Albert Vataj
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG
No Result
View All Result
Albert Vataj
No Result
View All Result
Home Slider

Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi i eposit të Kreshnikëve, ngjitet sot në altarin e UNESCO-s

December 9, 2025
in Slider, Të përzgjedhurat, Traditë
Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi i eposit të Kreshnikëve, ngjitet sot në altarin e UNESCO-s
0
VIEWS
Share on FacebookShare on TwitterShare on Pinterest

Nga Albert Vataj

Pas Xhubletës dhe Këngës së Kcimit të Tropojës, është Lahuta, ky instrument arkaik, kjo dëshmi e pazëvendësueshme e ADN-së sonë shpirtërore, që hyn me dinjitet në UNESCO, në altarin ku njerëzimi vendos thesaret e tij më të rralla, dëshmitë më të thella të kujtesës dhe shpirtit. Lahuta, kjo vegël e gdhendur nga koha dhe e mbartur si flakadan brezash, ngjitet tashmë në panteonin botëror duke nderuar kulturën, etnografinë dhe eposin tonë heroik.

Ajo nuk është vetëm instrumenti muzikor më emblematic i kulturës veriore shqiptare. Ajo është zëri i malit, gjaku i kujtesës, epitafi i qëndresës dhe kanga e një populli që ka ditur ta kthejë dhimbjen në art, burrninë në mit dhe besën në kod. Në tingujt e saj rreh historia jonë.

Lajmin e këtij triumfi e ka shpallur Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili shkruan: “Një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor, arti i të luajturit, të kënduarit dhe bërjes së lahutës, është përfshirë zyrtarisht në pasurinë botërore të trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s, në listën për nevojë urgjente mbrojtjeje.”

E vërteta është se arti i lahutës është shumë më tepër se një praktikë muzikore. Ai është një univers simbolik që përfshin Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Malësinë e Gjakovës, Rugovën, Drenicën, Plavën e Gucinë, gjithë hapësirën ku lahutari, me një instrument të vetëm dhe me një zë të vetëm, mban gjallë një epos që ka udhëtuar shekujve. Aty jetojnë trimëria, qëndresa, besa, nderi dhe mikpritja; aty janë rrënjët e eposit të kreshnikëve, baladat që përshkojnë historinë tonë si rryma të padukshme drite.

Ky arritje është fryt i një pune titanike. Studiuesit Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, bashkë me komunitetet, lahutarët dhe hulumtimet e imëta në terren, kanë përgatitur një dosje të standardeve më të larta të UNESCO-s, të dorëzuar në mars 2024. Mbështetja institucionale e Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë qenë vendimtare në këtë proces model.

Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi arkaik i eposit të Kreshnikëve – ngjitet sot në altarin e UNESCO-s

Lahuta hyn në UNESCO – dhe me të hyn një pjesë e pavdekshme e shpirtit shqiptar.

Ky nuk është vetëm një titull nderi. Ky është një akt ringjalljeje, një thirrje për ruajtjen, kultivimin dhe fuqizimin e një tradite që na definon si popull. Shqipëria deklaron angazhimin e saj për ta mbrojtur këtë trashëgimi të rrallë, duke e hapur rrugën e bashkëpunimit të ardhshëm me Kosovën, sepse lahuta nuk njeh kufij: ajo njeh vetëm kujtesën dhe frymën.

Dhe sot, kur tingulli i saj përfshihet në listën e pasurive që bota i konsideron të pazëvendësueshme, ne dëshmojmë se kultura shqiptare, me thellësinë e saj arkaike dhe hijeshinë e saj të egër, është pjesë përbërëse e mozaikut të qytetërimit njerëzor.

Lahuta është sot në UNESCO.

Por, në të vërtetë, ajo ka qenë gjithmonë në zemër të popullit tonë.

Tani thjesht është dëgjuar nga bota.

Lahuta, ky instrument që kumbon si një damar i gjallë i kujtesës sonë kolektive, mendohet të jetë pjellë e kohëve të lashta, një jehonë e epokave të hershme indo-evropiane. Ajo nuk është thjesht vegël muzikore; është një altar i bartur ndër shekuj, mbi të cilin malësori shqiptar ka kënduar historinë, besën, burrninë, tragjeditë dhe fitoret. Aty ku lind kënga epike, aty ngrihet lahuta. Aty ku ligjërohet gojëdhëna, aty merr frymë gjuha e saj. Jo më kot, veprat e mëdha të epikës shqiptare, si “Eposi i Kreshnikëve” apo “Lahuta e Malcis”, kanë gjetur në lahutë instrumentin më të denjë për t’u jetësuar në tingull e frymë.

Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi arkaik i eposit të Kreshnikëve – ngjitet sot në altarin e UNESCO-s

Lahuta përbëhet nga një kasë druri vezake, e zgavruar mjeshtërisht përbrenda, si barku i një krijese që mban në brendësi misterin e tingullit. Kjo kasë mbulohet me lëkurë të regjur, e quajtur çapër në Malësinë e Madhe, një membranë e gjallë që i jep instrumentit dridhjen e veçantë të zërit të tij. Trupi mund të jetë punuar edhe prej kungulli apo guaskës së breshkës, duke dëshmuar një elasticitet të jashtëzakonshëm kulturor e teknik.

