Nga Albert Vataj
Njeriu i butë i jep botës një trajtë të harmonishme dhe i dhuron asaj një arsye për të qenë e banueshme, jo vetëm si hapësirë fizike, por si përjetim i përbashkët i paqes me veten dhe me tjetrin.
Butësia nuk është plastelinë që deformohet në duart e kujtdo, nuk është lëndë pa rezistencë, as një dorëzim përballë forcës. Përkundrazi, ajo është një aftësi e rrallë për t’u përshtatur me format e ashpra dhe të çrregullta të realitetit, pa u thyer, pa u shndërruar në diçka tjetër, pa humbur thelbin.
Të jesh i butë do të thotë të hysh në çdo formë të jetës duke marrë përkohësisht trajtën e saj, por duke ruajtur një qendër të paprekshme, një integritet që nuk negocion me deformimin. Është një mënyrë e të qenit që nuk kërkon ta nënshtrojë botën, por as nuk lejon të nënshtrohet prej saj.
Norberto Bobbio (1909–2004), një nga mendjet më të kthjellëta të shekullit XX, e koncepton butësinë si një virtyt që qëndron në thelb të marrëdhënies njerëzore. Për të, “butësia qëndron në lejimin e tjetrit të jetë ai që është.” Kjo nuk është thjesht tolerancë, por një akt i thellë pranimi, një refuzim i arrogancës dhe i dhunës që shpesh maskohen si forcë.
I buti, sipas Bobbios, nuk hyn në marrëdhënie për të garuar, për të imponuar apo për të fituar. Ai nuk e sheh tjetrin si kundërshtar, por si një prani që meriton të ekzistojë në të drejtën e vet. Në këtë kuptim, butësia nuk është nënshtrim, i nënshtruari tërhiqet nga frika, nga dobësia, nga pamundësia për të përballuar. I buti, përkundrazi, refuzon me vetëdije logjikën e përplasjes, duke u shkëputur nga lakmia, nga kotësia dhe nga nevoja për dominim, ato shtysa që ushqejnë konfliktin e përhershëm të njeriut me njeriun.
Ai nuk mban mëri, nuk ushqen hakmarrje, nuk kultivon armiqësi. Ai kalon nëpër zjarr pa u djegur dhe nëpër stuhitë e ndjenjave pa u rrënuar, sepse ka arritur atë që filozofët e kanë quajtur “pushtet mbi veten”, një ekuilibër të brendshëm që nuk lëkundet nga provokimet e jashtme.
Butësia, në këtë dritë, është një akt sovraniteti mbi vetveten. Nuk është mungesë force, por një formë e lartë e saj, një forcë që nuk ka nevojë të dëshmohet përmes dhunës apo imponimit. Është një qëndrim që nuk kërkon reciprocitet për të ekzistuar; ajo shfaqet në plotësinë e saj edhe kur nuk shpërblehet, sepse buron nga një vetëdije e brendshme, jo nga pritshmëritë e jashtme.
Unë i dua njerëzit e butë, sepse janë ata që e bëjnë këtë botë më të jetueshme, këtë “lulishte” të dhurueshme për të gjithë. Ata na bëjnë të besojmë se qyteti ideal nuk është ai utopik, i ndërtuar mbi rregulla të hekurt dhe drejtësi të pamëshirshme, por ai ku mirësjellja është bërë natyrë, ku respekti është refleks dhe ku njeriu nuk e sheh tjetrin si kërcënim, por si mundësi bashkëjetese.
Ky vizion, që mund të quhet një manifest i mendimit pozitivist dhe humanist, e ngre butësinë në rangun e një virtyti themelor të qytetërimit.
Për Norberto Bobbio, ajo nuk është dobësi, por një formë e lartë e inteligjencës morale, një energji e heshtur që nuk bën zhurmë, por që ndryshon botën në mënyrën më të thellë, duke e bërë atë më njerëzore, dhe duke u ofruar atyre që temperohen në zjarrin e tensionit, debatit dhe konfliktit, një kurë shërimi, për një jetë të ekulibruar me energji pozitive.
Përgatiti: Albert Vataj











