pasura sesa kemi menduar.”
Ky zbulim ka ndikim të thellë, tregon se Denisovanët nuk ishin të kufizuar në Siberi, por ishin të përhapur në të gjithë Azinë. Ka të ngjarë që ata të kenë ndarë territore, madje edhe gjene, me njerëzit e hershëm modernë. Disa popullsi të sotme në Papua Guinenë e Re dhe në rajone të tjera të Azisë Juglindore mbartin ende gjurmë të ADN‑së së Denisovanëve, duke dëshmuar për ato takime të largëta.
Në këtë mënyrë, Kafka e “Dragon Man” nuk është thjesht një fosil; ajo është një kujtesë e gjallë se historia e njeriut është një mozaik kompleks, një rrjet i pafund kryqëzimesh dhe eksperimentesh të natyrës. Ajo na kujton se ne jemi trashëgimtarë të shumë botëve, se në trupin tonë rrjedhin gjurmë të takimeve dhe bashkëjetesave të lashta.
Kur sot e soditim këtë kafkë të lashtë, me tipare të forta e të ashpra, mund të imagjinojmë një njeri që shikon nga horizonti i një epoke tjetër, duke bartur në vete sekrete që ne sapo po fillojmë t’i kuptojmë. Në të, ne gjejmë një pasqyrë të origjinës sonë, një dëshmi se njeriu nuk është një vijë e drejtë, por një lumë që degëzohet, bashkohet, përplaset e gërshetohet në udhëtimin e tij drejt së sotmes.