Nga Albert Vataj
Në veprën e tij madhore “A History of Western Philosophy” (1945), Bertrand Russell e artikulon qartë vlerësimin e jashtëzakonshëm për Platonin dhe Aristotelin. Sipas tij, këta të dy janë figurat më me ndikim në filozofinë perëndimore, të lashtë, mesjetare apo moderne. Platoni, megjithëse më i hershëm, la një gjurmë më të thellë, për arsye sepse Aristoteli vetë ishte produkt i Platonit, filozofia dhe teologjia e krishterë, deri në shekullin XIII, ishin kryesisht platonike. Utopia, teoria e ideve, kozmogonia, dhe trajtimi i universalëve e bëjnë Platonin një figurë themelore në historinë e mendimit.
Alfred North Whitehead, matematicien dhe filozof, e ngjesh në një pohim të famshëm këtë realitet historik: “Tradita më e përgjithshme e filozofisë evropiane përbëhet nga një seri shënimesh të gjata që komentojnë mbi Platonin.” Kjo thënie nuk është vetëm metaforike, por nënvizon faktin se pothuajse çdo mendimtar më pas, qoftë përmes pasimit, zhvillimit apo kundërshtimit, i është përgjigjur problemeve që Platoni i artikuloi për herë të parë.
W. F. Hegel, një nga mendjet më sistematike të shek. XIX, shihte tek Platoni mishërimin e përpjekjes së njeriut për të themeluar një rend etik. Për Hegelin, Republika është modeli i parë i një bashkësie ku morali dhe politika janë të pandashme, ku individi dhe shteti jetojnë në unitet ideal. Ai e konsideronte Platonin si një pararendës të rëndësishëm të sistemit të vet filozofik.
Edhe kur sulmon, Nietzsche e konfirmon ndikimin. Ai e konsideronte Platonin si “shpikësin e botës së përtejme”, si themeluesin e një metafizike që njeriun e ndan nga realiteti trupor. Megjithatë, ai nuk mund ta mënjanonte rëndësinë e tij: pikërisht sepse Platoni i ofroi mendimit perëndimor një vizion të dyzuar të ekzistencës, që do të përshkonte gjithë historinë e mëvonshme.
Nëse Platoni ngriti qiellin e ideve, Aristoteli ndërtoi tokën e dijes. Ai institucionalizoi logjikën, formuloi klasifikimin e shkencave, vendosi bazat e etikës së virtytit, të metafizikës si “filozofia e parë” dhe të biologjisë si studim empirik. Pierre Hadot thotë se Aristoteli e mësoi mendjen perëndimore të kërkojë shkaqet dhe të mendojë përmes kategorive.
Historiani i filozofisë, Etienne Gilson ka treguar se mendimi i hershëm i krishterë ishte më shumë platonik se sa aristotelian. Vetëm me Shën Tomë Akuinin dhe rizbulimin e Aristotelit nga bota arabe u bë ribalancimi. Deri atëherë, për Kishën, Platoni ishte filozofi që më së shumti përputhej me zbulesën e krishterë, për shkak të idealizmit të tij moral dhe metafizik.
Platoni dhe Aristoteli janë si dy pole të një magneti që tërheqin mendimin filozofik në drejtim të së përjetshmes dhe të së tashmes, të idesë dhe të formës. Platoni është poet i së përkryerës; Aristoteli, inxhinier i së mundshmes. Të dy janë rrënjë të një trungu të madh që ka mbajtur në këmbë strukturat e dijes, të mendimit dhe të arsyes për më shumë se 2400 vjet. Përmes tyre, filozofia perëndimore mëson të mendojë jo vetëm çfarë është, por edhe çfarë duhet të jetë.
Në këtë mënyrë, pohimi i Russell gjen jehonë të thellë jo vetëm në historiografi, por edhe në vetë strukturën e mendjes sonë bashkëkohore.