Nga Albert Vataj
Në Shkodrën e një shekulli më parë, në atë qytet që ishte kryeprirëse e ngjarjeve kulmore të historisë kombëtare, në djepin e plotlavdishëm të dijes dhe të djelmnisë, ku frymonin Fishta me epikën e tij, Gurakuqi me idealin e lirisë, Migjeni me tronditjen e vargut, Marubi me magjinë e fotografisë, ku karnevalet shndrisnin rrugët me ngjyra e hare, ku fjala e gjëmimshme e lirikës dhe harmonia e tingujve ushqenin shpirtin qytetar, ku bejtet dhe sharmi qytetnues i jepnin Shkodrës një profil të veçantë dashnoreje hirëplot e bëmave, më 30 janar 1926 lindi një djalë që do të bëhej një ndër figurat më të ndritura të muzikës shqiptare, Tish Daija.
Ai erdhi në jetë në një familje artizanësh të dëgjuar shkodranë, ku tradita e punës së dorës dhe e shpirtit krijues ishte e trashëguar brez pas brezi. Babai dhe xhaxhai i tij ishin jo vetëm mjeshtër të zanatit, por edhe ndër themeluesit dhe pjesëtarët e orkestrës së shoqërisë “Rozafat”, një vatër e gjallë e kulturës muzikore qytetare, ku tingujt e instrumenteve shndërroheshin në gjuhë të shpirtit dhe në thirrje të identitetit kombëtar.
Në atë mjedis të pasur me art, me traditë dhe me frymëzim, Tish Daija do të rritej i përthithur nga muzika, duke bartur në vetvete jo vetëm trashëgiminë e familjes, por edhe gjithë atë atmosferë të gjallë kulturore që Shkodra e viteve ’20 dhe ’30 e kishte si dhuratë të rrallë për bijtë e saj. Ai do të bëhej më vonë një nga themeluesit e muzikës simfonike shqiptare, duke e kthyer atë frymë të hershme qytetare në një univers të ri artistik, ku tradita dhe moderniteti do të gjenin bashkimin e tyre.
Historia e muzikës shqiptare, sublimja e krijimit nuk janë të plota pa veprën dhe emrin e Tish Daijsë, një prej mjeshtrave që jetuan për muzikën dhe gjithçka kishin ia dhanë muzikës.
I rritur në ambientin e këngëve e të melodive, pa hyrë në shkollë akoma Tishi bëhet pjesëtar i korit françeskan nën drejtimin e pader Martin Gjokës dhe pader Filip Mazreku.
Kur ishte nxënës i vitit të tretë i shkollës fillore bëhet edhe pjestar i bandës muzikore “Antoniane” të drejtuar nga i madhi, mjeshtëri dhe frymëzuesi i paharruar Prenkë Jakova. Këtu në këtë grup ai nisi t’i bjerë klarinetës, saksofonit e disa veglave të tjera. Të kësaj moshe janë edhe kompozimet e para të tij mbi motive të këngës popullore shkodrane nën influencën e muzikës orientale, të cilat mbajnë vlerat e moshës. Në 1939, kur ishte vetëm 13 vjeç ai krijoi disa këngë të bukura si “Çik, o mori çik”, “Ndal bre vashë”, “Me lule të bukura”, Sylarushe”, etj, të cilat këndohen edhe sot në mjediset shkodrane e që ruajnë akoma freskinë e tyre, madje ato janë bërë aq popullore, saqë pothuajse e kanë humbur autorësinë e tyre. Këngët popullore të Tish Daisë janë më të hershme se ato të Prenkë Jakovës dhe të Gjon Simonit e të ndonjë tjetri.
Gjatë kohës së luftës Tishi vazhdon studimet në gjimnazin françeskan dhe njëkohësisht merret edhe me krijime këngësh popullore. Dy vitet e fundit të shkollës në 1945-1946 i mbaron në gjimnazin e qytetit. Menjëherë pas mbarimit të shkollës në 1946 emërohet mësues muzike në Vlorë, qyteti që i fali aq gëzime rinore. Në vitin 1951 Tish Daija, pasi i kishin refuzuar një bursë në 1947 për në Izrael, kapërcen dyert e konservatorit të famshëm “Çajkovski” të Moskës. Diplomohet në 1956 për kompozicion. Gjatë kësaj kohe ka shkruar një sërë veprash plot frymëzim si: “Kuartet harqesh, suitën për fëmijë “Një ditë pikniku”, Uvertura e fitores, etj. Mbas studimeve emërohet për 6 vjet në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ku dha një ndihmë të çmuar në fushën e artit muzikor. Në 1962 emërohet në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore. Për afro dy dekada, si udhëheqës artistik i këtij Ansambli, dha një sërë koncertesh të suksesshme që e bënë të njohur në kudo në botë.
Ai shoqëroi Ansamblin në shumë vende të botës duke bërë ballafaqimin e artit tonë me artin botëror.
Baleti “Halili dhe Hajria” (1963), vepra e parë e këtij lloji në Shqipëri, një gur themeli i muzikës skenike shqiptare ka vulën e tij. Me këtë balet, Daija solli një gjuhë të re muzikore, ku folklori shqiptar u përthith në strukturën e artit simfonik.
Koncerti për piano dhe orkestër ishte një tjetër dëshmi e aftësisë së tij për të ndërthurur elementët e traditës kombëtare me format klasike europiane.
Këngëve të lehta dhe orkestrale, ai i dha një kontribut të madh edhe në muzikën e lehtë shqiptare, duke e ngritur atë në një nivel artistik të denjë për skenën kombëtare.
Tish Daija është ndër figurat që hodhi themelet e muzikës simfonike shqiptare. Ai e pa muzikën jo thjesht si art, por si një gjuhë të identitetit kombëtar. Përmes veprave të tij, folklori shqiptar u bë pjesë e një universi më të gjerë artistik, duke i dhënë Shqipërisë një vend të merituar në hartën e kulturës muzikore.
Mbas vitit 1980 del në profesion të lirë deri sa del në pension. Që nga viti 1962 e deri më fund të viteve 90-të ishte pedagog i jashtëm i Akademisë së Arteve.
Krijimtaria e Tish Daisë është e madhe dhe e larmishme. Ai krijoi muzikë të të gjitha llojeve. Ai ka shkruar në të gjitha gjinitë muzikore si, opera, balete, simfoni, vepra instrumentale e vokale, poema, këngë popullore e të lehta, këngë për fëmijë, etj. Për të gjithë veprimtarinë e tij të madhe e të suksesshme ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” si dhe me titullin “Profesor”. U nda nga jeta 3 tetor 2004.










