Nga Albert Vataj
Artemisa B, e ekspozuar sot në Muzeun Arkeologjik të Pireut, është një ndër statujat më të rralla të bronzit të mbijetuara nga Greqia e lashtë. Daton në gjysmën e parë të shekullit III para Krishtit, një periudhë që i përket epokës helenistike, kur arti grek mori përmasa më realiste, dinamike dhe ekspresive në krahasim me idealizmin e epokës klasike.

Statuja është afërsisht në madhësi natyrale, e punuar në bronz të derdhur, dhe përshkruan një figure femërore në ecje, me krahun e djathtë të ngritur, gjest që sugjeron se mbante një hark ose ndonjë objekt tjetër të lidhur me mitologjinë e saj. Identifikimi si Artemis, perëndesha e gjuetisë dhe e virgjërisë, vjen nga pozicioni i krahut dhe ikonografia krahasuese me përshkrime të tjera të saj në art.

Veshja është një chiton i hollë që shtrihet deri mbi gjunjë, duke ndjekur format trupore në mënyrë shumë natyrale dhe delikate, një shembull i qartë i asaj që grekët e lashtë e quanin “vëzhgimi i trupit përmes petkut”, një teknikë e njohur si wet drapery në kritikën moderne.
Statuja u zbulua në 1959, gjatë gërmimeve në portin antik të Pireut, së bashku me skulptura të tjera të rëndësishme në bronz: Athinaja e Pireut, Apolloni dhe një tjetër statujë femërore më e dëmtuar. Kjo përbën një nga gjetjet më të mëdha të bronzit antik në Greqi, pasi shumica e skulpturave të bronzta janë shkrirë në Mesjetë për qëllime praktike, si armë ose vegla.
Artemisa B, në këtë kontekst, është një mrekulli e ruajtjes, dhe vlera e saj rritet pikërisht sepse bronzi, ndryshe nga mermeri, ishte material shumë më i rrallë për të mbijetuar nga lashtësia.

Çfarë e bën këtë statujë të veçantë, është jo vetëm natyralizmi i formave, por edhe gjesti i ndërprerë, që e lë shikuesin të përfshihet emocionalisht. Artemis është në ecje, ndoshta duke ndjekur një pre, ndoshta duke u kthyer nga një tingull. Ajo është e përqendruar dhe e lehtë në lëvizje, por gjithashtu mbart një forcë të brendshme, që mishëron paqen dhe rrezikun që mbart kjo perëndeshë.
Syri i saj bosh tregon se ndoshta statuja ka pasur më parë sy të inkrustuara me materiale të çmuara (xham, gurë ose fildish), duke shtuar edhe më shumë dramatikë dhe realizëm.

Për të apasionuarit pas artit antik, Artemisa e Pireut nuk është thjesht një objekt muzeal. Ajo është një takim me një mendësi që kërkonte harmoni ndërmjet formës njerëzore dhe idealeve hyjnore. Ajo është dëshmi e një epoke kur arti nuk imitonte jetën, por i jepte asaj kuptim dhe shpirt.
Nëse ndodheni ndonjëherë në Athinë ose Pire, ndaloni për një çast përballë saj. Shikojeni jo vetëm si një statujë të bukur, por si një zë të heshtur që flet nga thellësia e historisë helene, një hyjneshë e gdhendur në frymë dhe metal, që ka përballuar jo vetëm kohën, por edhe harresën.