Albert Vataj
Në fundin e shekullit XIX, “Terapia me vibrim” doli në skenë si një risi mjekësore, interesante, ndonëse sot e tejkaluar. Mjekët dhe shpikësit e asaj kohe besonin se dridhjet mekanike të kontrolluara ndihmonin në përmirësimin e qarkullimit të gjakut, relaksimin e muskujve të tensionuar dhe lehtësimin e simptomave si dhimbjet e kokës, neuralgjitë apo lodhja e përgjithshme.
Rreth viteve 1890, u krijuan pajisje të specializuara që ngjanin me aparate primitive për masazh. Këto makina aplikonin goditje ritmike në zonën e kokës apo të qafës, me pretendimin se “dridhjet shkencore” do të sillnin çlirim nga dhimbja. Për atë epokë, kjo metodë përfaqësonte magjepsjen me elektricitetin, teknologjinë dhe konceptin e trupit modern, të trajtueshëm përmes mekanikës.
Kjo foto me karakter teatror duket se paraqet një variant të improvizuar të terapisë: një njeri me kokën të futur në një kovë të mbështetur mbi stërrallë (hinkë prej hekuri), ndërsa një farkëtar ngre çekanin, ndoshta për të prodhuar “dridhjen” përmes një goditjeje të kontrolluar. Dy gratë në sfond shtojnë më tej efektin dramatik të skenës, mes çudisë, ndoshta frikës, dhe ritualit.
Edhe pse Terapia me Vibrim për dhimbje koke nuk praktikohet më sot, koncepti i saj jeton ende: pajisjet moderne si “massage guns” apo platformat e dridhjes për gjithë trupin janë pasardhësit e rafinuar të kësaj ideje. Një dëshmi se, edhe kur duket e çuditshme, një ide e vjetër mund të ketë një jetë të gjatë – e maskuar si risí.