Ai ishte i vërtetë, kur foli me zemër në dorë, për dashurinë si mrekulli dhe si plagë.
Ai guxoi të dëgjonte, çfarë ndjente dhe t’i jepte zë atij shpirti që gazmonte e rënkonte.
Ai ishte vetvetja dhe vetvetishëm ju qas nevojës për të predikuar dhe rrëfyer, çiltërsisht dhe shpirtërisht.
Në penën dhe në çdo puls të stuhishëm të ndijimit dhe përflakjes së dritës së yjësisë së një shpirti, temperuar përplasjeve galaktike të fatit të Khalil Gibranit, dashuria nuk është thjesht një ndjenjë. Ajo nuk është as një romancë që kërkon strehë te fjalët e bukura që gëlojnë thellësive të mendimit dhe digjen petaleve të përjetimit.
Tek Gibrani, dashuria është një fuqi që na kalon përmes, një element i natyrës, si zjarri, si uji, si era, që formëson njeriun, e përvëlon, e ngre lart dhe e thyen, e lë në mëshirë të fatit të vet, për t’u kalitur e skalitur.
Prandaj, ai nuk e përshkruan dashurinë si rehati, por si iniciim, një hyrje në territorin e brendshëm të qenies, ku njeriu mëson çfarë është, përmes asaj që humbet.
Në tekstet e tij, dashuria vjen gjithnjë si thirrje.
Ajo “bën me shenjë”, dhe kjo shenjë nuk toleron kalkulim, siguri, as llogari. Njeriu thirret të dorëzohet. Ky dorëzim tek Gibrani nuk është nënshtrim, por akt i lirisë, është pranimi që ka diçka më të madhe se egoja jonë, një rit që na përfshin dhe na transformon. Ai e di se dashuria është rrezik. E pranon se ajo “mund të të lëndojë”. Por në mendimin e tij, lëndimi nuk është dëm, është proces i shenjtërimit. Aty ku bota moderne kërkon lumturi pa dhimbje, Gibrani e sheh dhimbjen si udhë që hap horizontin e kuptimit.
Psikologjikisht, Gibrani e lexon dashurinë si një përballje me vetveten. Ai e zhvesh shpirtin nga iluzionet dhe maskat. Dashuria, në metaforat e tij, shkund, shoshoq, bluaj, përzien. Ajo depërton deri te rrënjët, aty ku njeriu ruan frikërat, deliret e kontrollit, pritjet egoiste. Duke i thyer këto mbrojtje, dashuria çliron njeriun nga vetvetja, dhe pikërisht aty fillon pjekuria e brendshme.
Nuk është rastësi që Gibrani flet për “sekretet e zemrës”: dashuria është instrumenti përmes të cilit njeriu zbulohet.
Filozofikisht, ai e vendos dashurinë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Absoluten. “Unë jam në zemrën e Zotit”, kjo frazë shenjon një zhvendosje ontologjike, dashuria nuk është pronë e njeriut, por dimension i ekzistencës. Njeriu nuk e zotëron dashurinë; përkundrazi, futet në orbitën e saj. Prandaj Gibrani refuzon çdo formë posesioni. Dashuria që sundon, pushton, kërkon pronësi, nuk është dashuri, është frikë e maskuar. Dashuria e tij është marrëdhënie që ruan lirinë, sepse pa liri ajo shndërrohet në varësi, jo në bashkim.
Poetika e Gibranit është e ndërtuar mbi metafora agrare dhe elementare, grurë që bluhet, degë që dridhen, rrënjë që tronditen, bukë që piqet.
Ai e trajton dashurinë si proces formësimi, një laborator shpirtëror ku njeriu kalon nga papjekuria në thellësi. Kjo gjuhë e thjeshtë, por arketipore, i jep përjetshmëri idesë së dashurisë, duke e shkëputur nga sentimentalizmi i përkohshëm. Lexuesi nuk sheh vetëm një ndjenjë; sheh një rit të shenjtë.
Në zemër të këtij vizioni qëndron paradoksi, sipas të cilit dashuria të bekon duke të thyer. Ajo të rrit duke të shkurajuar nga iluzionet. Të jep jetë duke të çuar në zjarre pastrimi. Kjo dialektikë mes gëzimit dhe dhimbjes e bën dashurinë tek Gibrani një udhë drejt vetëdijes. Të duash, do të thotë të pranosh që nuk mund të mbetesh ai që je. Prandaj ai e lidh dashurinë me rrezikun e transformimit, dhe pikërisht aty ajo bëhet e shenjtë.
Në fund, Gibrani na kthen tek përgjegjësia e brendshme, dashuria kërkon që të jesh i pranishëm, i hapur, i aftë të humbasësh për të fituar. Ajo është një fe pa dogma, ku njeriu falënderon për çdo ditë, mediton në mesditë, dhe fle me një lutje në zemër. Dashuria, në këtë kuptim, nuk është ngjarje; është mënyrë të qenit.
Në një botë që shpesh e redukton dashurinë në emocion të shpejtë, Khalil Gibran na rikthen në dimensionin e saj themelor, dashuria si rrugë e brendshme, që të lartëson duke të përvëluar, që të bashkon duke të liruar. Dhe ndoshta këtu qëndron fuqia e fjalëve të tij, ai nuk na tregon thjesht çfarë është dashuria, na fton të marrim pjesë në përjetimin e saj.
Dashurohu vërtetë dhe pastërtisht, dhe kupto se ajo, dashuria, siç është forma më e sofistikuar e arkitekturës së krijimit, është edhe forca më e pathyeshme e përjetimit dhe shndërrues i çdo ndjenje në një shpërthim drite, ku të dashuruarit jetojnë dhe kuptojnë botës përmes vetvetes së tyre që i blatohet dashurisë si të vetmes perendi ku ata besojnë.
Albert Vataj











