Albert Vataj
Në çdo epokë ka pasur gra që, përballë mureve të ngritura nga burrat dhe paragjykimet, kanë gdhendur shtigje me trupin, mendjen dhe shpirtin e tyre. Agnodika është njëra prej tyre. Në një botë që e kishte përjashtuar nga dija dhe nga e drejta për të shëruar, ajo nuk bëri asnjë kompromis me heshtjen. E fshehur nën rrobat e një burri, por e zhveshur nga çdo frikë, ajo mjekoi, dhe me çdo lindje që ndihmonte, rilindte edhe vetë kuptimi i drejtësisë.
Në Greqinë e lashtë, ligji ua ndalonte grave të studionin apo të ushtronin mjekësinë. Por Agnodika, e lindur rreth vitit 300 para erës sonë, zgjodhi të mos heshtë përballë padrejtësisë. Ajo preu flokët, veshi rrobat e burrave dhe u fut fshehurazi në shkollën e mjekësisë në Aleksandri, një akt që do ta kthente në legjendë.
Pasi përfundoi studimet, rrugët e Athinës u bënë skena e parë e shërbimit të saj. Një ditë, duke kaluar pranë një shtëpie, dëgjoi klithmat e një gruaje në lindje. Por e dëshpëruar dhe e frikësuar, gruaja nuk pranoi ndihmën e saj, mendonte se ishte burrë. Ishte ai çast kur Agnodika u zhvesh në fshehtësi dhe dëshmoi se ishte grua. Vetëm atëherë gruaja e lejoi të ndërhynte, dhe ajo solli në jetë një fëmijë.
Ky gjest i rrallë i mëshirës dhe guximit u përhap si flakë në erë mes grave të Athinës. Të gjitha ato që kishin turp, frikë apo nevojë, nisën të kërkonin Agnodikën. Ajo u bë jo vetëm mjeke, por shpresë. Por popullariteti i saj nuk kaloi pa zemërim: burrat mjekë, të xhelozuar e të poshtëruar, e paditën, duke e akuzuar për joshje të pacienteve femra. Në gjyq, Agnodika u detyrua të tregojë të vërtetën: se ishte grua. Por gjykimi i kohës nuk ndëshkonte mashtrimin, por vetë faktin që një grua kishte guxuar të mësonte dhe të mjekonte. U dënua me vdekje.
Por ashtu siç kishte ngjallur dashuri në zemrat e grave, zgjoi edhe revoltë. Gratë, sidomos bashkëshortet e gjykatësve, u ngritën në mbrojtjen e saj. Disa u zotuan se do të vdisnin me të, nëse ajo do të ekzekutohej. Përballë këtij shpërthimi të përbashkët të ndërgjegjes dhe mëshirës, gjykatësit hoqën dorë nga dënimi dhe ndryshuan ligjin: prej asaj dite, grave iu lejua të ushtronin mjekësinë, me kusht që të trajtonin vetëm gra.
Kështu, Agnodika nuk ishte më thjesht një emër. Ajo u bë pikënisje, simbol i një kohe që filloi të çahej nga brenda për të lëshuar dritë. Ajo mbeti në histori si e para mjeke, e para gjinekologe, dhe mbi të gjitha, si një grua që guxoi të jetë besnike ndaj dhimbjes së tjetrit, përtej ligjeve, përtej frikës, përtej vetes.
Një pllakë që e paraqet Agnodikën në veprim u zbulua në Ostia të Italisë, si dëshmi e një kujtese që koha nuk arriti ta fshijë. Ajo jeton ende, jo vetëm si histori, por si thirrje.
Sot, në një botë që i njeh më shumë të drejta grave, por jo gjithnjë u jep vendin që meritojnë, historia e Agnodikës mbetet një ogur. Një kujtesë se çdo e drejtë që kemi sot është paguar nga dikush më parë me dhimbje, me rrezik, me jetë. Dhe është përgjegjësia jonë që këtë kujtesë ta mbajmë gjallë, jo vetëm si tregim, por si frymë që na sfidon të bëhemi më njerëzorë, më të drejtë, më të dhembshur.