Në skajin e kasës ngrihet kambaleci, ura ku mbështetet e vetmja kordhë, e njohur si kamanec në Dukagjin apo magjar në Verilindje. Kjo kordhë mbahet në tension nga një çelës druri, kunji, tezgjahu, krek-u a gres-i, që ndryshon sipas krahinave, por ruan të njëjtën logjikë të lashtë të instrumenteve monokorde indo-europiane.

Harku, i quajtur agrec, budat, ras apo drocak, është një gjysmëhënë druri, zakonisht thanë a arre, i mbështjellë me fijet e bishtit të kalit të zi, të lyer me rrëshirë pishe. Kjo përbërje i jep lahutës një tingull të përthyer, të mprehtë, që i ngjan frymës së tokës së thatë, ajrit malor dhe zjarrit të oxhakut. Tingulli i saj nuk përcaktohet thjesht nga druri, por nga cilësia e lëkurës, përpunimi i qimeve dhe balanca e tensioneve.

Maja e bishtit mban shpesh të gdhendur kokën e dhisë, një simbol i interpretimit ritual të së shenjtës. Sipas Ramadan Sokolit, kjo figurë mund të ketë qenë pjesë e një kulti të lashtë pagan, që lidhej me mbrojtjen, fuqinë dhe pjellorinë. Në lahutat e tjera hasim gjarpërinj të gdhendur, simbol i orës mbrojtëse dhe i kultit të pyllit, ose përkrenaren e Skënderbeut, ku simbolika e heroit kombëtar ngrihet si emblemë e identitetit.

Në këtë bashkim drurësh të zgjedhur (panjë, gështenjë, arra, lis, krekëz), lëkure të përpunuar, gdhendjesh me simbolikë mitike dhe teknikash të rafinuara, lahuta merr trajtën e një objekti sakral, ku dora e mjeshtrit është njëkohësisht artizan, ikonograf dhe historiograf.

Masat e saj, pothuaj të pandryshuara prej shekujsh, janë një standard i traditës:

Gjatësia e përgjithshme: 70 cm

Bishti: 40 cm

Koka: 30 cm

Gjerësia e kohës: 20 cm

Harku (argeci): 40 cm

Qimet e harkut: 17 cm

Këto përmasa nuk janë rastësore; ato i shërbejnë një fizike të veçantë të tingullit, të ndërtuar mbi parimin e flaxholet-it, që e veçon lahutën nga çdo instrument tjetër harkor i Ballkanit.

Përhapja e lahutës shtrihet kudo ku frymon epika; Krujë, Malësia e Madhe, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati, Rranxat e Shkodrës, Dukagjini, Postrriba, Shllaku, Nikaj-Merturi, Malësia e Gjakovës, e deri në hapësira që kapërcejnë kufijtë etnikë shqiptarë. Ajo është vegla e rapsodëve, e kuvendeve burrërore, e oxhaqeve në dimër, e dasmave dhe riteve të gëzimit.

Mënyra e mbajtjes ndryshon sipas zonave, këmbëkryq pranë vatrës, ulur me instrumentin mbështetur në këmbë, apo në pozicion solemn përpara kuvendit, secili prej këtyre qëndrimeve është pjesë e një koreografie të trashëguar.

Lahuta i përfton tingujt nga një teknikë krejt e saj, e bazuar te flaxholet-et natyrore, duke ndalur gishtat anash bishtit, jo mbi tastierë, dhe duke përdorur tensionin e harkut si faktor kryesor shprehës. Regjistri i saj akordohet zakonisht rreth notës do të oktavës së parë.

Roli shoqërues i lahutës është i kufizuar në gamë, por i pakufizuar në nuanca. Ajo krijon hyrje të shkurtra, dy ose tre nota, por që mbartin peshën emocionale të gjithë këngës. Gjatë ligjërimit të rapsodit, lahuta lëviz në linja heterofonike, ku ngjitja krijon tension epik-elegjiak, ndërsa zbritja e shkallëzuar sjell qetësinë e mbylljes.

Rapsodi është njëkohësisht, interpretues, rrëfimtar, improvizues, dhe krijues i këngës.

Me lahutë në dorë, ai ngre peshë historinë e një fisi, të një krahine ose të tërë kombit. Ai i këndon heronjve, nderit, besës, dëshmorëve, betejave dhe tragjedive. Prandaj lahuta është instrument i burrave, jo nga përjashtim, por nga funksioni i saj ritual në jetën malësore. Rastet kur femrat e përdornin lahutën nuk janë të huaja, por lidhen kryesisht me role më të pazakonta, të panjohura publikisht.

Në çdo element të saj: në drurin e zgavruar, në kokën e dhisë, në figurën e gjarprit, në fijet e bishtit të kalit, në këngën që buron prej saj, lahuta mbart një kozmos kulturor, një kod të lashtë identitar, një brumë mitik që nuk gjendet askund tjetër.

