Albert Vataj
Ajo ishte një grua e gjallë, me frymë të butë dhe me një brendësi që s’e përshkruan dot fjala. Një fisnike italiane nga familja e njohur Gherardini e Firencës, e lindur më 15 qershor 1479 dhe e ndarë nga jeta më 15 korrik 1542. Por historia do ta njihte me një emër të dytë, një emër që nuk i përket më një njeriu, por një misteri të pambarim, Mona Lisa.
Lisa del Giocondo ishte bashkëshortja e një tregtari të mëndafshit, Francesco del Giocondo, një burrë më i madh në moshë, të cilit ajo i solli në jetë pesë fëmijë. Jeta e saj në Firence ishte ajo e një zonje të respektuar, e zhytur në ritmet e një familjeje të mirëqenë, pa drama të mëdha e pa mungesa, një jetë që s’e priste asnjë tragjedi e asnjë lajmërim hyjnor. Por në përkuljen e kohës, buzëqeshja e saj do të merrte peshën e një universi të tërë.
Leonardo da Vinci, mjeshtri i papërsëritshëm i Rilindjes, do të fiksonte në kanavacën e tij jo vetëm fytyrën e saj, por një çast të kapur mes shpresës dhe dyshimit, mes gjallërisë dhe një melankolie që të mbërthen. Ajo buzëqeshje e fshehtë, e eterike, do të shndërrohej në sfidë për shekuj me radhë. Historiani i artit Ernst Gombrich do ta quante “enigmën më të madhe të pikturës perëndimore”, ndërsa Walter Pater do të shkruante se Mona Lisa është një “personifikim i përvojës njerëzore, që na vështron me atë buzëqeshje të ditur që ka parë gjithçka dhe prapë hesht.”
Shekujt kaluan dhe fytyra e saj, e fiksuar në atë portret të përjetshëm, filloi të jetojë një jetë tjetër, jo më të një gruaje, por të një miti. Ajo nuk ishte më vetëm Lisa del Giocondo; ajo ishte bërë simboli i gjithë Rilindjes, një ikonë që tejkalon kohën, një logo e pavdekësisë së artit. Në të njëjtën kohë, misteri që e rrethon, çfarë fshihet pas atyre syve që ndjekin çdo shikues? çfarë thotë ajo buzëqeshje e lehtë që shfaqet dhe zhduket? Ushqeu teoritë më të guximshme dhe më të çuditshme, nga Freud-i që e pa si shfaqje të nënës së humbur, te kritikët modernë që e lexojnë si një alegori të fshehtë të feminitetit universal.
Piktura, e ruajtur në Luvër, u bë në shekuj një objekt pelegrinazhi, një altar ku njerëzimi mblodhi kureshtjen dhe adhurimin e tij. Që nga vjedhja famëkeqe e vitit 1911 e deri te riprodhimet e pafundme në kartolina, t-shirt, meme e reklama, Mona Lisa është bërë jo vetëm arti më i famshëm në botë, por edhe një pasqyrë ku bota sheh vetveten.
Vetëm në vitin 2005, pas kërkimeve të gjata në arkivat e Firences dhe zbardhjes së “Codex” të Agostino Vespucci-t, u konfirmua përfundimisht se modeli i Leonardo-s ishte vërtet Lisa del Giocondo. Një grua e thjeshtë, e një qyteti të artit, e një kohe që s’e dinte se po bënte histori.
Dhe ja ku jemi sot: përpara asaj buzëqeshjeje që na ka shoqëruar pesë shekuj, që mbetet një çelës pa bravë, një rreze që depërton përtej kuptimit. Mona Lisa nuk është vetëm Lisa, ajo është misteri i artit, i jetës dhe i vetë kohës që s’mund ta mbajë dot brenda një emër.