Një elegancë fine merr trajtë dhe rrok shprehshmërinë e një gjendjeje që zëfill te shpërfaqja. Ajo nuk e kërkon vëmendjen si detyrim apo nevojë, por si një refleks të natyrshëm të bukurisë. Është dëshira për t’u lidhur jo përmes thirrjes së dhimbjes apo mungesës, por përmes kulmeve të dritës së tjetrit.
Nuk pretendoj të jem graviteti i mendimeve të tua, as bërthama rreth së cilës rrotullohet përditshmëria jote. Ka një lloj lirie profetike në faktin që nuk kërkoj të jem një “pikë konstante”, sepse konstantja shpesh kthehet në zakon, dhe zakoni vret mahnitjen. Unë zgjedh të jem etern, një prani që nuk peshon, por që pret çastin e duhur për t’u shfaqur. Nuk të kërkoj të gërmosh në kujtesë, më gjej thjesht në sipërfaqen e asaj që shkëlqen.
Ky është asociimi i vullnetshëm. Kur bota përreth teje vishet me një dritë aq të pastër sa të dhembin sytë, pikërisht atëherë dua të jem “vendi” ku mendja jote pushon. Nuk dua të jem një detyrë në listën e punëve, por një pasthirrmë admirimi. Një mesazh që lind jo nga nevoja për të mbushur heshtjen, por nga tepria e dritës.
Të thuash se “gjërat e bukura më bëjnë të mendoj për ty”, është kulmi i një intimiteti intelektual. Është njëtrajtësim i qenieve në një tërësi që shkëputet nga graviteti i tokësores, për të kërkuar një pikëtakim etern. Këtu forma gjen përsosmërinë ekzistenciale: një njësim që ngjan me osmozën qelizore. Bashkimi ynë nuk është thjesht një kontakt, por një thurje indesh të përbashkëta që ushqejnë të pashpërbëshmen.
Unë po përjetoj lumturinë, dhe ti je pjesë e kësaj feste. Edhe nëse largësia ka ndërfutur mes nesh lëndën e një ndarjeje, ne mbetemi të rrethuar nga e njëjta aureolë. Nuk na duhet trishtimi për t’u kujtuar për njëri-tjetrin. Ne u njohëm në trysninë e sprovave, aty ku forcat larguese u dorëzuan para energjisë sonë për bashkim.
Nuk të dua si një hije që të ndjek pas në çdo hap të lodhshëm, as si një peng që të rëndon ndërgjegjen në mbrëmjet e vona. Më mirë mbetem një i huaj në ditët e tua gri.
Por, kur qielli të marrë atë nuancën e kthelltë të kristalit dhe bota të duket aq e përsosur sa të ngjajë e pamundur, lëre veten të m’u dorëzosh. Pa sforcim, ashtu siç lëshon lulja aromën nën vapë. Më shkruaj vetëm atëherë kur lumturia jote të mos nxjerrë dot më krye pa u ndarë me mua. Më thuaj se bukuria që po prek me sy ka gjetur rrugën tek unë… sepse në thelb, çdo gjë e bukur mban emrin tënd.










