Nga Albert Vataj
Ky mund të jetë portreti më i hershëm që ka mbijetuar nga Rogier van der Weyden, një nga mjeshtrit më të mëdhenj të artit flamand të shekullit XV, dhe ndoshta, edhe më i gjalli i tij. Ajo që e bën këtë portret të rrijë me kaq forcë përballë kohës, është jo vetëm virtuoziteti teknik, por dhe tensioni emocional që përshkon çdo detaj të tij.
Vështrimi i gruas, i kthjellët, i përqendruar, me një kureshtje inteligjente që kufizohet me sfidën, e kap menjëherë shikuesin. Ky kontakt i drejtpërdrejtë vizual, në një epokë kur subjektet shpesh shmangnin sytë e spektatorit, dëshmon për një risi të thellë në psikologjinë e portretit dhe për mjeshtërinë e van der Weyden në përçimin e pranisë njerëzore.
Çdo detaj është i kujdesur deri në përpikmëri, nga mënyra si gishti i saj shtrihet lehtë mbi njërën dorë, deri te rrudha më e imët e mbulesës së kokës. Këto elemente nuk janë vetëm të bukura për syrin, por përçojnë një realizëm tronditës. Piktori përdor bojën e vajit me një mjeshtëri të rrallë, të frymëzuar nga bashkëkohësi dhe, sipas gjasave, mentori i tij, Jan van Eyck. Ndikimi i këtij të fundit është i dukshëm në transparencën e teksturave, në ngrohtësinë e dritës dhe në ndërtimin kompozicional që arrin një ekuilibër thuajse arkitektonik.

E reja e portretizuar mbetet ende pa emër. Megjithatë, në heshtjen e saj ka gjurmë që flasin, mbulesa e kokës sugjeron një grua të martuar, një detaj i rëndësishëm për kodin vizual të kohës. Edhe pse pa stoli të shndritshme apo simbole të hapura aristokracie, cilësia e veshjes së saj, prerja dhe materiali, nënkuptojnë një grua të një klase të mesme të mirëvendosur, ndoshta të një familjeje tregtare ose qytetare të pasur. Brukseli, ku van der Weyden ushtroi pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij, është ndoshta edhe vendbanimi i saj.
Portretet e Van der Weyden janë të njohura për intensitetin emocional dhe vërtetësinë shoqërore që i karakterizon. Ai nuk e ndan fizionominë nga shpirtëroren, statusin nga personaliteti. Kjo pikturë përfaqëson më shumë sesa një fytyrë, ajo është një shpërfaqje e përmbajtur e një qenieje njerëzore që jeton ende përmes shekujve, që shikon, mendon, sfidon dhe pranon të shihet.
Rreth vitit 1440, kohë e mundshme e krijimit të këtij portreti, Rogier van der Weyden ishte në kulmin e një periudhe kur arti flamand nisi të lëvizte nga simbolika gotike drejt natyralizmit të detajuar, të përqendruar në njeriun si qenie unike dhe të ndjeshme. Përdorimi i bojës vaji i dha jetë dhe thellësi kësaj lëvizjeje, duke bërë të mundur që portreti të shquhej për një përfaqësim pothuaj fotografik të pëlhurës, mishit dhe dritës.
Kjo pikturë nuk është thjesht një dëshmi e mjeshtërisë së piktorit. Është një testament i gjallë i një epoke që nisi të përvijojë individualitetin, ndjeshmërinë dhe shpirtin përmes artit. Pesë shekuj më vonë, ajo grua ende na vështron. Dhe ndoshta, më shumë se kurrë, na fton ta kuptojmë.