Albert Vataj
Duart, duart janë ajo thirrje të thekshme të heshtjes së mijëra pulseve, e një pafundësie qiejsh kopulimi. Prekja dhe prehja, pulitja dhe përpëlitja e çastit, që në frymimin e një akti pranie jepen, duke u zgjatur drejt nesh si jehona.
Ata janë degët e pemëve të ndjenjave që harliri pasioni, pranverave ku aromat dehon e limfat tërbohen, nata dritet nëpër shkreptima rrufesh që prekja ndez.
Janë frymëmarrja që tendoset e na lë pa frymë në çaste e shpërthimeve përjetuese, kur ndjenja përmes prekjes jepet mbushur përplot me etjen e dëshirimeve.
Bien mbi prekje ato prekje, e dete dëshirimi zgjohen, e hidhen në krahët e stuhisë, në kërkim të qiejve ku zjarret e kurmeve kërkojnë epje harrimtare e prehje kopuluese.
Zgjohen stinët e epshit në bulëzat e këtyre prekjeve, yje çelin, diej ndezin e kaplojnë trupin, pleksen thellë llavave që ziejn e hyjnë përfundi këto rrënjë, përpijnë me drithërima e përshkojnë me oh.
Jam prekje e ndrojtur, në çastin e epshëm të dëshirimit për prehje, plot padurim që pluskon mbi suprinën e lumit të epjes, andjes që pret t’i dorëzohet stuhis.
Nëpër bulëza e pëllëmbë, lëmimeve të ledhatimeve e shkrepëtimës sa kontaktit, shkrepin diej e ne digjemi, në kërkim të flakëve që kaplojnë përpushja e gjithë petaleve, ku dalldisja e pranverës ofron prehje.
Prekemi, e thellë zbresin tërbimet e gjakut, zgjohen prej letargjive të dimrave të gjatë, hukamët e jetës që prushin e ndezin limfon që mbush trupat me vërshim, e degët mbush me syth, gjethe e lule.
Mbushur me prekje erdhi ky çast prehjeje dëshirimesh që leht trokasin në epje, e ne zgjohemi për t’iu dhënë prekjes që përmes prejes, thërret në çfarë ndjejmë, dhe çfarë na përpin në përjetime.











