Nga Albert Vataj
Arti italian në bujarinë e mjeshtrave të mëdhenj të vlerave krijuese, ka të renditur edhe një emër që mahniti me punën e tij si skulptor dhe argjendar, teoricien arti gjithashtu. Ai la gjurmë kur çdo hap që hidhej shuhej në pluhurin e harrimit. Gjithëpoaq mesjeta i pati të artë gjurmët e artistëve, krijimi i të cilëve shpërtheu dritueshëm në kërshërinë e adhurimit.
Të gjithë i kishin sytë nga qielli, sepse gjithçka vinte prej andej për t’u ngjitur rishtazi në yjësinë e shpirtërores që skalitën me daltën e pasionit dhe besimit. I kësaj yjësie ishte Lorenzo Ghiberti (1378 – 1 December 1455) skulptor dhe argjendar italian i Rilindjes, vepra më e famshme e të cilit janë dyert prej bronzi të praruar të katedrales së Pagëzimores në Firence. Këto dyer, për të cilat u deshën 27 vjet për t’u përfunduar, ishin aq mbresëlënëse sa që mjeshtri i madh, poeti dhe piktori, skulptori dhe arkitekti, Mikelanxhelo (6 mars 1475 -, 18 shkurt 1564) i përshkroi me famë të tyre si “Portat e Parajsës”, një emër i lavdishëm dhe një pagëzim i shenjtë që ka mbetur atëditë e sot.
Një kontribut tjetër të madh që Lorenzo Ghiberti ka lënë janë “Komentet autobiografike”, një rekord i paçmuar i botës së artit të Rilindjes në mesin e shekullit të 15-të të erës sonë dhe autobiografia më e vjetër e mbijetuar nga një artist evropian.

Ai e filloi karrierën e tij si një argjendar, por shumë shpejt do të rrëmbente një reputacion në vendlindjen e tij, Firence, duke spikatur për aftësitë e tij mjeshtërore në punën e skulpturës prej bronzi, asokohe një medium i shtrenjtë dhe shumë i vlerësuar.
Ghiberti përdori dyllin për të krijuar imazhin, për të materializuar përfytyrimin biblik, dyllë i cili mbështillej me baltë argjilore, që gjatë pjekjes shkrinte dyllin duke lënë kallëpin të lirë për bronzin e shkrirë që hidhej në të, duke marrë besnikërisht formën e realizuar në dyllë. Pak a shumë kjo ishte teknika që ai përdori për të bërë copëzat që bashkoheshin më pas në një të vetme. Natyrisht që kishte edhe të tjera marifete, që shërbenin për të përmbushur synimin artistik të tij.

Ndërsa flasim për teknikën e realizimit të veprave të tij, citohet se Ghiberti derdhi disa figura veçmas duke përdorur bronz të lëngët dhe i bashkoi ato në panelin kryesor. Atëherë të gjitha copëzat e ideuara dhe realizuara njësoheshin me zjarr. Sipërfaqja prej bronzi e këtij kompozimi u mbulua me një pastë prej ari të bluar dhe të përzier me zhivë, e cila aplikohej në një temperaturë të ulët, në mënyrë që merkuri të digjej, duke e lënë arin e shkrirë mbi sipërfaqe pa shkrirë skulpturën.
Kjo ishte ajo që ky mjeshtër realizoi, ajo që e bëri atë në një nga figurat më të rëndësishme të mesjetës, aq sa puna e tij të marrë interesim vlerësues edhe sot.










