Nga Albert Vataj
“Mos ec pas meje; mund të mos udhëheq.
Mos ec përpara meje; mund të mos të ndjek.
Vetëm ec përkrah meje dhe bëhu miku im.”
Kjo thënie e Albert Kamy është një nga më të njohurat dhe më të përqafuara në botë, jo vetëm për thjeshtësinë e saj shprehëse, por për thellësinë etike dhe njerëzore që përmban. Ajo përmbledh në mënyrë të përkryer filozofinë e Kamy-së: refuzimin e hierarkive, përulësinë e ekzistencës dhe dëshirën për një marrëdhënie të barabartë mes qenieve njerëzore.
Në këtë thirrje të qetë për shoqëri dhe përbashkim, Kamy nuk kërkon ndjekës, as udhëheqës, por bashkëudhëtarë, njerëz që ecin përkrah njëri-tjetrit në rrugën e pasigurt të ekzistencës, me vetëdijen se jeta nuk ofron udhëzime të sigurta, por kërkon solidaritet dhe miqësi të ndërsjellë.
Lindur më 7 nëntor 1913 në Mondovi të Algjerisë franceze, Albert Kamy mishëronte që në origjinë kontradiktën që do të përshkonte gjithë veprën e tij: një shpirt evropian në kufijtë e Afrikës, një njeri i dritës mes padrejtësive të botës koloniale. Ai u formua mes varfërisë, diellit të Mesdheut dhe pabarazisë, përvoja që do ta ushqente përherë me një ndjenjë të thellë drejtësie dhe revoltimi kundër absurdit të ekzistencës.
Kamy nuk ishte filozof në kuptimin akademik të fjalës, por pak filozofë kanë arritur të shprehin me aq ndjeshmëri dhe kthjelltësi tensionet e shpirtit modern. Ai lëvizi në një territor ku filozofia bëhet përvojë, ku ideja merr frymë dhe ku çdo mendim kërkon mishërim në jetën reale. Përmes romaneve, eseve, artikujve dhe fjalimeve, Kamy ngriti një platformë të mendimit që bashkon etikën me artin, revoltën me dashurinë, logjikën me mëshirën.
Kamy e nisi karrierën si gazetar politik dhe aktor në Algjer, duke besuar se arti duhej të ishte i angazhuar. Më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, jetoi në Francën e pushtuar dhe u bë pjesë e Lëvizjes së Rezistencës. Si kryeredaktor i gazetës Combat (1944–1947), ai shndërroi fjalën në armë morale kundër pushtimit, duke mbrojtur humanizmin si formën më të lartë të qëndresës.
Në artikujt e tij të asaj kohe, Kamy e shihte të keqen jo si një forcë abstrakte, por si produkt të njeriut që harron kufijtë e vet. Kjo do të mbetej një temë qendrore në gjithë veprën e tij: lufta midis dëshirës për kuptim dhe heshtjes së botës, midis njeriut që pyet dhe universit që nuk përgjigjet.
Në veprat e tij madhore, I Huaji, Murtaja, Rënia, si dhe esetë Miti i Sizifit dhe Rebeli, Kamy ndërton një univers ku njeriu përballet me absurditetin e ekzistencës: kërkimin e kuptimit në një botë që është, në vetvete, e pakuptimtë. Ai e quajti këtë përplasje “Absurdin”, një gjendje metafizike që lind nga përplasja mes etjes njerëzore për kuptim dhe indiferencës së botës.
Por për Kamy, zbulimi i absurdit nuk çon në dorëzim apo pesimizëm. Përkundrazi, është pikënisja e revoltës. Revolta, në kuptimin Kamyian, nuk është dhunë, por një gjendje shpirtërore, një “po” që i thuhet jetës, pavarësisht absurdit të saj. Njeriu i revoltës nuk kërkon të shkatërrojë, por të dëshmojë: të jetojë me dinjitet, duke refuzuar të gënjejë apo të nënshtrohet. “Unë revoltohem, pra ne jemi”, shkruan Kamy, duke e kthyer revoltën në themel të solidaritetit njerëzor.
Në vitin 1957, kur mori Çmimin Nobel për Letërsi, Komiteti vlerësoi tek ai “përpjekjet e pandërprera për të ndriçuar problemin e ndërgjegjes njerëzore në kohën tonë”. Ai u bë zëri i një brezi që kishte parë barbarinë e luftës dhe kërkonte të rindërtonte një kuptim moral të botës. Kamy mbeti përherë në anën e njeriut të zakonshëm, të atij që, edhe pse i pafuqishëm përballë fatit, nuk dorëzohet përballë tij.
Për Kamy-n, arti dhe filozofia nuk mund të ishin të ndara. “Arti është mënyra me të cilën njeriu refuzon të vdesë plotësisht,” shkruante ai. Në këtë kuptim, letërsia e tij nuk është thjesht reflektim, por akt shpëtimi, një mënyrë për ta mbajtur njeriun zgjuar ndaj absurdit, për ta mësuar ta pranojë pa u zhytur në dëshpërim.
Në janar të vitit 1960, në kulmin e krijimtarisë, ndërsa po punonte mbi një roman autobiografik dhe projekte për teatër, film e televizion, Albert Kamy humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik. Në makinën e tij u gjet një dorëshkrim i papërfunduar, Njeriu i parë, një rrëfim për fëmijërinë e tij në Algjeri dhe për kërkimin e origjinës.
Edhe pas vdekjes, Kamy mbetet simbol i mendimit të lirë, i ndershmërisë intelektuale dhe i qëndresës morale. Ai na kujton se, përballë absurdit të jetës, zgjidhja nuk është në arratisje, por në vetë aktin e qëndresës: në miqësi, në dashuri, në art dhe në dinjitetin për të mos u dorëzuar.
Në një botë që shpesh kërkon udhëheqës për t’u ndjekur ose figura për t’u adhuruar, fjalët e Kamy tingëllojnë si një testament njerëzor:
“Mos ec pas meje… Mos ec përpara meje… Ec përkrah meje dhe bëhu miku im.”
Një ftesë për barazi shpirtërore, për bashkëudhëtim, për njerëzinë që mbijeton përtej çdo absurdi.











