Nga Albert Vataj
Valbona, me gurgullimin e vet t’zallamahishme, për synin dhe veshët e shumkujt ngaset me ken jo ma shum, se një proces rutinor i vërshimit, gjasmimit të përplasjes së shkaku mbi pasojën, ngulmit eroziv të prejkohjes me të tashmen, të mbetun dorzan paaftësisë për tu ba pjesë e pranis tonë toksore. Gërshetat e kësaj vashe biblike, e derdhin joshjen e kandshme, drojshëm, tue e lan rrugëtimin e këtij hiri hyjnie në këtë gufim shkëmbor që lshohet turraz përmes maleve që e strukin nën vedi.

Për shumkënd që yshtet prej nevojet për me ken qoftë dhe një dekik, pulsi i fuqishëm i këtyre maleve, i këtij gurrimi prej gjoksit të tokës, vërshimi i Valbonës është i pangjashëm me kurrnji harbim tjetër dëshirues. Gojtari s’ka me pas me e lëmu këtë gërshet që shkumëzon përmes krekosjeve madhështore të maleve, këtij kushtrimi që thepon prej t’pamundunes me i kap majat, t’cilat pothuaj tanaheret kredhin kryet në re. E njata që kanë sos me i dal ballë zotnimit tonë të andshëm, bora e përjetshme ua qëndis thinjat, e nji oshëtimë që përplaset në heshtjen tonë, si një cohë e hollë i lëshohet hera-heras, tue ia skuq faqet si e xanun n’faj, kur pahet me perëndimin.

Ngërthimi i këtij vërshimi shkëmbor pas gurëve mitik, asht tharmi i një kompozimi të heshtur, që tue u përzi me fëshfërimën e gjetheve luejnë nji simfoni, kohët e së cilës i gjejm të shtresume në ngazëllimin që na pataks kjo melodo që mëkon pamja. Këto shkëmbinj ciklopik, që Zoti e din se si kanë shtruar gjithë atë udhë që merr përposhtë Valbona. Ata janë vetë epika e këtij motivi folklorik, kësaj piskame që na ngjeth me ngjyrën dhe thellësinë që cek.











