Pak libra patën fatin e “Doktor Zhivago” të Boris Pasternak, në Rusinë e atij kapërcyelli historik. Ai ishte një roman që erdhi për të shqetësuar, për të vënë në pikëpyetje narrativat zyrtare dhe për t’i rikthyer zërin individit përballë pushtetit. Ato nuk janë thjesht romane; janë akte qëndrimi, ndonjëherë të rrezikshme për vetë autorët e tyre. “Doktor Zhivago” i Boris Pasternakut është një histori dashurie që shndërrohet në reflektim të thellë mbi njeriun, ndërgjegjen dhe çmimin e lirisë në kohë ideologjish totalizuese. Në këtë kuptim, romani nuk u bë i famshëm vetëm për atë që rrëfen, por për mënyrën se si guxoi të fliste aty ku duhej të mbretëronte heshtja.
Ka libra që lindin për të rrëfyer dashurinë dhe përfundojnë duke rrëfyer pushtetin. “Doktor Zhivago”, romani i Boris Pasternakut, i përket kësaj kategorie. Është historia e një mjeku dhe poeti që përpiqet të mbetet njeri ndërsa Rusia përfshihet nga revolucioni dhe lufta civile. Por është edhe historia e një libri që vetë vendi i tij deshi ta heshtëte, sikur ato faqe mund të kërcënonin një të tërë sistem.
Përmbledhtas fabula
Juri Zhivago është një mjek i ndjeshëm dhe poet. Ai është i martuar, por jeta e tij ndryshon kur takon Larën, një grua e shenjuar nga një marrëdhënie e vështirë dhe e dhimbshme. Të dy ritakohen disa herë gjatë viteve të Revolucionit Rus dhe luftës civile, të lidhur nga një dashuri e thellë, e brishtë, e pamundur. Ata nuk kërkojnë tradhtinë, kërkojnë frymëmarrje në një botë që po mbytet. Por Historia i përmbys: ndarje, arrati, uri, dyshime politike, shtypje. Dashuria nuk mjafton për t’i shpëtuar. Në fund, mbeten vetëm fragmente poezie, kujtime, dhimbje dhe një pyetje e hapur mbi atë se çfarë mbetet nga njeriu kur pushteti kërkon gjithçka.
Juri nuk është hero. Ai nuk lufton për një ideologji, nuk pozicionohet, nuk gjykon. Kërkon vetëm të mos e humbasë ndërgjegjen e vet në një botë që kërkon bindje të plotë. Dhe pikërisht këtu romani bëhet i rrezikshëm. Pasternaku nuk e lartëson Revolucionin dhe nuk e demonizon atë. Ai rrëfen jetën e vërtetë: dashuri, frikëra, xhelozi, mjerime të përditshme, zgjedhje të vështira. Tregon njeriun para ideologjisë. Në një sistem që e donte Historinë si epope kolektive, kjo ishte e papranueshme. Të thuash se ekziston një brendësi, se dashuria mund të jetë më e fortë se propaganda, ishte tashmë një akt rebelimi.
Libri u ndalua në Bashkimin Sovjetik. Por dorëshkrimi arriti të largohej fshehurazi nga vendi dhe u botua në Itali në vitin 1957. Nga ai moment filloi një histori tjetër, paralele me romanin: ajo e librit të ndaluar që e gjithë bota donte ta lexonte. Kopje klandestine riktheheshin në BRSS, të fshehura në botime xhepi. Madje edhe CIA kontribuoi në përhapjen e tij për të dobësuar imazhin e Bashkimit Sovjetik. Letërsia bëhej armë. Dashuria bëhej kërcënim.
Në vitin 1958 Pasternakut iu dha Çmimi Nobel. Në atdhe, megjithatë, ai u akuzua për tradhti. Përjetoi sulme, presione, izolim. U detyrua të heqë dorë nga Nobel-i. E pagoi lirinë me vetmi. Vdiq pak vite më pas, me një famë botërore që nuk arriti ta jetojë vërtet.
Dhe atëherë pyetja bëhet e pashmangshme: si mund që një histori dashurie t’i bëjë frikë një regjimi politik? Ndoshta sepse dashuria, kur rrëfehet pa maska, kujton se çdo qenie njerëzore ka një jetë të brendshme që nuk mund të kontrollohet. Dhe sepse një roman që vë në qendër ndërgjegjen, dinjitetin dhe dyshimin e bën të dukshme sa i brishtë është çdo pushtet që pretendon të zotërojë të vërtetën.
“Doktor Zhivago” nuk është vetëm historia e Jurit dhe Larës, por ajo e një vendi që i trembej fjalës. Është historia e një shkrimtari që guxoi të rrëfejë shpirtin njerëzor në një botë që donte vetëm slogane. Është historia e një libri të përndjekur sepse u kujtonte të gjithëve se individi ekziston.
Përgatiti: Albert Vataj











