Nga Albert Vataj
Ndër imazhet më të rrënjosura në kujtesën e historisë perëndimore është ai i Atillës së Hunëve, një kalorës i stepave, i përflakur nga tymi i qyteteve të shkrumbuara, një “shpatë e Zotit” që solli dridhje në portat e Romës dhe Kostandinopojës.
Por mes rrënojave dhe mitologjive të frikës, nga hija e një bote që kujtoi vetëm tmerrin, del një objekt i vogël e i çmuar: një jakë mbretërore prej ari, e punuar me mjeshtëri dhe bukuri të rafinuar. Një relike që nuk ulërin si kalorësit hunë, por rrëfen me elegancë një të vërtetë më të thellë, atë të një kulture me shije, sofistikim dhe vizion artistik.

Kjo jakë, që daton nga shekulli V, është më shumë se një stoli, është një dëshmi e ndërlikimit estetik të një populli nomad, që nuk njihte kufijtë e shteteve, por i tejkalonte ata përmes artit të lëvizshëm dhe shkëmbimeve kulturore. E punuar me ar të thurur dhe e stolisur me gurë granat të prerë hollë, ajo përfaqëson një kulm të teknikës së cloisonné, një metodë zbukurimi që kërkon precizion, durim dhe sy për simetrinë.

Dizajni i dy dragojve në skajet e jakës është sa i fuqishëm, aq edhe simbolik. Dragoi, në botëkuptimin e stepave euro-aziatike, është shpesh mbrojtës dhe shenjë force mbinatyrore. Në këtë objekt, ai bëhet portë hyrëse në identitetin e elitës hunike, një shenjë statusi që nuk buronte nga dhuna, por nga përkatësia në një univers simbolik që ndërthurte mitin, pushtetin dhe artin.

Në gojët e tyre, dragojt mbajnë një unazë të brazduar, një detaj delikat që mund të ketë shërbyer për të fiksuar jakën, ndoshta me rruaza në skaje, duke e bërë jo thjesht një zbukurim, por një ritual mbi trupin mbretëror, një ceremonial i pushtetit dhe hijeshisë.

Hunët, të konsideruar në histori si “barbarët”, ishin në të vërtetë bartës të një trashëgimie të lëvizshme të artit e mjeshtërisë. Ata nuk lanë tekste, por lanë gjurmë në metal, në kalë, në simbolikë. Kjo jakë na fton ta rimendojmë Atillën, jo vetëm si kalorës që prish, por si mbret që ndërton përmes kulturës që jeton në objekte. Një kulturë që udhëtonte përmes hapësirës më shumë se përmes kohës.
Filologu hungarez Arminius Vambéry ka shkruar dikur se “Hapat e Atillës ishin të rëndë si rrufe, por shenja e tij më e thellë është ajo që nuk u ndje në zhurmë.” Kjo jakë është, ndoshta, ajo shenjë e butë dhe e përjetshme.