Ajo është personifikimi muzikor i shpirtit malësor, bashkëudhëtarja e Eposit të Kreshnikëve, dhe sot, me të drejtë, një pasuri e çmuar e njerëzimit, pjesë e panteonit të trashëgimisë jomateriale botërore.

Tags: Albert VatajInstrumentiKreshniketLahutaMalesiaUNESCO
Previous Post

Maria Callas dhe Pier Paolo Pasolini në filmin “Mede”, dyshimi, dritëhija dhe e vërteta e artit dhe e shpirtit përmes fjalës

Albert Vataj

Albert Vataj

Ajo që bën dhe e ndjen është ajo që duhet. Mos u bëj rob i fatalizmit, nëse nuk do të lësh veten të bjerë në boshin e asgjësë. Nuk është e thënë se duhet të ecësh me hapa të shpejtë për të mbërritur diku, hapat e sigurt janë ata që të çojnë aty ku duhet dhe kur duhet të shkosh. Jepu me gjithë shpirt asaj që e do me gjithë zemër dhe do të shohësh se përveçse i pasur do të jesh dhe i lumtur. Ushqeje me dritë gjithçka që jeta ta kredh në terr dhe se bashkë me veten ke çliruar prej kësaj robëria edhe ata që sjellin farën e së mirës të vullnetet për të ndryshuar botën që na përket të gjithëve. Më mirë vdis duke u përpjekur se sa të zvarritesh duke u ankuar. Jeta është gjithçka që ti kërkon prej saj. Nuk ka forcë të hyjshme apo përkufizime që tregojnë udhën e së vërtetës, jetën e merituar, zotërimin e gjithçkasë që të përket. Kërko gjithçka tek vetja. Gjithçka që do është gjithnjë me ty. Mjafton të dish ta kërkosh dhe do të kesh gjithçka.
  • Trending
  • Comments
  • Latest

Fausti, Mefistofeli dhe Margarita, një tragjedi e bashkëjetimit të së mirës me të keqes, vuajtja pambarim

April 4, 2016

Çfarë është Dashuria? Thënie brilante nga njerëz të famshëm që kanë skalitur zjarret e pasionit në historinë e letërsisë

May 12, 2017

Ëndrrat e këqija, makthet, përse i shohim, mesazhet që na dërgojnë dhe a mund t’i shmangim?

April 4, 2016

“Plaku dhe deti”, dyluftimi i pabarabartë i mundësisë, sprova e fatit dhe guximit të njeriut për të sfiduar natyrën

May 4, 2017

Galaktika, Rruga e Qumështit përmban 160 miliardë planete

0

Spektakël dhe frikë nga balena 14 metra e gjate që peshon 30 ton

0

Amani, qyteti i bardhë mbi 18 kodra streha mbretërore e kryeqytetit jordanez

0

Lëvizja e bujshme që shkundullitën nga themelt shekullin XX në botën e muzikës

0
Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi i eposit të Kreshnikëve, ngjitet sot në altarin e UNESCO-s

Lahuta, kushtrimi i palcës së shpirtit malësor, kumbimi i eposit të Kreshnikëve, ngjitet sot në altarin e UNESCO-s

December 9, 2025
Maria Callas dhe Pier Paolo Pasolini në filmin “Mede”, dyshimi, dritëhija dhe e vërteta e artit dhe e shpirtit përmes fjalës

Maria Callas dhe Pier Paolo Pasolini në filmin “Mede”, dyshimi, dritëhija dhe e vërteta e artit dhe e shpirtit përmes fjalës

December 9, 2025
ALBAS 25 vjet – një çerek shekulli dritë, një udhë që bashkon zemrën e kombit përmes fjalës shqip, librit, dijes si mision

ALBAS 25 vjet – një çerek shekulli dritë, një udhë që bashkon zemrën e kombit përmes fjalës shqip, librit, dijes si mision

December 8, 2025
Zhani Ciko, një jete dhe vullnese që u bë tempull, një emër dhe vepër që u shndërrua në epokë

Zhani Ciko, një jete dhe vullnese që u bë tempull, një emër dhe vepër që u shndërrua në epokë

December 8, 2025
  • About
  • Advertise
  • Privacy & Policy
  • Contact

Copyright © 2020 Albert Vataj

No Result
View All Result
  • DIJE
    • Figura të ndrituna
    • Kujtesë
    • Impresione
    • Traditë
    • Histori
  • KRIJIMTARI
    • Persiatje
    • Esse
    • Poezi
    • Prozë
    • Urtësi
  • LETËRSI
    • Autorë
    • Libra
    • Filozofi
    • Përshkrimore
    • Dashuri
  • ART
    • Pikturë
    • Muzikë
    • Qytetërim
    • Mitologji
    • Kritikë
  • SPEKTËR
    • Reportazh
    • Intervista
    • Psikologji
    • Profil
    • Forum
    • Eros
  • Kureshti
    • A e dini se?
    • Shëndetësi
    • Kuriozitete
    • Natyra
    • Nga jeta e korifejve
    • Shkencë
  • BLOG

Copyright © 2020 Albert Vataj