Nga Albert Vataj
Në këto foto me piktorin dhe skulptorin Alfred Mirashi – Milot, në fabrikën Vata Metal Konstruksion, aty ku ditë pas dite po merr formë “Çelësi i së sotmes”, një nga skulpturat monumentale, e cila është pjesë e siperprojektit “Çelësi i unitetit”, vepër që do të vendoset më 30 mars 2023 në Piazza Mercato, në Napoli.

U njoha me Alfred Mirashin përmes adhurimit për sfiduesit e mundësive dhe shpërblyesit ëndërrtar, dhe patjetër një nevoje obliguese që kam në synimet e mia si gazetar, për t’i treguar të gjithëve, se cili është ai, i cili më kishte befasuar me arritjet dhe kurajën krijuese, të zinte një vend të privilegjuar në botën e përbindshme të konkurrimit të vlerave.
Si çdo ngadhënjimtar fati edhe ai… “Mbërriti në Itali në bordin e një maune. “Pa para, pa valixhe, pa asgjë…”. Por, që nga viti 1991, ai ka bërë një rrugë të gjatë më të rehatshme, duke ekspozuar në Pekin, Berlin, Nju Jork dhe shumë metropole të tjera dhe është gati të niset në një udhëtim të ri shkruan “Il mattino”.

Alfred Mirashi i ka treguar Italisë dhe gjithë botës së madhe se sa madhështor është shpirti shqiptar, se si gjëmon ritmi i zemrës krijuese të një populli të vogël, në një te tashme ngulmesh ballafaqimi, ku çdo përpjekje është një betejë ku rrezikon gjithçka për të lartësuar një zë dhe një përkatësi nacionale, ku çdo arritje është një luftë e fituar me shumë mund dhe pafund sakrifica.
Shumë shpejt “Çelësi i së sotmes”, ngjizur dhe farkëtuar në shpirtje shqiptare, do të zotërojë një nga sheshet legjendare të Napolit, duke tentuar të rishkruaj historinë; atëkohjes kur arbërit me Skënderbeun, me shpat e me zemër i’u blatuan lirisë dhe sot në tashmërinë ku shpirti krijues mëkon bashkëjetesë dhe unitet përmes artit.
(29 janar 2023)











