Albert Vataj
Erich Fromm, në “Arti i të dashuruarit”, e çliron dashurinë nga skemat tradicionale të ndjenjës së përqendruar në një objekt të veçantë dhe e paraqet atë si një gjendje të brendshme të qenies, si një orientim të karakterit që ndikon mënyrën se si një individ lidhet me botën. Ai e sheh dashurinë si një cilësi të qenies dhe jo si një marrëdhënie të kushtëzuar nga prania e një tjetri specifik.
Në këtë këndvështrim, dashuria nuk është thjesht një lidhje ekskluzive, por një aftësi, një mënyrë ekzistence që përfshin përkushtim, përgjegjësi dhe kujdes ndaj njerëzimit si tërësi. Një njeri që dashuron vërtet, nuk mund të jetë selektiv në ndjenjën e tij duke e kufizuar atë vetëm tek një individ, ndërkohë që mbetet indiferent ndaj të tjerëve. Nëse dashuria e tij është ekskluzive dhe përjashtuese, ajo shndërrohet në një formë të lidhjes simbiotike – ku dy individë mbështeten te njëri-tjetri jo për shkak të një ndjenje të lirë dhe autentike, por për të mbushur boshllëqet e vetvetes. Kjo nuk është dashuri në kuptimin e plotë të fjalës, por një formë e zgjeruar e egoizmit, ku tjetri bëhet një mjet për të plotësuar mungesat personale.
Një nga iluzionet më të zakonshme, sipas Fromm-it, është se dashuria buron nga objekti dhe jo nga aftësia. Shumë njerëz besojnë se dashuria është thjesht një reagim ndaj dikujt që e shohin si të veçantë apo tërheqës. Por kjo do të nënkuptonte se dashuria është diçka e rastësishme, një ndjenjë që varet nga dikush tjetër, jo një virtyt apo aftësi që e kultivon dhe e zotëron vetë individi. Në të vërtetë, ai që është i aftë të dojë, nuk e kufizon dashurinë e tij në një person të vetëm, por e shtrin atë në një mënyrë gjithëpërfshirëse ndaj të tjerëve, duke reflektuar kështu një orientim të brendshëm dhe jo një varësi të jashtme.
Në këtë kontekst, ajo që shoqëria shpesh e quan dashuri, nuk është dashuri në kuptimin e plotë të fjalës, por një mekanizëm i pavetëdijshëm i mbushjes së vetmisë, i gjetjes së sigurisë dhe i përforcimit të egos. Dashuria e vërtetë, sipas Fromm-it, është një dhënie aktive, një gjendje e brendshme e cila, nëse ekziston, nuk mund të kufizohet, por shtrihet në çdo marrëdhënie dhe në çdo aspekt të jetës.
Ky këndvështrim sfidon konceptet tradicionale të dashurisë si një ndjenjë romantike të drejtuar ndaj një personi të vetëm dhe na fton të reflektojmë mbi thelbin e saj si një virtyt që duhet të kultivohet dhe të përjetohet si një mënyrë qenieje.
Përgatiti: Albert Vataj











