Nga Albert Vataj
Helen Mirren në “In the Frame” mes të tjerash shtoi se “Para se të debatoni me dikë, pyesni veten, a është ai person mjaftueshëm i pjekur mendërisht për të kuptuar konceptin e një këndvështrimi të ndryshëm? Sepse, nëse jo, atëherë nuk ka asnjë kuptim.” Jovetëm nuk gjen përputhshmëri arsyetimi, por bën që ballafaqimi të shndërrohet nga një mundësi komunikimi në një nevojë e forcës për ta mposhtur atë që vjen tek ne për të folur, për të ushtuar të drejtën e natyrshme të ligjësisë së natyrës komunikimit dhe përmes saj për të njohur dhe pranuar jetën si një bashkëjetesë në një botë ku gjithçka dhe çdo gjë provon ekzistencën e vet përmes reciprocitetit të marrjes dher dhënies, duke provuar se çdo gjë dhe secili ka nevojë nga diçka dhe nga dikush të marrë po aq sa dhe të japë.
Tepër vonë për të ndryshuar, por je gjithnjë në kohë për ta ndotur jetën tënde me mungësë mirëkuptimi, të pranimit që shndërrohet në refuzim, të paqes shpirtërore në trazim që e lëkund nga themelet qënin, duke i prishur barazpeshimin dhe ekspozuar brishtësinë tonë përballë një cënimi lëndues, shpesh me pasoja.
Jo çdo debat e meriton energjinë tuaj. Ndonjëherë, sado qartë të shprehesh, tjetri nuk po dëgjon për të kuptuar, por për të reaguar.
Ata mbeten ngërthyer në perspektivën e tyre, të paaftë ose të padëshiruar të marrin parasysh një këndvështrim tjetër, dhe përfshirja me ta thjesht të shteron.
Ekziston një dallim i madh mes një bisede të shëndetshme dhe një debati të kotë.
Një bisedë me dikë mendjehapur, që vlerëson rritjen dhe mirëkuptimin, mund të jetë ndriçuese, edhe kur nuk jeni dakord. Por të përpiqesh të arsyetosh me dikë që refuzon të shohë përtej besimeve të veta? Kjo është si të flasësh me murin. Sado logjikë apo të vërteta t’i paraqesësh, ai person do t’i përdredhë, shmangë ose hedhë poshtë, jo sepse ti je gabim, por sepse nuk është i gatshëm të shohë një anë tjetër.
Pjekuria nuk matet me atë kush fiton një debat, por me aftësinë për të kuptuar kur një debat nuk ia vlen fare. Është vetëdija se qetësia jote vlen më shumë sesa përpjekja për t’i provuar diçka dikujt që e ka vendosur paraprakisht se nuk do ta ndryshojë mendimin. Jo çdo betejë ka nevojë të luftohet. Jo çdo njeri meriton shpjegimin tënd, vijon Helen Mirren.
Ndonjëherë, gjëja më e zgjuar që mund të bësh është të largohesh, jo sepse s’ke ç’të thuash, por sepse e kupton që disa njerëz thjesht nuk janë gati të dëgjojnë. Dhe kjo nuk është barrë që duhet ta mbash ti, është peshë duhet refuzuar si domosdoshmëri që aktivizon secili si vetmbrojtës nga panevojshmëria e ushqyerjes me mbetje.











