“Arsyeja e ka arritur atë çka mund të arrinte, për të gjetur një ligj të përshtatshëm e për ta popullar atë, por i takon energjisë së vullnetit dhe zjarrit të ndjenjave të zbatojë këtë ligj. Nëse e vërteta duhet të ruaj fitoren në konflikt me forcën, atëherë ajo fillimisht duhet të bëhet vetë forcë, dhe të kthejë njërin nga instinktet e njeriut në kampionin e saj, në perandorinë e fenomeneve, sepse instinktet janë të vetmet forca lëvizëse në botën materiale. E nëse deri më sot e vërteta e ka treguar aq pak forcën e vet ngadhënjyese, kjo nuk është faji i gjykimit, që nuk e ka zhvilluar atë, por i zemrës që ka qëndruar e mbyllur ndaj saj dhe instinktit që nuk ka mundur të veprojë bashkë me të.”
Ky fragment i Friedrich von Schiller është një nga ato nyje mendimi ku përplasen tre forca themelore të qenies njerëzore, arsyeja, vullneti dhe ndjenja. Ai nuk flet thjesht për të vërtetën si koncept abstrakt, por për fatin e saj në botën reale, aty ku nuk mjafton të jesh i drejtë, por duhet të jesh i fuqishëm.
Në thelb, Schiller vendos një dallim të prerë, arsyeja është ligjvënëse, por jo zbatuese. Ajo arrin të formulojë parime, të ndërtojë norma, të projektojë një rend të drejtë. Por këto mbeten të pafuqishme nëse nuk mishërohen në energjinë e gjallë të njeriut. Pra, arsyeja është arkitekti, por jo ndërtuesi.
Këtu hyn në lojë vullneti dhe ndjenja. Schiller i sheh si motorë ekzistencialë, si forca që e lëvizin njeriun drejt veprimit. Në një mënyrë shumë të afërt me atë që më vonë do ta artikulonte Friedrich Nietzsche me “vullnetin për fuqi”, Schiller sugjeron se e vërteta nuk triumfon sepse është e vërtetë, por sepse bëhet forcë. Dhe për t’u bërë forcë, ajo duhet të depërtojë në sferën e instinktit.
Kjo është pika më radikale e fragmentit: instinktet janë të vetmet forca lëvizëse në botën materiale.
Kjo do të thotë se çdo ide, çdo e vërtetë, çdo sistem moral , nëse nuk arrin të përkthehet në instinkt, mbetet sterile. Nuk ndikon, nuk ndryshon, nuk sundon.
Schiller, në këtë mënyrë, rrëzon një iluzion të përhapur racionalist, se mjafton të njohësh të mirën për ta bërë atë. Përkundrazi, ai thotë se dështimi i së vërtetës nuk është dështim i mendjes, por i zemrës. Jo sepse arsyeja nuk ka ditur ta formulojë të vërtetën, por sepse ndjenja nuk e ka përqafuar atë dhe instinkti nuk e ka bërë të vetën.
Pra, kemi një trekëndësh funksional, arsyeja, e cila formulon të vërtetën.
Ndjenja, që e bën atë të dëshirueshme. Dhe instinkti që e kthen në veprim.
Kur njëra mungon, e vërteta mbetet e paplotë.
Në një plan më të thellë antropologjik, ky mendim lidhet edhe me tensionin që trajton Carl Gustav Jung mes ndërgjegjes dhe të pandërgjegjshmes. Për Jungun, ajo që nuk integrohet në nivel instinktiv dhe emocional, mbetet e huaj për individin, një dije që nuk transformon. Schiller e thotë në një gjuhë më estetike se e vërteta duhet të bëhet “kampione” e një instinkti, pra të marrë trup në natyrën tonë më të thellë.
Mesazhi është i ashpër, por i kthjellët, e vërteta nuk fiton automatikisht, ajo duhet të luftojë si forcë, jo vetëm si ide.
Dhe kjo luftë fitohet jo në bibliotekë, por në zemër dhe në instinkt.
Nëse do ta përmblidhnim në një formulim të shkurtër, njeriu nuk ndryshon nga ajo që di, por nga ajo që ndien dhe nga ajo që e shtyn të veprojë.
Albert Vataj











